Shqipëria do të hapë nesër edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Konferenca e 6-të Ndërqeveritare me BE do të nisë në orën 08:00 të mëngjesit, ndërsa do të hapen zyrtarisht negociatat për 4 kapituj të tjerë, Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane, Mjedisi dhe ndryshimet klimatike.

Takimi i nesërm në Bruksel pritet të bashkëdrejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Çështjet Evropiane të Danimarkës, Marie Bjerre. Shqiptarja.com mësoi se shefi i qeverisë ka udhëtuar në Bruksel që sot.

Ndërsa më datë 2 tetor, Shqipëria hap negociatat për kapitullin e fundit “Bujqësia dhe Kohezioni”. Kjo është data e projektuar dhe miratuar në parim. Me hapjen e tyre Shqipëria nis bisedimet për të 33 kapitujt.

Shqipëria ka çelur deri më tani 4 nga 6 grupkapituj, të ashtuquajturin Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm si dhe Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse.

Më 19 korrik të 2022-shit Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në duke çelur zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024-ës, nën drejtimin e presidencës hungareze, në Luksemburg do të mbahej konferenca e dytë ndërqeveritare ku Shqipëria çeli negociatat për grupkapitullin e parë dhe më të rëndësishëm, të ashtuquajturin “Themeloret”.

2 muaj më pas në 17 dhjetor të 2024-ës, sërish nën drejtimin e presidencën hungareze nisën bisedimet për grupkapitullin e dytë, atë të marrëdhënieve me jashtë. Ndërsa në pril dhe maj të 2025-s, Shqipëria çeli dy grupkapijtujt e radhës, atë të “Tregut të brendshëm” dhe “Konkurrueshmëria e rritja gjithëpërfshirëse”.

Bashkimi Evropian është optimist se brenda 2030-0s Shqipëria do të realizojë integrimin në union, ndërsa kryeministri Edi Rama e ka shpallur anëtarësimin në BE prioritet të mandatit të katërt qeverisës.

AXHENDA - E martë, 16 shtator
08.00 – Konferenca Ndërqeveritare 6. Hapja e Bisedimeve për anëtarësim në BE mbi 
            Grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”
09.15 – Konferencë e përbashkët shtypi 
Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë 
Znj. Marie Bjerre, Ministre e Cështjeve Evropiane, Mbretëria e Danimarkës 
Znj. Marta Kos, Komisionere Evropiane për Zgjerimin