Që në nisje, Kryeministri shpalosi para audiencës franceze, qasjen e qeverisë shqiptare për procesin e integrimit si një proces i ndërtimit të Europës në vend. Për ne, tha Kryeministri, Bashkimi Europian është rruga europiane për të transformuar Shqipërinë.
“Qeveria shqiptare, e zgjedhur nga një votë plebishitare në 23 Qershor 2013 ka një qasje tërësisht të ndryshme në raport me integrimin në BE. Për ne, Europa nuk është jashtë nesh, ajo përbën një destinacion të pashmangshëm në gjirin e shoqërisë sonë, një lëvizje të brendshme. Ne vlerësojmë se Europa është demokracia e përditshme, në çdo cep të vendit dhe me këtë rast më kujtohet shprehja e Michel Rocard, “Demokracia e çdo dite”. Duke afirmuar këtë ide, nuk kërkoj të bëj një propozim apo premtim demagogjik, por i referohem vullnetit për të transformuar, për të modernizuar dhe demokratizuar shoqërinë shqiptare. Shqipëria është një kandidate potenciale, pasi vjen nga marrja e një “Po”-je unanime nga Komisioni Europian dhe shpresoj se do të mund të marrim statusin e vendit kandidat në 23 qershor,” – u shpreh ndër të tjera Kryeministri.
Kryeministri Rama theksoi se e ardhmja e Shqipërisë dhe e rajonit është Bashkimi Europian dhe se Shqipëria, pas vlerësimit shumë të qartë nga KE të progresit të saj, pret dhe beson se e meriton statusin e vendit kandidat, i cili, për qeverinë shqiptare shihet thjesht si rritje e përgjegjësisë, për të vazhduar modernizimin e vendit.
“Uroj shumë që të marrim statusin e vendit kandidat në muajin qershor. Do të doja që të reduktohet kohëzgjatja që na pret nga integrimi në anëtarësimin në Bashkimin Europian. Thënë këtë, nuk pres që të lehtësojmë punën tonë për reformat modernizuese dhe strukturore të Shqipërisë,” – u shpreh Kryeministri.
Sot, 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, është koha për të ndërtuar një marrëdhënieje të re jo vetëm midis vendeve të rajonit, por edhe të rajonit me Bashkimin Europian, përmes projekteve konkrete për të ardhmen.
Kryeministri u shpreh se ne jemi shumë të inkurajuar nga angazhimi i Kancelares Merkel dhe Presidentit Hollande për bashkëpunimin me Ballkanin. Qeveria shqiptare, – tha Kryeministri, – mirëpret angazhimin e ripërtërirë të Francës që nga mbledhja e Brdo në Slloveni, vitin e kaluar dhe ne mendojmë se ka potencial akoma të pashfrytëzuar bashkëpunimi në energji, teknologji, bujqësi, kulturë e turizëm.
Duke nënvizuar se shqiptarët janë të vendosur për të realizuar aspiratën e tyre europiane, Kryeministri Rama theksoi se ka qenë pikërisht kjo aspiratë që ka sjellë paqen në Ballkan dhe që është aspirata e brezave të rinj.
“Jam i bindur që vendi im ka nevojë për Bashkimin Europian, ekzaktësisht dhe pa e ekzagjeruar, siç edhe Bashkimi Europian ka nevojë për vendin tim. Kjo vlen për të gjithë vendet ballkanike, që kanë nevojë për Bashkimin Europian, siç edhe BE ka nevojë për Ballkanin.” – u shpreh Kryeministri/ATSH/
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)