Nga Finiqi ku po shpërndante leje legalizimi për minoritarët e kësaj zonë Rama u kërkoi ndihmë atyre të bindin, Vangjel Dulen, të kthehet në “rrugën e duhur”
“Çfarë bën Vangjeli në çadër? “, ka pyetur Rama, ndërsa banorët u përgjigjën “Fle gjumë”.
“Gjumë nuk fle, e kam dhe mik Dulen por ka ikur në drejtim të paditur, ia ka marrë mendjen shejtani, vetëm ju të kishës mund ta sillni në vete”, u shpreh Rama.
Gjatë fjalës së tij në Finiq Rama u shpreh se legalizimet në të shkuarën ishin të pakta dhe vetëm për bizneset, ndërsa theksoi se për 2 vite e gjysmë në atë bashki janë dhënë 300 legalizime nga 6 të tilla në 8 vjet.
“Legalizimet janë bërë gjithmonë në të shkuarën për biznes, legalizonin bizneset dhe bënin biznes me para nën dorë dhe mbi dorë. Ne kemi arritur deri tani në 130 mijë legalizime. Në 130 mijë legalizime 93 për qind janë shtëpi të ndërtuara me mund sakrifica dhe punë emigracioni. Janë dhënë 6 legalizime në Finiq për 8 vjet, ndërsa për 2 vjet e gjysmë ne këtu arrijmë në 300 legalizime sot dhe të gjitha janë pothuajse shtëpi”, u shpreh kryeministri.
Rama: Zyrë Arsimore për minoritetin
Rama u shpreh se Finiqi e Dropulli do jenë shëmbëlltyrë e suksesit të Rilindjes Urbane ndërsa shtoi se do të ndërtohet një zyrë arsimore për Bashkinë e Finiqit dhe të Dropullit që problemet me tekstet të marrin fund.
“Ne kurrë nuk na shkon në mendje të cenojmë pronat e minoritetit por kemi bërë të mundur që si askund në rajon, as në Greqi t’iu njohim minoritetit bashkinë e tyre. Ne sot kemi Bashkinë e Finiqit, e kjo na bën shumë krenarë. E kemi unifikuar të gjithë zonën duke ju dhënë mundësinë që të keni të zgjedhurit tuaj. Finiqi dhe Dropulli do të jenë shëmbëlltyrë e suksesit të Rilindjes Urbane. Do ndërtojnë një zyrë arsimore që do kujdeset për Bashkinë e Finiqit dhe të Dropullit që problemet me tekstet të marrin fund”, tha kryeministri.
Rama: Do ulim çmimin e energjisë për kishat dhe xhamitë
Tek sa i dorëzoi lejen e Kishës së Mesopotamit priftit, Rama premtoi se do të ulet çmimi i energjisë elektrike për kishat dhe xhamitë .
Prifti falenderoi kreun e qeverisë për këtë leje pasi sipas tij është hera e parë që komuniteti ortodoks në atë zonë merr një lejë të tillë, por i kërkoi të bënte diçka për pronat e kishave ortodokse.
Rama:Ja legalizimi i kishës së Mesopotamit se ju bëri Saliu edhe ju ndërtues pa leje...
Prifti:Falenderoj zotin Edi Rama dhe do guxoj të të them që me të njëjtin zell të përpiqesh edhe për pronat e kishave ortodokse.
Rama:Dua të të jap lajmin që do ulim energjinë për kishat dhe xhamitë.
Prifti:Po kishën në…
Rama:Një minutë ore, se jeni të çuditshëm ju me radhë, do ulim energjinë për kishat dhe xhamitë. Do paguani njësoj si familjet jo si biznes se ju s’jeni biznes .
Prifti:Ne kemi edhe shumë kamata që nga vitet ’90.
Rama:Kamatat e vonesës do i shohim veç, po do e gjejmë një rrugë me ndihmën e zotit që do të na ndihmoni ju për këtë. Zotit që është zot iu deshën 7 ditë, a iu deshën aq për botën a jo? Gjashtë se e shtata ishte e pushim, ne s’jemi magjistarë…Çoji një fjalë perëndisë të na ndihmojë për këtë punë.
Gruaja: E kam burrin në çadër. Rama:O Zot ç'qenke,nga ti ka ikur
Ky aktivitet si gjithnjë është shoqëruar me batuta të shumta gjatë momentit që Rama u dorëzoi lejet banorëve.
Ndërsa thirri emrin e një gruaje për të tërhequr certifikatën e pronësisë ajo u shpreh se i shoqi është xheloz dhe i mori dokumentin nga dora kryeministrit.
Rama:Ty do ta japë Kostandina lejen.
Gruaja:E kam dhe burrin xheloz.
Rama:Po aq më mirë akoma, hajde jepi lejen. Prit mos ma merr nga dora, burri nuk paska faj ti qenke... O Zot. Ma mori nga dora
Gruaja:Burrin e kam shumë të vështirë, e kam në çadër tani, turn i tretë.
Rama:Rëndësi ka je ti këtu, burri le të rrijë atje. Ç’na duhet burri, ne të kemi ty. Ai nuk paska faj, ai ka vajt në çadër që të iki nga kjo, se mos ka vajt në çadër për Vangjelin.