Rama dy orë me John McCain:
Mbështetës besnik i reformave

Rama dy orë me John McCain:<br />Mbështetës besnik i reformave
TIRANE- Senatori amerikan, John McCain këtë të premte mbërriti në Tiranë, në kuadër të një vizite rajonale, përfshirë edhe atë në vendin tonë.

Ai u prit në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu.

Pas pritjes në aeroport, McCain u ndal fillimisht te ambasada amerikane në Tiranë, ndërsa më pas nisi takimet me krerët e lartë të shtetit, me presidentin Nishani, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Ndërkohë, ambasada e SHBA në Tiranë zbardhi edhe takimet e McCain me krerët e shtetit shqiptar.

Sipas ambasadës, McCain theksoi partneritetin ushtarak SHBA-Shqipëri, rëndësinë e reformës në drejtësi në vend, si dhe përpjekjet për të mundur ISIS.

[gallery]21825[/gallery]
Ora 20:30 McCain takim dy orë me Edi Ramën 
Takimi me kryeministrin Edi Rama ishte i fundit në axhendën e senatorit John McCain me krerët e shtetit shqiptar, por jo për nga rëndësia. Dhe këtë e tregon qartë fakti se takimi ka zgjatur 120 minuta, pra plot dy orë.

Takimi mes Ramës dhe McCain nisi rreth orës 18:30 dhe përfundoi ekzaktësisht në 20:30 të mbrëmjes së kësaj të premte. 

Vetë kryeministri Rama shkruan në Facebook se kanë qenë 2 orë të paharruara e mbështetësin besnik të Shqipërisë në rrugën e reformave, siç e quajti ai senatorin amerikan. 

rama
(Postimi i Ramës në rrjetet sociale pas takimit me McCain)

"120minuta të paharrueshme me një mik të madh të shqiptarëve dhe një mbështetës besnik të Shqipërisë në rrugën e reformave që bëjnë shtet", ka shkruar kreu i qeverisë në përfundim të takimit me senatorin John McCain. 
Zbardhet takimi i senatorit McCain me kryeministrin Rama
(John McCain dhe Edi Rama)

Senatori John McCain mbërriti mesditën e kësaj të premte në Tiranë, ndërsa u prit në takime të nivelit të lartë si me presidentin Nishani, kryetarin e Kuvendit Meta dhe shefin e opozitës Basha. 

FOTO/Dhurata që Rama i bëri senatorit republikan
“120minuta të paharrueshme me një mik të madh të shqiptarëve dhe një mbështetës besnik të Shqipërisë në rrugën e reformave që bëjnë shtet [🇦🇱] [🇺🇸]".

Kështu shkruan kryeministri Edi Rama në rrjetin social, teksa publikon edhe një foto me John McCain, ndërsa më pas, kreu i qeverisë zbuloi edhe një dhuratë të veçantë që i ka bërë senatorit amerikan. 
rama mccain
(Dhurata e Ramës për McCain)

Dhurata e kryeministrit ka qenë një album me foto, që nga koha e regjimit komunist, të avionëve dhe helikopterëve të armiqve të diktaturës. 

Ora 20: 20 Ambasada e SHBA: U theksua rëndësia e reformës në drejtësi
Ambasada amerikane ka zbardhur takimet e senatorit republikan John McCain, me krerët e lartë të shtetit shqiptar. 
mccain
(John McCain në ambientet e ambasadës amerikane në Tiranë)

Sipas ambasadës së SHBA, McCain theksoi partneritetin ushtarak SHBA-Shqipëri, rëndësinë e reformës në drejtësi në vend, si dhe përpjekjet për të mundur ISIS.

"Senatori McCain, i cili shërben si kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, u takua me Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe udhëheqësin e opozitës Lulzim Basha. 

Senatori McCain po ashtu vëzhgoi ushtrime ushtarake dhe u takua me anëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë
", thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Në të gjitha takimet në Tiranë, John McCain shoqërohej nga ambasadori amerikan, Donald Lu.  

Ora 18:20 Eskorta e seantorit McCain i drejtohet Kryeministrisë
Senatori republikan John McCain pritet të zhvillojë një takim edhe me kryeminstrin Edi Rama, në mbyllje të vizitës së tij në Shqipëri. 

Ora 16:30 McCain 30 minuta takim me Nishanin
Senatori amerikan zhvilloi një takim 30 minutësh edhe me presidentin Bujar Nishani. 

Ora 15:50 McCain shkon te Basha
Pas takimit me kryetarin e Kuvendit, rreth orës 15:50, senatori amerikan iu drejtua selisë së Partisë Demokratike ku takoi kryetarin demokrat, Lulzim Basha.  

Takimi zgjati rreth 40 minuta, ndërsa kryedemokrati Basha u shpreh në një status në Facebook se senatori amerikan ka qenë një zë i fuqishëm në mbështje të shqiptarëve. 

Kënaqësi dhe nder i veçantë takimi i sotëm me Senatorin John McCain, një mik i madh i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve.

Heroi amerikan, që ka sakrifikuar për kauzën e lirisë, ka qenë përherë një zë i fuqishëm në krah të përpjekjeve të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim në botën euro-atlantike
”, shkruan Basha në Facebook, ndërsa ka bërë publike edhe një foto gjatë takimit.
basha mcCain
(Basha takon senatorin McCain)

Ora 15:30 McCain-Meta: Rrisni shpenzimet për mbrojtjen
Ndërsa takimi i parë i John McCain më krerët e shtetit shqiptar, është ai me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. 

McCain, i shoqëruar nga ambasadori Donald Lu, mbërriti pranë kryesisë së Kuvendit rreth orës 15:15. Takimi McCain-Meta zgjati mbi 30 minuta. Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, në fokus të bisedës mësohet të kenë qenë çështjet e sigurisë, situata në rajon si dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së. 

Duke vlerësuar kontributin personal në vite të Senatorit McCain, Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në shërbim të forcimit të kredencialeve demokratike të vendit tonë si dhe të paqes e stabilitetit në rajon.

Meta vuri në dukje se, duke marrë në konsideratë peshën e veçantë të Shqipërisë në rajon, politika ka për detyrë të tregohet më e përgjegjshme brenda vendit për të krijuar klimën e duhur për mbarëvajtjen e zgjedhjeve sipas standarteve më të larta bashkëkohore.

Meta gjithashtu shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA ndaj forcimit të demokracisë në Shqipëri dhe në veçanti ndaj avancimit të procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar si dhe trafiqeve të lëndëve narkotike.

Kryetari Meta ndau bindjen me Senatorin McCain se Shtetet e Bashkuara duhet ta rrisin vëmendjen e tyre në Evropën Jug Lindore dhe shprehu besimin e plotë se Shqipëria do dijë të tregojë se është një partnere serioze e SHBA në avancimin e axhendës euro-atlantike në rajon.

Gjatë diskutimit mbi zhvillimet e fundit në rajon, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Senatori McCain ndanë bindjen e përbashkët se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe aleate besnike e SHBA duhet  të rrisë kontributin e saj buxhetor në fushën e mbrojtjes, duke nënvizuar se investimi në fushën e sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit.

Ora 13:00 Kodheli e Lu e presin në Rinas
Mimi Kodheli dhe Donald Lu e pritën në aeroportin e Rinasit senatorin amerikan John McCain. 

Gjatë qëndrimit të senatorit McCain në Rinas, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e njohu me progresin e arritur në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e vendit tonë për të vijuar në këtë drejtim, të bindur se jemi në rrugën e duhur.
 
Senatori McCain u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar të trajnuar në programe të ndryshme të qeverisë amerikane.
 
Gjatë bashkëbisedimit të tyre, ministrja e Mbrojtjes risolli në vëmendje edhe njëherë misionet ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë përfshirë duke nisur nga misioni në detin Egje, deri tek misionet në Afganistan dhe vijoi më tej me stërvitjet e përbashkëta me aleatët.
 
Gjithashtu ministrja Kodheli u ndal edhe te kontributi i vendit tonë si pjesë e koalicionit global kundër ISIS, kontribut të cilin ministrja Kodheli e cilësoi të duhur dhe të drejtë.
 
Shqipëria jep kontributin e saj në misionin paqeruajtës Resolute Support në Afganistan dhe ishte ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS, nën lidershipin e SHBA dhe jep një kontribut aktiv në këtë koalicion.

Pas mbërritjes në Tiranë, McCain takoi fillimisht në ambientet e ambasadës amerikane, ambasadorin Donald Lu. 

Senatori John McCain vizitë në rajon
Një ditë më parë senatori amerikan ishte në Prishtinë ku foli para deputetëve duke i dhënë porosi për ushtrinë.

Senatori amerikan para deputetëve të Kuvendi foli edhe për rëndësinë e miratimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Senatori ishte edhe në Serbi ku bëri thirrje që të vijohet dialogu me shqiptarët.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij