Rama: Ekonomia, 5 vjet që nuk
lëviz, çdo orë mbyllet një biznes

Rama: Ekonomia, 5 vjet që nuk<br /> lëviz, çdo orë mbyllet një biznes
TIRANE - Edi Rama ka vendosur të dalë vetë sot, për të treguar gjendjen e biznesit në Shqipëri. Ndërkohë që jo më larg se dje, rivali i tij, Sali Berisha shprehu nga Gjirokastra ftesën për Ramën “që të votojmë amnistinë për borxhet e biznesit” dhe se “opozita nuk ka asnjë vizion për biznesin dhe se do ta shkatërrojë atë me taksën progresiste”. Rama iu kundërpërgjigj Berishës, duke thënë se “ekonomia e Shqipërisë po shkon drejt humnerës”, “4 muaj e fundit janë më rrënuesit” apo se “ekonomia ka 5 vjet që nuk lëviz asnjë mm”. Ja shifrat e plota dhe deklarata e plotë e Ramës:

JANË MBYLLUR MË SHUMË SE 19 MIJË BIZNESE

“Vendosa t’i kushtoj një konferencë të posaçme gjendjes së biznesit. Për të thënë disa të vërteta dramatike, që bazohen në shifra zyrtare. Ju e dini që shifrat zyrtare janë shumë larg shifrave të realitetit mbytës për sipërmarrjen e madhe dhe të vogël në Shqipëri”, nisi fjalën e tij Rama. Ai renditi faktet zyrtare, se qysh prej janarit 2011 janë mbyllur më shumë se 19 mijë biznese dhe nga janari 2011 mbyllen 23 biznese në ditë ose ndryshe 1 biznes në orë. Sipas Ramës, të dhënat fiskale të 4-mujorit tregojnë se të ardhurat në buxhet nga tatimi mbi vlerën e shtuar - që është treguesi më i drejtpërdrejtë - janë më të ulëtat në 5 vitet e fundit, janë edhe më të ulëta se sa në vitin 2009, kur kjo qeveri grabiti votat dhe i dha vetes mandat të dytë. “Vetëm prej inflacionit duhet të ishin të paktën 10% më shumë. Kjo do të thotë se nëse vlera e shtuar nuk është rritur por ulur, ekonomia ka 5 vjet që nuk rritet asnjë mm. Përkundrazi, tkurret”, reflektoi Rama.

DEFICITI, MË I LARTI NË 5 VJET, 220 MILIONË DOLLARË

Rama u ka paraprirë të tjera shifrave me përmbledhjen se “biznesi nuk fiton më si ç’fitonte deri 4 vite më pare, biznesi i vogël gjithashtu gjendet në rrugën e rrënimit të mëtejshëm, ku e merr zvarrë vendin kjo qeveri dhe po shkatërrohet”. Rama më pas ka paraqitur shifrat, se ka 27,4%, thuajse 1/3 më pak të ardhura nga taksa e biznesit të vogël, se sa në vitin 2009. “Një rënie e tmerrshme, që tregon rrënimin e biznesit të vogël në Shqipëri”. Rama ka kujtuar se vlera e shtuar mbi xhiron është në rënie, xhiroja e biznesit është më e vogël, fitimi po në rënie, gjendja e biznesit në tërësi; dramatike. “Nga ana tjetër kush paguan për të gjitha këto? Jo vetëm biznesmenët e mëdhenj, por ekonomia shqiptare me një rritje dramatike të deficitit buxhetor përkundrejt të ardhurave”, ka pyetur dhe është përgjigjur Rama. Sipas shifrave zyrtare ai ka bërë të ditur se deficit buxhetor është më i larti në 5 vjet, 2 herë më i lartë se 4 vjet më parë, gjithsej 220 milionë dollarë. “A e kuptoni se në ç’rrugë drejt humnerës financiare po e çon Saliu Shqipërinë? Sa e domosdoshme është të rilindë ekonomia!”, tha Rama. Ai premtoi se PS do të heqë taksën e biznesit të vogël në 100 ditët e para të qeverisjes, do të vendosë lirinë e konkurrencës në rrugën e gjithë sipërmarrjes së madhe në 100 ditët e paratë qeverisjes. Do krijojmë kushtet, që biznesi të marrë frymë lirisht, se po shkatërrohet Shqipëria ekonomikisht dhe financiarisht".

MËSUESIT BLEJNË SHKUMËSAT E SHKOLLAVE

Rama e mbylli me një të dhënë, që siç tha edhe vetë, “s’ka lidhje direkte, po tregon se ku jemi katandisur”. “Ta dinë gjithë prindërit, se shkumësat e blerë për shkollat nuk bëjnë. Mësuesit duhet t’i blenë vetë shkumësat. Çdo mësues harxhon 55 dollarë në vit për shkumësa, të gjithë mësuesit së bashku nga rrogat e dyfishuara të Saliut – që nuk mjaftojnë për të blerë as gjysmën e gjërvae - 1,1 milionë dollarë i shpenzojnë për shkumësa shkolle. Ja si gjendet Shqipëria nga dritëshkurtësia dhe marrëzia ekonomike e qeverisë", tha Rama, duke i shtuar shembullit më sipër se “thashë një element nga arsimi, por në çdo fushë është e njëjta gjendje”.

RILINDJE, E VETMJA RRUGË QË SHPËTON VENDIN

“Kështu po dërrmohet Shqipëria dhe shtylla vertebrore që mban në këmbë këtë popull; ekonomia. Ka vetëm një rrugë; vota për PS, për të vetmin program, që shpëton vendin nga kriza, që hap rrugën për investime dhe punësim, që nxjerr arsimin nga tuneli i errët, ku 57 % janë analfabetë funksionalë. 4-mujori i fundit është pasqyra më domethënëse e rrënimit të kësaj qeverie”, përfundoi fjalën e tij, kreu i PS-së, Edi Rama. Dalje e munguar kjo direkt nga selia e PS-së këto ditë për shkak të fushatës ngado nëpër Shqipëri.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN