Lajmin e bukur se më shumë se 43,581 fëmijë të lindur gjatë vitit që sapo lamë pas, bashkë me mbarësinë dhe gëzimin e papërshkrueshëm, kanë sjellë për familjet e tyre edhe bonusin e bebes ka publikuar mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama.
Kryeministri ka theksuar se edhe gjatë vitit 2022 do t’i garantohet çeku i bebes çdo të porsalindur brenda apo edhe jashtë vendit, që regjistrohet në Shqipëri.
“43,581 fëmijë të lindur gjatë vitit që sapo lamë pas, bashkë me mbarësinë dhe gëzimin e papërshkrueshëm, kanë sjellë për familjet e tyre edhe bonusin e bebes. 115,764 fëmijë të lindur nga Janari 2019 kanë përfituar nga mbështetja direkte e programit të mbrojtjes sociale për të porsalindurit.
![]()
Edhe këtë vit, garantojmë bonusin për çdo fëmijë që vjen në jetë, në Shqipëri apo jashtë, që regjistrohet në vendin amë. 40,000 lek për fëmijën e parë 80,000 lek për fëmijën e dytë; 120,000 lek për fëmijën e tretë e më tej.”, ka shkruar ai.
Çfarë është çeku i bebes?
Bonusi i bebes është një ndihmë që jepet nga janari i viti 2019 për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik. Bonusi përfitohet menjëherë nëse prindërit e regjistrojnë të porsalindurin në zyrën e posaçme të hapur në çdo maternitet në vend dhe përfitohet në dy pjesë nëse prindërit zgjedhin ta regjistrojnë fëmijën e tyre më vonë. Për fëmijët që lindin në spitale private, apo jashtë vendit, çeku i bebes do të lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë pas regjistrimit të të porsalindurit në zyrat e gjendjes civile.
J.GJ./Shqiptarja.com
Komente

