Rama: Hajduti thotë kapeni
hajdutin, s'ka projekt 'Radika'

Rama: Hajduti thotë kapeni<br />hajdutin, s'ka projekt 'Radika'
TIRANE- Opozita është larguar nga Kuvendi pasi pretendoi se 3 gra, të cilat ishin në listën emërore të PS-së e LSI-së në zgjedhjet e 23 Qershorit, u detyruan të mos pranojnë mandatin pasi ishin kërcënuar sipas tyre nga mafia.

Deputetët e PD-së pretendojnë se Silvana Maksuti, (së cilës i takonte që të merrnin mandatin e lënë nga ministri i Mjedisit Lefter Koka i LSI-së, në qarkun e Durrësit) dhe Merieme Delishi dhe Mirela Neli (të cilave i takonte që të merrte mandatin e lënë nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në qarkun e Lezhës)  janë detyruar të japin dorëheqjen pasi janë kërcënuar.

Pas largimit të opozitës nga salla, kryeministri Rama tha se "
opozita shpif duke u bërë njësh me baltën e rrenave dhe kujton se duke hedhur gurin njerëzit do i shkojnë pas në rrugë". 

Rama nënvizoi se nuk ka asnjë projekt për lumin Radika, ndërsa duke folur për çështjen e serverit të tatimeve ironizon Berishën "Hajduti thotë kapeni hajdutin"

Gjatë seancës pati replika të ashpra edhe mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli me ish kryeministrin Berisha.

SEVERI TATIMOR, RAMA: HAJDUTI THOTE KAPENI HAJDUTIN,  
"Janë katandisur në burimin më toksik të mbetjeve të politikës së vjetër komuniste të luftës me tjetrin, jo me idetë e tij, të denigrimit të njeriut, jo ballafaqimit njerëzor me të. Janë bërë si kënd fletërrufesh. I gënjen mendja se populli do të mblidhet te këndi i fletërrufeve e do të shkojnë pas tyre. Ata e kujtojnë popullin budalla dhe politikën mjet për të budallepsur. Unë e di që disa prej tyre, duke nisur nga Plaku i shtëpisë së tyre janë në hall të madh, kanë bërë shumë të këqja e kanë përfituar shumë duke bërë keq e pastaj duhet të merren dhe me njerëz që kanë filluar e trokrasin për të marrë lekët që ua kanë dhënë me pahir kur u duhej firma e tyre, duhet të merren edhe me ata të tatimeve që janë në kërkim nga policia pasi u kanë marrë arratinë për rimbursime tëpaligjshme të miliona eurove TVSH për llogari të tyre, duhet të merren edhe me mbrojtjen e derdimenit të kompjuterave të tatimeve, që e kanë vënë të mbrojë lëkurën e tyre dhe të mbrojë lëkurën e tij. 

Rruga e vjetër: Hajduti thërret kapni hajdutin, do i shpëtojë nga ky siklet i madh që i lë pa gjumë e më kujton shprehjen e famshme të një bashkëpunëtori dikur të mbretit të shqiptarëve që shkruante: të uroj të rrosh sa më shumë, sepse meriton të mos vdesësh kurrë por të përpëlitesh çdo natë pa mundur të vesh gjumë në sy nga ëndrrat e tmerrshme të atyre që në fakt i ke bërë ralitet.

Kujtojnë se duke bërë bashkë ndonjë prokuror për të mbyllur çështjen e tyre, ndonjë pronar të medias që i fshihet bankave se është i mbytur nga borxhet e me shfaqje të SHQUP-it, kujtojnë se do të dalin para shqiptarëve si luftëtarë dinjitozë.  Lepuri i frikës po i rritet përditë në bark."

NE KEMI DERGUAR NE PROKURORI KALLEZIMIN 
"Saliun e shqetëson fakti që dyshja Rama- Meta siç e quan ai dhe Alenaca për BE, siç e quajmë ne, i qëndron pikë për pikë axhendës për të cilën është votuar. Kur bëjnë hajdutin që bërtet kapni hajdutin, duhet t’i mirëkuptojmë, se e dimë pse e bëjnë. Edhe pse nuk janë fare të justifikuar para atyre shqiptarëve që kanë votuar ata dhe jo ne. Ne dhe jo këta kemi çuar në Prokurorinë e Republikës kallëzimin për çka është gjetur. Është shumë shqetësuese, aq shqetësuese sa mirë është të heshtet dhe të pritet zbardhja nga prokuroria e shqetësimeve tona për librin elektronik të llogarive të këtij shteti”.

“SALIU, MË KOMIK SE MR.BEAN”
“Ky është rasti për t'u thënë nja dy fjalë edhe për çështje të tjera, që përpiqen t'i mahisnin këto ditë, me shpresën e dëshpëruar se diçka do të nxjerrin duke bërë patriotin e zemëruar për lumin që po na marrin fqinjët, ndërkohë që këta dhanë një tokë Shqipërie si copë torte”, ka vijuar Rama.  
“I dëgjojmë, mirëkuptojmë në dhimbjen e madhe që ka mëkati, kur dikush ta tregon atë me gisht. Por ndërkohë, nuk ka asnjë mirëkuptim të mundshëm për ta, kur bëjnë patriotin dhe përpiqen të kalërojnë mbi mijëra njerëz të zakonshëm, që manipulohen prej këtyre.  Kujtojnë se do të nxjerrin shqiptarët në rrugë në emër të qeverisë për një problem që nuk ekziston, ndërkohë që vetë u nxorrën qindin.
Besoj se shqiptarët e kanë më kollaj të besojnë se Saliu është komik më i madh se Mr. Bean se sa që është patriot më i madh se Ali Ahmeti.”

RAMA: NUK KA PROJEKT PER LUMIN RADIKA, 
"Fqinjëve, këta me një të rënë të lapsit i dhanë një copë det Shqipërie. Sot janë shumë qesharakë. Si nuk i vjen turp që mundohen çdo ditë të fusin xixa mes shqiptarëve, duke u sjellë si mos më keq me përfaqësuesit shqiptarë në Maqedoni, të cilët e kanë përsëritur se nuk ka asnjë shans të përparojë në dëm të Dibrës së Madhe. 

Na dinë si veten e tyre që nuk deshën t’ia dinin për asgjë, kur firmosën kufirin e gabuar, të marrosur në gostinë e tyre orgjiake të pushtetit. Vazhdojnë me të tyren, se projekti është financuar nga Banka Botërore. Madje plaku thotë se projekti ka nisur, ashtu siç thoshte: Janë këtu armët kimike. Nuk ka projekt.  Projekt në këtë rast për çdo njeri që kupton,  nuk quhet ideja apo skicë- ideja e një qeverie tjetër, por projekt zbatimi që e ka në tryezë edhe qeveria jonë.
Ne nuk kemi të tillë, as qeveria e Maqedonisë e as Banka Botërore nuk e ka financuar një projekt të tillë. As bëhet fjalë të financojë Banka Botërore e asnjë institucion ndërkombëtar pa miratimin e qeverisë shqiptare dhe në kundërshtim me marrëveshje e traktate ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Rama, ndërsa ka kujtuar edhe idenë e Berishës për centralin bërthamor në Shkodër.
“Po centralin bërthamor në Shkodër, e mbani mend?”, ka sjellë ndërmend ironikisht kreu i qeverisë.
Opozita është bërë njësh me baltën e rrenave. Ndjek ende luftën e denigrimit. Ka frikë nga kthimi i policisë së shtetit në krye të detyrës. Kujton se populli do i ndjekë në rrugë. Me ikjen e tyre nga qeveria, vdiq koha kur qeveria e këtij vendi tradhëtonte shqiptarët e bënte pazare, si e ku të mundte me interesat e shqiptarëve. Iku koha e turpshme e kontrabandës së naftës. Iku koha e turpshme e marrjes së kufijve duke hapur sherre të panevojshme me fiqnjët.
Është koha kur populli sovran i shqiptarëve të bëhet sovran i fateve të veta. Është koha kur Shqipëria ka qeveri që nuk ka rrugë tjetër veç të jetë mishërimi i vullnetit të popullit sovran”, ka përfunduar Rama.
 
TAHIRI REPLIKON ME BERISHEN
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në replikë me Berishën, ky i fundit e quajti “ekstension i krimit në Parlament” , tha:
“Kriminelët kanë dalë nga pushteti me 23 qershor, kanë dalë nga policia, tani janë derdhur rrugëve t’i binden këtij banditi që derdh vrer për akuza kriminale. Ky është një nga ta që nuk do të shpëtojë dot kurrë.  Edhe nëse do i shpëtojë drejtësisë, nuk do i shpëtojë dot mallkimit të shqiptarëve"

PD-JA IKEN NGA SALLA
PD-ja ikën nga salla. Në orën 12: 25, deputetët e PD-së largohen nga salla.  
“Grupi i PD-së vendos të dalë nga Parlamenti. Kjo që keni bërë, përbën aktin më të rëndë pas atentatit që u organizua ndaj deputetit Azem Hajdari”- tha Berisha nga foltorja dhe më pas deputetët e PD-së u larguan.

MIRATOHET AKTI NORMATIV DHE NGRIHET KOMISIONI I REFORMES ZGJEDHORE
Ne Fund Kuvendi miratoi sot me 75 votat e deputetëve të maxhorancës dhe pa praninë e opozitës ( e cila u largua nga salla) projektvendimin “për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë”.  Kuvendi miratoi po me 75 vota edhe  Aktin Normativ “Për disa ndryshime në ligjin nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, të ndryshuar”   Lexo me shume

KODHELI BERISHES: JETEN E BABAIT TA KAM BORXH, POR CV-JA IME S'KA VRASJE AS HAJNI


Redaksia online
(sg/bg/shqiptarjacom)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës