Në përvjetorin e lindjes së Ismail Qemal Vlorës, kryeministri Edi Rama ka bërë homazhe duke e vlerësuar atë si themeluesin e shtetit shqiptar.

Duke përmendur rolin e Ismail Qemalit në bisedimet me fuqitë e mëdha Rama shkruan se ai u bë goja dhe fytyra e qindra e mijëra shqiptarëve kur bëhej fjalë për kufijtë e Shqipërisë.

Rama shkruan se Ismail Qemali ishte mendjehapur e luajal duke u bërë shembull i lartësive njerëzore dhe morale për tërë brezat e mëpasme. Ai shmangu vëllavrasje dhe përçarje dhe e bëri të pakthyeshme dinamikën e shqiptarëve si faktor në shoqërinë e kombeve të lirë.

HOMAZH

Njeriu që fati zgjodhi për ne, për të vendosur mbi kryet e Nënës Shqipëri, kurorën e sovranitetit, ishte një shqiptar i kurorëzuar nga virtytet dhe hiret. Edhe jetën e mbylli, si një hero i qetë, nën palmën e martirit. Sado larg të shtrihet vështrimi ynë në histori dhe në kohë, do të shëmbëllejë gjithmonë e bardhë fytyra e hijshme dhe ogurmirë e kasnecit të Pavarësisë, Ismail Qemal Vlorës.

Vetmitar e megjithatë kurdoherë me dishepuj, shqiptar unik e kozmopolit që kur i thonë ha bukë krejt më vëte, Ismail Qemal Vlora çau me jetën e tij një shteg që sot është udhërrëfim i sigurtë për këdo dëshiron që Shqipërisë t’i jetë shërbestar.

Oxhak i vjetër

Me dashuri u martua me një zonjë jo të fesë së tij, prej dashurisë la të mirat e një pushteti të trashëguar, për, siç i shkruan trashëgimtarit të Osmanit, “të bërë diçka për vendin tim, Shqipërinë”.

Që shqiptarëve t’u mbetej në fund midis tyre, të paktën atdhe-dashuria, shpërfilli deri pushtetin që i dha jo trashëgimia, por historia, gjatë një pleqërie kaluar syrgjyneve.

Diti sa e sa herë t’ja fillonte nga e para, zemrën plot zjarr e dashuri, si për shembull kur megjithë hallet e moshës u mandatua nga shqiptarët e Amerikës t’u printe në luftën politike për mbrojtjen e atdheut në Konferencën e Paqes.

Dialogoi me të paarsyeshmit, u bë goja dhe fytyra e qindra e mijëra shqiptarëve të panjohur që Shqipërinë e deshën njësoj e për të bënë ç’mundën, u dha dorën atyre që nën mëngë fshihnin kamën, shmangu vëllavrasje dhe përçarje dhe e bëri të pakthyeshme dinamikën e shqiptarëve si faktor në shoqërinë e kombeve të lirë, duke na lënë kështu një trashëgimi po aq të vyer sa edhe të rrallë.

Nuk di për çfarë t’i themi këtij të pavdekshmi faleminderit më parë në këtë përvjetor të lindjes së tij. Në mendje më vijnë vetëm një grusht me fjalë: Për Shqipërinë që bëre Zonjë, o Ati ynë, brez pas brezi të qofshim falë! Të PAHARRUESHËM