Rama: I bëmë lëshime PD, ajo
na fton në luftë kundër SHBA-BE

Rama: I bëmë lëshime PD, ajo<br />na fton në luftë kundër SHBA-BE
Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë konferencës për shtyp se Partia Demokratike i ka shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Kreu i qeverisë foli për ofertën e fundit të mazhorancës, ndërsa la të kuptohej se PD s'do e pranojë as atë. Rama tha se mazhoranca i ka lënë në dorë PD-së që të bëjë ndryshime në paketën e reformës në drejtësi dhe pasi të ketë marrë miratimin e SHBA-BE, drafti të votohet në Kuvend.

"Po dëgjojmë që të flitet përçart. Unë kam bërë propozim të ri: Ne jemi gati të votojmë në 21 korrik çdo gjë që PD do fusë në draftin e reformës me kusht që të pranohet nga BE e SHBA për reformimin e drejtësisë për integrimin e vendit në BE. Ka më qartë e më shumë konsensus se kaq? Kam marrë raport për këtë; Kam qeshur, u dorëzova dhe nderi i Shqipërisë u vu në vend. Nuk dua të merrem me ta. Kam një SMS për qytetarët, për 4.4 milionë shqiptarët: Unë dhe bashkëpunëtorët e mi për reformën kemi bërë gjithçka që kemi në dorë për një reformë të thellë e çliruese dhe të miratohet bashkë me opozitën, kemi bërë lëshime, por pas këtyre, gjejmë ftesën për luftë kundër SHBA e BE. Kështu kuptohet kërkesa e sovranitetit për të përjashtuar partnerët nga reforma", u shpreh Rama. 

Ai theksoi se e dinte që në krye të herës frikën e PD ndaj drejtësisë, por të paimagjinueshme i cilësoi pretendimet mbi rrezikun e sovranitetit të Shqipërisë nga SHBA-BE.

"Unë e kam ditur që në ditën e parë që do vijmë në këtë ditë sot, iu kam thënë edhe partnerëve që kur të vijë drafti tek pragu do shohim e ça s’do shohim, e do dëgjojmë. E kam ditur se do jemi përballë frikës së PD, por s'më ka shkuar mendja se mbi këtë mur do varen fletërrufe mbi kërcënimin euro-amerikan. Tani del që problemi qenkan kthetrat e mëdha të superfuqive që duan të turren mbi “qingjat” e butë të drejtësisë në vend e t'i hanë duke na i marrë nga “vatha” që mezi e mblodhëm, ngritëm e mbajmë", theksoi ai. 

Rama solli edhe njëherë tjetër në vëmendje se pa reformën në drejtësi Shqipëria humbet shansin për t'iu afruar Bashkimit Europian.

"Do humbasim të tjera vite, që nuk dihet sesa, për tu rikthyer në sytë e aleatëve një hap larg nga hapja e negociatave me BE. Sovranistët po thonë se Ç'na duhet ne BE? Pa këtë reformë, ne mund të mbetemi sovran brenda shtëpisë sonë, por s'kemi shans të hyjmë në BE. Pa ketë reformë, do mbetemi prapa derës së BE që ka frymëzuar rrëzimin e diktaturës. Duke e refuzuar këtë reformë, do kthehemi në një hije në mes të Europës, do jemi vend i sunduar nga frika e të korruptuarve dhe i nënshtruar nga pushteti sovran i korrupsionit. Nuk ka asnjë vend që është anëtarësuar në BE duke zgjedhur çfarë i pëlqen e çfarë jo. Kjo është një prej tyre, PD, nuk ka reformë drejtësie të zbatuar në vendet e reja të BE ku të jetë përdorur sovraniteti për të mbajtur ndërkombëtarët jashtë sistemit", tha Rama.

Për të dytën herë brenda javës kryeministri Edi Rama e fton në takim kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, për të diskutuar qëndrimet ndaj reformës. "E pres në takim që nga sot e deri në orën 10 të datës 21 Korrik. Numrin tim të telefonit e ka", tha Rama. 

 Pretendimet e PD për cenimin e sovranitetit nga prania e ndërkombëtarëve në procesin e vettingut Rama i cilësoi alibi dhe frikë të opozitës nga reforma. Sipas tij, ekspertët e huaj janë rrezik i papërballueshëm për pushtetin sovran të korrupsionit.   

"Kërkesa e re e Partisë Demokratike dhe klithma e djeshme për mbrojtjen e sovranitetit nga rreziku i ri euro-amerikan janë dëshmi ulëritëse e së vërtetës se opozitarët tanë nuk u zhytën në Venecia për të nxjerrë nga goja e peshkaqenit drejtësinë. Pretendimi i tyre mbi nenin 55, e pastaj 88 ishte një alibi e montuar me idenë se ne nuk do hapnim rrugën e një kompromisi që nuk e cenon thelbin e reformës. Kur kjo alibi ra, si një kështjellë në rërë dhe vendosjes në tavolinë të formulës së Nuland, bëri alibi të re: rrezikun euro-amerikan. E ndihmuar nga “Sovranistë” të varur nga paratë e padeklaruara, po mundohet të bindë shqiptarët se vettingun e prokurorëve e gjyqtarëve mund ta bëjë më mirë duke ia lënë në dorë Gjonit e Ndrecës dhe jo ONM (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit). Ka një të vërtetë, përfshirja e partnerëve në reformë është rrezik i papërballueshëm për pushtetin sovran të korrupsionit mbi gjykatat, pushtetin e vrasësve të drejtësisë. E vërtetë, vettingu i mbështetur nga ndërkombëtarët ua heq çekimin nga dora këtyre kriminelëve dhe shemb shtetin sovran të korrupsionit në vend. Lufta e korrupsionit fillon me vettingun, por s'mbaron me të. Opozita e tmerruar nga drejtësia, s'do t'ia dijë për të vërtetën e madhe për këtë reformë duke menduar se mund ta bëjmë vetë. Kjo është reformë që përmes të cilës ne duam të integrohemi në BE", tha Rama. 

Sipas kryeministrit ndërkombëtarët janë garanci në procesin e vettingut pasi askush nuk mund tun kërkojë atyre favore për gjyqtarët që do t'i nënshtrohen kontrollit apo edhe ata të cilët do të emërohen. "Ndërkombëtarët nuk merren në telefon për t'i thënë kaloje Gjonin, kujdes Gjinin, shikoje pak Ladin, është një Januzaj, mirë është të kalojë si këto. Nuk i bëjnë ndërkombëtarët këto... Pse nuk e bëmë ne 25 vite rresht këtë punë kaq të dobishme? Pse u zvarritëm ne, nëpër arat e fushat e korrupsionit dhe ndërtuam një sistem më të korruptuari e diskredituari drejtësie në gjithë kontinentin", tha ai. 
 
Për të ilustruar sistemin e korruptuar të drejtësisë shqiptare, Rama tha se kjo drejtësi është e "aftë" të blejë Lionel Messin dhe ta sjellë të luajë me Kamzën e Mziut. 

"Kur se bëmë dot 25 vite me radhë, si mund ta bëjmë pastrimin e drejtësisë që e blejnë Lionel Messin dhe e sjellin të luajë me Kamzën e Xhelal Mziut", shtoi kreu i qeverisë. 

Deklaratë për mediat e Kryeministrit Edi Rama

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)

Skënder Minxhozi: Salianji i shpëtoi faqen PD (dhe vetes)