Rama i përgjigjet protestës së PD
'Propagandë e pushtet’humburve'

Rama i përgjigjet protestës së PD<br />'Propagandë e pushtet’humburve'
TIRANE – Dy ditë nga protesta e opozitës më 22 nëntor, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të komentojë një më një akuzat e ardhura nga kundërshtari i tij politik, kreu demokrat Lulzim Basha për rritje të taksave por edhe të kundërshtive për aksionet e fundit të qeverisë.

Duke theksuar se socialistët u votuan më 23 Qershor për të vendosur ligjin në vend, Rama thotë se vetëm duke respektuar rregullat do të rritet mirëqenia dhe punësimi.

E pikërisht aksionet e ndërmarra kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë, apo prishjes së ndërtimeve pa leje, thotë Rama, shprehin atë që duan vetë qytetarët që zbatojnë ligjin.

Rama: Punësimi e mirëqenia vjen vetëm duke respektuar rregullat
“Jemi votuar të bëjmë shtetin e qytetarëve që duan ligj, punë e mirëqenie, jo rrumpallë! Punësimi e mirëqenia rriten me respekt për rregullat”, shkruan Edi Rama.

Përmes disa statuseve në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook, kreu i qeverisë Edi Rama i kthen përgjigje opozitës për të gjitha sulmet e saj.

Rama: Jua them shqip “Nuk do të rritet çmimi në 12 Lek”
Përballë të gjitha zërave se do të ketë rritje të çmimit të energjisë në 12 lekë, kryeministri Rama tha se bëhet fjalë veçse për një gënjeshtër të Partisë Demokratike.
 
“Më pyesni si do ia bëni me çmimin e energjisë 12 Lek?! Po e deshët shqip: Kjo është rrenë SHQUP-i, po e deshët shqup dëgjoni pushtet’humburit!”

Rama: 95 % e shqiptarëve paguajnë më pak taksa se një vit më parë
Sa i përket akuzave për rritje të taksave, ku thotë se ndryshe nga një vit më parë, 95 % e shqiptarëve paguajnë më pak.  “Ankohet për rritje taksash kush s’paguan asnjë taksë! 95% e taksapaguesve shqiptare sot paguajnë më pak taksa se një vit më parë”, shkruan Rama.

Rama; Cmimet s’janë rritur, përkundrazi është rritur konsumi
Rama ka vijuar më tej me akuzat e rritjes së çmimeve, por thotë se kjo është vetëm propagandë e opozitës, pasi sipas tij në të vërtetë është rritur konsumi.

“Ankohet për rritje çmimesh kush dëgjon propagandën e pushtethumburve! Çmimet s’janë rritur, përkundrazi: Eshtë rritur konsumi”, shkruan kreu i qeverisë.

Rama: Cmimi i naftës më i ulët se vjet, nuk do të rritet
“Ankohet për rritje të naftës kush nuk sheh xhepin po SHQUP-in! Çmimi i naftës sot është më i ulët se vjet dhe as do të rritet”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Rama: Ankohen për çmimin e energjisë kush vjedh dritat
Më tej, kryeministri shpreh edhe njëherë qëndrimin e tij se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritur, por nga ana tjetër, aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme nga qytetarët dhe bizneset, do të vijojë, thotë Rama.

“Ankohet për çmimin e energjisë kush si paguan po i vjedh dritat! Çmimi i energjisë s’do rritet, operacioni kundër hajdutërisë do ashpërsohet”, shprehet kryeministri.

Rama: Shkulim çibanët e mbirë në rrugë, legalizojmë shtëpitë në zonat informale
Ndërsa sa i përket akuzave të opozitës se Inspektorati ndërtimor Urbanistik Kombëtar po shemb në mënyrë të selektuar ndërtimet pa leje dhe po lë pa prishur objektet e personave që kanë lidhje me qeverinë, Rama thotë se janë “janë mësuar të zënë shesh për përshesh”!

“Legalizime falas shtëpive në zonat informale, shkulje e çibanëve mbirë rrugëve”, përfundoi kryeministri.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës