Rama i përgjigjet pyetjeve të LSI:
Rrisim 40% pagat për mësuesit

Rama i përgjigjet pyetjeve të LSI:<br />Rrisim 40% pagat për mësuesit
Kuvendi vijoi punimet edhe gjatë pasdites së kësaj të hëne ku në fokus ishte sërish programit i qeverisë, por me pyetje drejtuar kryeministrit.

Rama nga foltorja nga foltorja i është përgjigjur 19 pyetjeve të LSI, duke e vënë theksin te pikat kyçe në ekonomi si arsimi, bujqësia dhe shëndetësia.

Gjatë përgjigjes së pyetjeve, munguan në seancë kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Rama tha se do të rrisë shpenzimet për shëndetësinë dhe pagat për mësuesit dhe infermierët do të jenë 40% më të larta 4 vitet e ardhshme.

“Vazhdojmë të shikojmë drejt shëndetësisë, me bindjen se për kujdesin shëndetësor të arrijmë 60-65 % të shpenzimeve, një shifër që e gjetëm vetëm 43 % në vitin 2013. Ne duhet të sigurohemi që askush të mos bëhet i varfër për shkak të shëndetësisë. Sa i përket Arsimit, kemi prioritet mbështetjen e mësuesve, rritjen e pagave të tyre deri në 40 % brenda këtij mandati", u shpreh Rama.  

Po ashtu, kreu i qeverisë bëri të ditur se të gjithë mjekët të cilët do të punojnë jashtë Tiranës nëpër spitalet rajonale dhe ato bashkiake, paga do të shkojë thuajse aq sa paguhen mjekët në Itali.

"Edhe për infermierët. Jemi duke punuar për një projekt financimi që të joshim mjekët specialistë që të punojnë edhe në rrethe. Është ende në diskutim. Një pagë e përafërt me atë të mjekëve në Itali”, tha Rama. 

Transformim tha Rama do pësojë edhe ndihma ekonomike e cila do quhet programi për integrim, ku parashikohet rritje e saj përtej kufirit 80 mijë lekë të vjetra në muaj për familjet pa të ardhura.



Rama ironi me Akademinë e Shkencave e LSI-në
Teksa po u përgjigjej pyetjeve për ujin, Rama nuk kurseu as ironitë me LSI-në dhe Akademinë e Shkencave.

Dy pyetjet e LSI për ujin ishin: "Premtimi juaj është që për 4 vitet e ardhshme do të mbulojmë plotësisht 75 % të nevojave për ujë në të gjithë territorin ? Çfarë do të thotë kjo? Po çfarë mund të ketë më të rëndësishme sesa uji për qytetarët shqiptarë?"

Ndërsa përgjigjja e kryeministrit Rama ishte: “Këtu ka një pyetje që unë nuk mund t’i përgjigjem dot, ndoshta vetëm Akademia e pareformuar e Shkencave mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. “Çfarë mund të ketë më të rëndësishme për shqiptarët se uji?”, tha Rama duke lexuar pyetjen që e cilësoi si emocionale.



Shkarkimet nga puna, Rama: Mbajmë asetet
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjes së LSI për largimet nga administrata publike. 

Rama tha do ketë vëmendje të veçantë që të mbajë çdo aset si në shërbimin civil ashtu edhe administratën publike. 

"S’e di cila është qeveria eksperimentale, mund të na e thotë autori. Mund të jetë një fantazi, mund të jetë një realitet, por këtë e di autori i pyetjes. Sa i përket largimit nga puna, mos u shqetësoni, administrata për ne është një aset, padiskutim që pjesa e shëndetshme e administratës është më e madhe se pjesa e kalbur dhe e gjitha në rikonstruksionin kryesor të mekanizmave qeverisës, do të ketë një vëmendje të posaçme për të ruajtur çdo aset me vlerë në administratën tonë, qoftë në shërbimin civil apo administratën shtetërore që funksionon me Kod Pune", tha Rama. 
 
Shëndetësia falas
Pyetjes se: “A do vijojë Shëndetësia falas, Rama iu përgjigj duke i kujtuar bashkëqeverisjen.

Ne s’jemi bërë pishman që qeverisëm bashkë 4 vjet, jo për këtë shërbim kaq të lartë të Shëndetësisë falas”,- tha Rama.

Minimumi jetik
Një tjetër pyetje drejtuar Ramës ka qenë ajo për përllogaritjen e minimumit jetik. 

"S’ka pasur përllogaritje zyrtare, sepse duhen marrë për bazë disa indikatorë, punësimi, asistenca sociale dhe duhet marrë për bazë pjesa e fshehur e parasë që paguhet por nuk deklarohet. Dhe ne e dimë që është një fenomen për t’u marrë shumë seriozisht". 


Rama i përgjigjet Dules për ndërtimet në Himarë
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i zgjedhur deputet nga lista e PD, ka pyetur kryeministrin Rama nëse plani për prishjen e ndërtimeve në Himarë cenon të drejtat e minoritetit grek atje. 

Kreu i qeverisë u përgjigj se nuk ka plan rregullues që bëhet për të dëmtuar interesat e të tjerëve, ndërsa solli në vëmendje se një prej drejtuesve të studios së projektimit është grek. 

"Në atë zonë është zhvilluar një proces krejt normal dhe integral. Në atë proces nuk ka asnjë interes, e kam thënë dhe e përsëris për të gjithë ata që janë të shqetësuar, qoftë edhe Vangjeli, që as vetë se di me kë parti është tani. Të sjellin një dokument të vetëm që tregon se në atë zonë ka një veprim asimetrik me çka ndodh nga Tropoja deri në Konispol.

Hera e parë që e dëgjoj që planifikimi, plani rregullues të bëhet për të dëmtuar interesat e dikujt. Kjo s’ka lidhje. Aq më tepër që studio e projektimit është e njohur dhe drejtuesi është një vëlla grek", u përgjigj kreu i qeverisë. 

19 pyetjet e LSI-së drejtuar kryeministrit Rama:
1. Cilat janë prioritet e qeverisë për investimet publike?

2. Sa % PBB do dedikohet për arsimin, shendetësinë dhe bujqësinë? Sepse nga programi nuk ka asnjë qartësi si do prioritarizohen me financime këto sektorë?

3. Si do të shpërndahet buxheti arsmit sipas sektorëve që e përbëjnë atë, cila nga ministritë është përgjegjësja për arsimin profesional?

4. Premtimi juaj është që për 4 vitet e ardhshme do të mbulojmë plotësisht 75 % të nevojave për ujë në të gjithë territorin ? Çfarë do të thotë kjo?

5. Po çfarë mund të ketë më të rëndësishme sesa uji për qytetarët shqiptarë?

6. Për familjet në nevojë cila është paketa sociale? Apo sërish do kemi paketën e lëmoshës?

7. Do kemi me shëndetësi falas apo qeveria është bërë pishman?

8. Ndërsa investimet për kanalizime dhe largimin e ujërave të ndotura urbane premtoni deri në fund të mandatit vetëm në nivelin 48%...cila është harta e investimeve?

9. Do kemi prapë në Sarandë, në Ksamil etj çarje të kanalizimeve në kulmin e sezonit turistik? Çfarë mund të ketë më prioritare sesa shërbimi me ujë dhe investime në kanalizime?

10. Po bujqësia si mund të konsiderohet sërish prioritet kur thoni që në 4 vitet e ardhshme do të buxhetojmë 25 miliardë lekë?

11. Rreth 200 milion euro në 4 vite, janë gati më pak seç buxhetohet sot 50 milion euro në vit? E dini këtë?

12. Sa projektohet të jetë minimumi jetik në 4 vitet e qeverisjes prej sot deri në mbyllje të mandatit?

13. Sa e ka impaktin në buxhet qeveria ekperimentale? Sa largime nga puna? Kosto?

14. Cilat do të jenë masat që do të merren nga qeveria për eleminimin e analfabetizmit funksional dhe braktisjes së shkollës?

15. Në kuadrin e integrimit europian, barazia gjinore dhe strategjia e luftës kundra dhunës janë çështje të kapitullit 23 te drejtësia, cila nga ministritë do të jetë ajo që do të ketë përgjegjësi për çështjet e barazisë gjinore, pasi në programin e paraqitur, asgjë nuk ishte e qartë?

16. Çfarë mekanizmi do përdorni për thithjen e 100 miliardë lekë investime?

17. Në program flisni për investime publike në energjitkë, rreth 50 miliardë. Ndërkohë premtoni korridorin Adriatik – Jonian i cili kërkon rreth 80 miliardë. A e keni bërë aritmetikën e këtyre investimeve?

18. Në program nuk përmendni trajtimin e mbetjeve. Nuk keni asnjë politikë për këto?

19. Në program nuk keni asnjë incentivë për punësimin?   

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)