Rama i unifikuar me Metën:
Aleanca do votojë në bllok “Pro”

Rama i unifikuar me Metën:<br />Aleanca do votojë në bllok “Pro”
Pavarësisht tezave politike të artikuluara pas propozimit të Metës për një qeveri ekspertësh dhe zgjedhje të parakohshme, koalicioni qeverisës duket se nuk ka asnjë ndasi sa i takon votës për reformën në drejtësi për ditën e nesërme.

Kryeministri Edi Rama në një dalje për mediat, kësaj radhe foli në emër të  koalicioni qeverisës, "Aleanca për Shqipërinë Europiane", dhe jo vetëm të grupit parlamentar të PS-së. Ai tha se ASHE do të votojë në bllok për reformën në drejtësi. Ai theksoi se mazhoranca i ka votat për ta kaluar reformën ditën e enjte.

Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të votojë në bllok për ta çuar faqebardhë vendin dhe popullin tonë në derën e negociatave për anëtarësim në BE. “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të votojë në bllok, për të mbrojtur dritën e të ardhmes për gjeneratën tjetër", u shpreh Rama.

Shefi i mazhorancës theksoi sërish se opozita është e mirëpritur për konsensus deri të enjten në orën 10:00, ndërsa kujtoi se e vetmja mundësi për dakordësi është drafti hibrid i propozuar nga Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Victoria Nuland.

"Kam qenë, jam dhe do të jem, deri në orën 10:00 të datës 21 korrik, i gatshëm për konsensus. Propozimi hibrid i paraqitur nga Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin parlamentar të 21 korrikut. E rikonfirmoj se deri në ora 10:00 të 21 korrikut, gatishmëria për të gjetur zgjidhje për këtë propozim, tashmë është e plotë. Ne 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë është shumë e qartë, ose të votojmë në emër të Shqipërisë, dhe njerëzve të këtij vendi, për të shpëtuar nga kthetrat e atyre që kanë marrë peng këtë vend, ose të veprojmë sipas frikës duke lejuar këtë pengmarrje shekullore, ose të votojmë faqebardhë për të mundësuar çeljen e negociatave e të ulemi në tryezën e BE, ose ta votojmë për faqen e zezë kundër SHBA e BE e ta bëjmë Shqipërinë vendin që do damkoset se refuzoi reformën strategjike për pastrimin e drejtësisë nga plehrat e korrupsionit. Ose të votojmë me konsensus të gjithë së bashku, ose të ndahemi në mbrojtës të dritës, e të errësirës", deklaroi Rama.

Ai tha se mazhoranca nuk mund t'i plotësojë kërkesën PD-së, për tu rreshtuar në një front kundër SHBA-së, ndërsa i bëri thirrje kryetarit të PD, Lulzim Basha, që të sillet si lider.

"I bëj thirrje kryetarit të Partisë Demokratike që të sillet si lider, se ka mbi supe përgjegjësinë e një barre, nga ato që historia nuk i sjell përditë në udhëheqjen e një opozite. I kemi plotësuar opozitës kërkesën themelore për barazi të plotë në realizimin e reformës, por nuk mund t'ia plotësojmë dot kërkesën për tu bashkuar në një front kundër SHBA-së. "Vija e kuqe" e tyre është vija mbrojtëse për Shqipërinë e shqiptarët, e cila garanton fshesën mbi të korruptuarit në sistemin e drejtësisë. PD ka fituar në këtë proces të gjithë atë që i takon, dhe sinqerisht e komplimentoj Lulzim Bashën për rrekjen e tij për gjithë atë që kanë arritur, por PD nuk mund të marrë atë që nuk i takon",-tha Rama. Apeli i kreut të qeverisë shkon për të gjitha forcat politike në parlament, që në 21 Korrik të votojnë së bashku reformën, për tu dhënë një mesazh të gjithë qytetarëve shqiptarë se kur politika është unike, gjithçka është e arritshme. "Le të bashkojmë forcat individuale, partitë në parlament, të dyja koalicionet dhe me dy krahët lart të ngrejmë shpresën e shqiptarëve që përfaqësojmë për të votuar reformën në drejtësi dhe për tu dhënë të gjithëve mesazhin se s'ka asgjë të pamundur kur të gjithë jemi bashkë",-theksoi kryeministri Rama.

Deklaratë për mediat e Kryeministrit Edi Rama:

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar

Mbi 9 mijë gjoba për një javë, Rrugorja bën bilancin: 22 shoferë të arrestuar