“Kjo mbështetje që do të marrë formë me këtë paketë vjen në bazë të analizës me shumë përgjegjshmëri nga ana e qeverisë të të gjitha kërkesave nga ana e industrisë dhe në bazë të procesit të sintezës së këtyre propozimeve dhe jo në bazë të një diktati tradicional nga ana e qeverisë. Hapi i parë ka qenë ndërtimi i një konsultimi të gjerë me të gjithë ju dhe kemi marrë një për një të gjithë listën e propozimeve të bërë nga takimet që janë organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, dhe sot jemi këtu për të thënë që jemi gati të celim një kapitull të ri për industrinë. Pa kontributin e të gjithëve ju kjo do të ishte praktikisht e pamundur”, u shpreh kreu i qeverisë.
RAMA: BIZNESI FASON DO TE PERFITOJE NGA PAKETA E RE FISKALE
Sipas kryeministrit, “modeli ekonomik i deri sotëm i bazuar mbi remitancat e emigrantëve, industrinë e mjedisit, e marrjes së kredive të dhunshme nga qeveria prej biznesit, si borxhe që nuk shlyheshin ka përfunduar. Ne do shikojmë nga burimet e reja të rritjes dhe padyshim që është dhe ky sektor dhe ai i manifakturës në përgjithësi”.
“Është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që kountribuojnë në këtë industri, duhet që të bashkëpunojnë me AIDA-n, për të promovuar markën Made in Albania, përmes një fondi special dhe pjesëmarrjen në panairet ndërkombëtare. Do të krijojmë edhe një show room për prezantimin e biznesit fason”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Duke prezantuar nismën për fasonët, kryeministri tha se, “deklarimi i punonjësve do të bëhet online dhe koha do të shkurtohet në 10 ditë. Duhet ta mbështesim industrinë me burime njerëzore me kurse profesionale të drejtuar nga praktika në punë dhe këtu vjen një pjesë e rëndësishme se si do të kountribuoni ju nga shteti”.
“Një tjetër gjë është që paratë që ju keni paguar në shtet ti kthejmë sërish në favor të biznesit tuaj fason. Ai fond që do të krijohet nga të ardhurat tuaja do të jetë sërish në dispozicionin tuaj”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, do të hapen 3 shkolla profesionale në tre qytete të vendit dhe shkollat do të jenë ngushtësit të lidhura me fabrikën. “Jemi duke negociuar me KFW dhe Kooperacione Italiane me një fond prej rreth 37 milionë euro dhe një pjesë e konsiderueshme do të shkojë për ju”, tha Rama.
NDERHYRJE NE KODIN DOGANOR PER BIZNESIN FASON
Kryeministri Edi Rama tha se, do të bëhet një ndërhyrje emergjente në kodin doganor që ky sektor të përfitojë që tani. “Jemi në diskutime për mënyrën se si do të trajtohen mbetjet, firot dhe kjo në kodin doganor është e zgjidhur, por që do të hyjë në fuqi në vitin 2015. Por s’ka kohë për të pritur. Prandaj do bëjmë një ndërhyrje në kodin ekzistues për të trajtuar këtë problem”, nënvizoi Rama.
BIZNESI FASON MBROHET NGA SHTETI ME MISH DHE SHPIRT
Ai ka kërkuar edhe bashkëpunim të biznesit për të shkuar përpara. “Ne mund të shkojmë shumë përpara nëse arrijmë sinergjinë mes biznesit dhe industrisë. Ne jemi të gatshëm për këtë betejë por na duhet ndihma dhe mbështetja juaj. Të gjithë nëpunësit shtetëror duhet ta marrin të qartë mesazhin që kjo është një industri që mbrohet me mish e me shpirt nga shteti” deklaroi Rama.
Për kryeministrin, “me këtë paketë Shqipëria vendoset në hartën e vendeve prodhuese në Europë, jo vetëm si vend i afërt por edhe si prodhues aktiv. Kemi shumë kërkesa, nga Italia, Franca, Gjermania për të investuar. Jemi të bindur se pjesa më e madhe e kompanive tuaja janë të gatshme që të zgjerohen, të krijojnë kushtet për të arritur në ato numra të punësimit që kemi objektiv dhe prandaj ne do mbështesin çdo njërën prej kompanive tuaja me fonde të posaçme”.
“Kjo është eksperienca e parë konkrete me një industri për një paketë të veçantë. Ishte një eksperiencë për të kuptuar se, sa shumë kohë dhe mundësi janë humbur nga qeveria vetëm se nuk ka pasur kohë për të dëgjuar dhe se sa shumë mund të bëhet duke shfrytëzuar eksperiencën e territorit”. Në fund kryeministrit Edi Rama tha se, çdo ndihmë, sygjerim dhe koment i juaji do të jetë i mirëpritur dhe i pranuar. Shteti nuk mund të jetë përgjigja si punëdhënësi më i madh, por biznesi dhe industria.
AHMETAJ: SYNIMI YNE ESHTE PUNESIMI I 100 MIJE PERSONAVE NE 3 VITE
Duke folur në prezantimin e paketës fiskale për fasonët, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se, nga ky biznes janë bërë 54 propozime. Sipas tij, qeveria ka përgatitur paketën që 3 viteve të ardhshme do të punësojë 100 mijë persona.
“Rritja e punësimit është një nga objektivat e qeverisë Rama dhe që është i arritshëm. Në vizitat që kemi pasur në fasonët janë hapur 2 mijë vende pune të reja. Objektivi është të hapen 12-15 mijë vende pune. Në vitin e dytë të shkojë në 60 mijë dhe në vitin e tretë të shkojë në 100 mijë të punës”, deklaroi ministri i Ekonomisë.
“6 muaj më parë premtuam se, biznesi fason do të merrte vëmendjen e qeverisë dhe ky është një premtim i mbajtur. Kompanitë ne i shikojmë si gjenerator i punësimit dhe jo si lopë për tu mjelë. Biznesi fason gjeneron shumë vende pune”, tha Ahmetaj.
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjithashtu vuri theksin edhe në rritje ne eksportit. “Në vitin e parë ne synojmë që të rrisim eksportet në 590, ndërsa në vitin e tretë nga kjo industrit të eksportojmë 900 milionë euro”.
DISA NGA PROPOZIMET E BIZNESIT FASON:
Qeveria Rama ka marrë një vendim për dhënien 1 euro për metra katrorë gjatë gjithë vitit dhe të përfitoni nga rreth 24 milionë lekë.
Në doganë tani do të harxhoni vetëm 4-5 orë, nga 3-4 ditë apo dhe një javë duke u marrë me doganën.
Rimbursimi i TVSH-së, përfitohet menjëherë nëse tatim paguesi të jetë me risk zero. Impakti financiar do të jetë rreth 1 milionë dollarë.
Tani do të keni procedura të lehta për certefikatën e origjinës Made in Albania.
Paketa e punësimit ju lejon që të adresoni ato probleme që ju keni pasur.
Shuma e tatim-fitimit që shteti përfiton nga ju, kthehet në favorin tuaj dhe të punësimit dhe shkon deri në 5 milionë dollarë në vit.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)