TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzat e artikuluara nga Partia Demokratike, se ka shpenzuar 120 mijë euro karburant për udhëtime me charter. Në një video, ku e ka ndërtuar në formën e një interviste dhe ka vënë deputeten Oriola Pampuri në rolin e gazetares, Rama i është përgjigjur një e nga një pyetjeve.

Ai ka sqaruar se ai udhëton për qëllime private me shpenzimet e tij dhe mbi të gjitha me një biletë ekonomike, në ndryshim nga paraardhësit e tij.

Ndalur te shuma e thënë se shpenzon 120 mijë euro karburant, Rama tha se kjo është produkt i matematikës "7x7 brava = 42 fluturime", referuar këtu gafës së bërë më herët nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Akuza e PD: Rama ka udhëtuar me charter privat, jo për të zgjidhur ndonjë hall të shqiptarëve por për qejfet e veta.  Edi Rama harxhon paratë e taksave të shqiptarëve.
Rama: Në fakt jo, unë jam i pari kryeministër në këtë vend që udhëtimet e mia shumë të rralla private me familjen, nuk i bëj kurrë me shpenzimet e shtetit. 

Akuza e PD: A përdore charterin privat  për të dhënë intervistë per ”Manager Magazine”? 
Rama
: Jo, kam përdorur me bilete vajtje-ardhje, ulëset ekonomike të Lufthanses, së bashku me gruan dhe djalin e vogël. 

Akuza e PD: Sa para ke shpenzuar vetëm për charterin në këtë udhëtim luksi? 
Rama
: Bileta ekonomike e Lufthanses ka kushtuar 345 Euro. 

Akuza e PD: Kush ka firmosur për udhëtimet e tij?  Kush i ka paguar ato? 
Rama
:Mesatarja vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare, të cilat paguhen nga fondi i kryeministrisë, është më e ulët se sa mesatarja vjetore e shpenzimeve të paraardhësve të mi, për arsyen e thjeshtë se ata udhëtonin në business class ndërsa unë kam udhëtuar thuajse tërësisht në ekonomik, me perjashtim të ndonje rasti të veçantë - e njejta gjë edhe për ministrat. Ndërkohë qysh prej vitit 2020, kur kishim presidencën e OSBE, u bë një marrëveshje me kompanine Air Albania dhe shpenzimi për vitin 2021 ishte nën mesataren e viteve të mëparshme. 

Akuza e PD: Vetëm për karburantin e një udhëtimi qejfi të Edi Ramës, harxhohen 120 mijë euro nga paratë e shqiptarëve.
Rama
:Sasia më e lartë vjetore e shpenzimeve për udhëtimet e mia zyrtare ka qene 4.623.089 lek në vitin 2014. Ndërsa shifra 120 mijë euro karburant për fluturim privat, është produkt i të njëjtës aritmetike fantastiko-shkencore, që nga 1958 uleset e Pallatit te Kongreseve nxorri 5004 delegate. Po t'i shumëzosh këta delegatë me 30 dhe pastaj të zbresësh 30, dalin fiks 120 mijë euro karburant për 7x7 brava, baraz 42 fluturime.