Rama: Investitorët e huaj nuk
janë larguar, po rrisin fitimet

Rama: Investitorët e huaj nuk<br />janë larguar, po rrisin fitimet
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot deklaratave të ambasadorëve të një dite më parë, se nga Shqipëria po largohen investitorët e huaj. Kreu i qeverisë theksoi se asnjë kompani e huaj nuk është larguar nga vendi. "Kush investitorë po ikën? Kush janë? Më thoni një. Bankers nuk po ikën, por po shitet, që do të thotë se po fiton. Bankers po vijon të punojë e do të ketë të gjithë mbështetjen tonë. Nuk ka gjerman në aeroportin e Rinasit. Gjermanët e kanë shitur me kohë pjesën e tyre e kanë thjesht një administrator. Dhe po shesin, shumë më tepër sesa e morën. Do t'i ndalojmë gjermanët e amerikanët të shesin? Këtu ka forca brenda biznesit që janë mësuar të hapin dyert për interesat e tyre e bëjnë çfarë të duan", u shpreh Rama.
 
Duke folur në konferencën "Reforma në ekonomi dhe klima e Biznesit”, Rama tha se fitimet e kompanive po rriten dhe kjo ka ardhur si rezultat i reformave të qeverisë në luftën kundër informalitetit. "Këtu në sallë ka edhe disa që kanë dalë kundër aksionit për informalitetin. Përfaqësues dhomash tregtie që kanë qenë kundër. Si do të kishim regjistruar ne 42 mijë biznese të reja, që për herë të parë pranonin t'i nënshtroheshin ligjeve të këtij vendi. Rezultatet flasin që ishte jo vetëm i domosdoshëm por ishte një ilaç shumë i rëndësishëm për të kuruar, se për të shëruar ndoshta s'do shërohet kurrë, se kemi dy vëllezër të mëdhenj, italianët e grekët e me këta do të kemi marrëdhënie flirtuale me informalitetin me të madhe se po të kishim vëllezër gjermanët apo anglezët. Këtu gjithmonë e më shumë po shtrëngohet rrethi i lirisë për të mos paguar. S'mund ta kuptoj dot që fitimet e kompanive janë rritur, si ka mundësi? Nëse ne do të kishim një situatë pesimiste në ekonomi, këto rezultojnë me rritje. Pjesë e kësaj rritje është edhe dalja nga zona informale në zonën formale. Kemi kompani shumë të mëdha që kanë bërë namin duke punuar si pika pakice. Nuk i fajësojmë, ka qenë koha, kështu ishte koha dhe nga ana tjetër kompanitë janë në treg për të fituar, jo për të vendosur ligjin, është detyra jonë kjo. Nëse sot kemi një rritje të volumit të deklaruar, dhe një ulje të informalitetit kjo s'është diçka për tu gëzuar, për kompanitë apo sipërmarrjen e mësuara duke ia hedhur shtetit, por është diçka për tu nënvizuar si një hap i rëndësishëm përpara për të vendosur një konkurrencë të lirë e të ndershme në treg", theksoi kryeministri Rama.
 
Ai theksoi se s'do ketë trajtime preferenciale për biznesin që operon në vend, pasi të gjithë do të jenë të barabartë në shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit. Kompania Bankers, shtoi Rama, nuk kishte shlyer taksat prej vitesh, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare i dha të drejtë Shqipërisë në këtë proces.
 
"Çështja e Bankers është shumë e thjeshtë. S'besojmë se një kompani e huaj pse është me flamur kanadez, amerikan apo gjerman, ka të drejtën të mos paguajë taksa në Shqipëri. Nuk e besojmë këtë. Fakti që kjo kompani mund të organizojë lobingje për ta bërë këtë kompani të paprekshme, por kjo kompani nuk paguante taksat. Ne bëmë thjesht e vetëm detyrën tonë. Si mund t'i kërkojë kompania qeverisë që t'i thotë tatimeve lere mënjanë atë se ai është investitor i huaj e na prishet imazhi? Në cilin vend të BE bëhet kjo? Kush mund ta shikojë kush në ëndërr që t'i shkojë Angela Merkelit e t'i thotë, këtë kompani lere mënjanë se është kompani e një vendi partner? Pse kjo është kaq e lehtë në Shqipëri? Çfarë është Shqipëria? S'do e bëja këtë debat nëse Gjykata Ndërkombëtare s'do i kishte dhënë të drejtë Shqipërisë. E fituam në gjykatë. Ne kërkuam një marrëveshje që kompania të paguante taksat", tha Rama.
 
Shefi i ekzekutivit e cilësoi dhe njëherë tjetër themelore për mbarëvajtjen e tërësisë së reformave, reformën në sistemin e drejtësisë. "Reforma në drejtësi është themelore për t'i dhënë të gjitha reformave të tjera qëndrueshmëri. Kam patur disa kontakte nga disa kompani që kanë hasur në arbitraritete të paimagjinueshme në gjykatë. Besoj shumë se duhet të ndajmë një bindje, Shqipëria nuk mund të bëhet vendi që duam nëse informaliteti, privilegjet dhe shpejtësitë e ndryshme të siguruara përmes korsive preferenciale nuk do të luftohen përditë dhe kudo", tha Rama.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501

Spahiu: Masakra betonimit në bregdet buron nga ligji turpshëm i pronave 7501