Rama-investitorëve: Çka mungon
në Itali, gjendet në Shqipëri

Rama-investitorëve: Çka mungon<br />në Itali, gjendet në Shqipëri
LOMBARDI- Kryeministri Edi Rama në vizitën e tij në Itali ka ftuar sipërmarrësit e Lombardisë të investojnë në Shqipëri. Ky rrugëtim i kryeministrit Rama, ka nisur në rajonin e Puglias, për të vijuar në Romë në takimin me Konfindustria-n i bërë disa javë më parë. Turi dyditor i kryeministrit të vendit, më 31 janar dhe 1 shkurt, vazhdoi në Rajonin e Lombardisë. Kjo vizitë kishte si qëllim prezantimin e Shqipërisë si një horizont i ri për investitorët italianë.

Gjatë takimit që zhvilloi në Milano me përfaqësues të grupit "Bosch", kryeministri Rama ka folur fillimisht për reformat e ndërmarra në pak muaj qeverisjeje. Rama tha se këto reforma kanë të bëjnë me afrimin e Shqipërisë me Europën, dhe konsistojnë në një luftë me krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, luftë kundër korrupsionit, si dhe reformat administrative që ndikojnë në thithjen e investimeve e huaja, si dhe reformat strukturore të kërkuara për aderimin në Europë.

Duke iu përgjigjur interesit të lartë të investitorëve italianë të organizuar në takim nga Grupi "Bosch", Kryeministri u shpreh se nga njëra anë është nevoja e kompanive italiane për t’u ndërkombëtarizuar dhe nga ana tjetër Shqipëria është akoma një vend për t’u eksploruar, që ofron shumë lehtësira për këto kompani. Afërsia gjeografike, kosto e ulët e fuqisë punëtore dhe sistemi i taksave, por edhe mbështetja e fortë e qeverisë për çdo investim që krijon vende pune ishin disa pika kyçe që kryeministri Edi Rama ua prezantoi si thelbësore investitorëve italianë për t’i tërhequr ata të vijnë drejt vendit tonë.
 
"Arsyeja pse ne jemi këtu, është para së gjithash, se nevoja jonë për investime është e lidhur nga njëra anë për të zhvilluar sektorët përkatës dhe nga ana tjetër për të hapur vende të reja pune. Çdo investim që krijon vende të reja pune, për ne është prioritet", tha Rama.
 
 Kryeministri Rama, është shprehur se investitorëve italianë do u vihen në dispozicion depo dhe baza ushtarake të vjetra dhe se kostoja e qirasë do të jetë vetëm një euro për gjithë jetën.

Ndërsa në takimin e zhvilluar me shoqatën e Investitorëve "Assolombarda", kryeministri Rama është përqendruar në mundësitë që ofron Shqipëria në investime hidroenergjetike, turizëm, infrastrukturë dhe bujqësi.

“Jemi të bindur se Shqipëria paraqet një botë të re për sipërmarrjen italiane. Pasi ajo që mungon në Itali, gjendet në Shqipëri. Shqipëria është një vend shumë i pasur në burime ujore. Ajo është vendi i dytë, më i pasur në Europë, pas Norvegjisë me një potencial të lartë hidroenergjetik. Gjithashtu kemi pasur tashmë kontaktet e para me ndërmarrjet bujqësore italiane që janë të interesuara të sjellin ose e kanë sjellë tashmë një pjesë të sipërmarrjes të tyre në Shqipëri. Të investosh në Shqipëri, nuk do të thotë të investosh vetëm aty, sepse në ditët e sotme ka një realitet të ri gjeopolitik pas vendosjes së marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ka mbyllur epokën e konflikteve në rajon. Dhe e ka shndërruar rajonin në një platformë të re të zhvillimit ekonomik dhe të bashkëpunimit rajonal. Sepse nuk është vetëm Kosova, një shtet tjetër me shqiptarë, me të cilin ne kemi një bashkëpunim më të ngushtë gjithnjë e më shumë, por gjithashtu është edhe pjesa tjetër e rajonit”, u shpreh Rama.
 
Kryeministri Edi Rama, vizitën e tij në Milano e ka mbyllur me vizitën e zhvilluar në Institutin Europian të Onkologjisë. Qëllimi i kësaj vizite, ishte ndërmarrja e iniciativës për të promovuar strategji në parandalimin e sëmundjeve tumorale, mbi të gjitha këtyre sëmundjeve te gratë dhe vajzat. Kjo vizitë dhe takimi me drejtuesit e këtij institucioni ishte për të vendosur pika bashkëpunimi me një nga qendrat e ekselencës ndërkombëtare.
 
Në këtë vizitë Kryeministri Edi Rama shoqërohej nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, si dhe deputetët Artan Gaci, Blendi Klosi e Taulant Balla.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime në të gjithë territorin, si parashikohet moti sot

Kthjellime në të gjithë territorin, si parashikohet moti sot