ITALI- Kryeministri Edi Rama fton investitorët italianë që të vijnë në Shqipëri dhe të marrin tokë me qira 1 euro metri katror, madje përjetësisht. Kështu i ka nisur takimet e tij me sipërmarrësit e rajonit te Lombardisë kryeministri shqiptar. Sipas agjensisë së lajmeve ANSA nga selia e kompanisë Bosch kreu i qeverisë Rama ka deklaruar se Shqipëria është gati, për të mirëpritur ndërmarrjet italiane, duke iu ofruar hapësira me qira për një euro për të gjithë jetën.

“Kryeministri tha jemi të gatshëm për të mirëpritur sipërmarrësit italianë ku mund të vihen në dispozicion struktura ekzistuese për tu rikostruktuar, siç mund të jenë kapanone, depo dhe baza ushtarake, objekte që do të merren me qira për një euro pavarësisht nga metrat katror, kontrata të përjetshme këto që do të zgjasin përgjithmonë”, citon ANSA. Në axhendën parashikohet të zhvillohet edhe një takim në ndërmarrjen “Assolombarda”. Më herët kreu i ekzekutivit shqiptar në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve ANSA u shpreh se "Shqipëria mund të jetë një horizont i ri për investimet italiane".

Po ashtu po në këtë intervistë kryeministri Rama tha se “do të përqëndrohemi për të nisur investime që krijojnë vende pune, si në sektorin e prodhimit, bujqësisë dhe turizmit”, në kuadër të programit të qeverisë së tij, ku parashikohet se do të ofrojë vende pune për 300 mijë shqiptare. Për këtë çështje, Kreu i Qeverisë shqiptare ndodhet në Milano, etapa e tretë e turit të tij italian me qëllim thithjen e investimeve. “Kemi disa kërkesa nga sipërmarrësit, sidomos nga ata që kanë fabrika, por edhe nga sipërmarrësit puljezë të energjisë së rinovueshme”, theksoi Rama. “Kompania ‘Bosch’ duhet të hapë një qendër formimi profesional në Tiranë”, u shpreh ai, duke këmbëngulur sërish në shtimin e vendeve të punës përmes rritjes së investimeve në disa sektorë.
 
Onkologjia
Sot pritet që shefi i qeverisë Rama të bëjë një vizitë në Institutin European të Onkologjisë, ku do takohet me themeluesin e tij Umberto Veronesi. Sipas këtij institucioni bëhet me dije se kryeministri shqiptar, ka ndërmarrë iniciativën për të promovuar strategji në parandalimin e sëmundjeve tumorale, mbi të gjitha përsa i përket botës femërore dhe për të favorizuar evolucionin e cilësisë së strukturave sanitare, falë bashkëpunimeve me qendrat e ekselencës ndërkombëtare. Pas vizitave të tij në muajin dhjetor në Rajonin e Puglia-s dhe në Romë, Milano është qyteti i tretë ku kreu i qeverisë shqiptare kërkon të prezantojë Shqipërinë dhe mundësitë që mund t`i ofrojë ky vend sipërmarrësve italianë.


Shkrimi u publikua sot (01.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)