“Ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar për mbarëvjajten e popullsisë shqiptare në Maqedoni” - ishte deklarata e Ramës. Nga ana e tij, presidenti maqedonas e ka vënë theksin në rrugën e vendve të rajonit drejt Bashkimit Europian.
EDI RAMA: TË ZBATOHEN MARRËVESHJET
"I urova mirëseardhjen në këtë godinë dhe shkëmbyem pikëpamjet për bashkëpunimin mes vendeve tona dhe rrugën e përbashkët drejt të ardhmes europiane. Për ne, integriteti i Maqedonisë është shumë i rëndësishëm. Për ne ka një rëndësi të dorës së parë mbarëvajtja e Maqedonisë jo vetëm sepse në Maqedoni jeton një pjesë e popullsisë shqiptare por sepse Maqedonia është një pjesë shumë e rëndësishme e mbarëvajtjes së rajonit tonë.”- tha kryeministri Edi Rama gjatë deklaratës së tij.
Sipas tij Shqipëria është e interesuar për bashkëpunimin mes dy vendeve. “Jemi të interesuar për të vazhduar bashkëpunimin mes dy qeverive. Kjo është një kohë e re pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, që hap një dritare të re për rajonin, dhe Shqipëria e Maqedonia duhet të shikojnë përpara me ide dhe projekte të reja”, tha Rama.
Duke folur për shqiptarët në Maqedoni, Rama kërkoi repsketim të marrëveshjeve të nëshkruara vitet e kaluara ndërkohë që premtoi që edhe pakicat maqedonase në Shqipëri do të trajtohen me shumë vëmendje.
“Nga ana tjetër ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar për mbarëvjajten e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Presidenti Ivanov më shprehu shqetësimin e tij të ketë më shumë vëmendje dhe hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri. Unë e marr këtë mesazh jo vetëm si detyrim, por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që vetë nuk e plotësojmë për të tjerët”, tha në deklaratën e tij, kryeministri Edi Rama.
“Unë dua të shpresoj dhe besoj se së bashku si fqinj dhe miq do të çojmë përpara një proces bashkëpunimi ku e përsëris edhe një herë që implementimi i marrëveshjes për të harmonizuar bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe maqedonasve do të jetë i padiskutueshëm”, përfundoi deklaratën e tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
IVANOV: RRUGA DREJT BE ËSHTË E PËRBASHKËT
“Shfrytëzova vizitën time në Shqipëri që të takoja edhe kryeministrin e ri dhe gëzohem se në këtë ditë të parë pune, mysafiri i parë jam unë. Pikërisht kjo është një fqinjësi e mirë për të bërë urimet e para dhe për të rënë darkord për ato që do bëjmë më tej. I dorëzova edhe ftesën zyrtare nga kryeministri jonë për një vizitë në Maqedoni”, tha në fjalën e tij, Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov.
Ivanov tha se me kryeministrin Rama është biseduar për çështjet e rajonit. “Biseduam për çështje që na preokupojnë neve si rajon, sepse bëhet fjalë për çështje rajonale dhe të shteteve të tij e gjithë kjo në favor të mirëqënies së qytetarëve tanë. Qytetarët kanë nevojë për komunikim, biznes, për të njohur më mirë njëri-tjetrin, apo edhe pushime të përbashkëta. Na presin projekte të përbashkëta për të gjihë ata që jetojnë në këtë rajon”, tha Ivanov.
Presidenti maqedonas tha se rruga drejt BE-së, mund të ndihmojë rajonin më shumë.
“Rruga drejt BE e ndryshon realitin tonë pasi të gjithë e kujtojnë të kaluarën dhe kjo është hera e parë që diçka na bashkon në të ardhmen, që na bën që të na ndihmojë për plotësimin e kushteve për të ardhmen europiane. Duke qenë të përkushtuar në rrugën drejt BE-së, kjo gjë ua ngushton rrugën njerëzve që duan ti bëjnë keq vendeve të rajonit”.
“Jetojmë në një kohë ku nuk mund të blokohet komunikimi mes vendeve. Jeton në një brez që nuk ka durim të kalojë orë të caktuara për të shkuar në një vend. Këtij vendi duhet ti japim një rrugë të re. Rrugë të reja, kabllo të reja, internet të ri, gazësjellës të ri, etj. Kjo është ajo që i detyrohemi brezit të ardhshëm, ata do na kujtojnë nga kjo që do bëjmë sot”, përfundoi fjalën e tij, presidenti maqedonas, George Ivanov.
Redaksia online
(Artan Cena/shqiptarja.com)