TIRANË- Kryeministri Edi Rama për herë të parë tregoi mundësinë që Shqipëria të jetë bashkëfinancuese, e start up-it më të ri të Mira Muratit në fushën e inteligjencës artificiale quajtur, Thinking Machines Lab. Gjatë një vizite në një kompani, kreu i qeverisë tha se ka ardhur koha që shteti të ‘hyjë’ nëpër kompani, që të ndihmojë në financimin e tyre, por që të ketë gjithashtu edhe përfitimin e tij.

Kështu, kreu i qeverisë zbuloi se një propozim të tillë ia ka parashtruar edhe shqiptares Mira Muratit. Rama zbuloi pak nga biseda me Muratin, duke thënë se ajo i ka thënë “patjetër”, ndërsa një propozim të tillë shqiptares ia kanë ofruar edhe 3 shtete të tjera.

Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër. Më tha se janë tre shtete që më kanë bërë ofertën. . Ka ardhur koha që të hyjmë në këtë lojë, se edhe në rastin tonë me kompanitë tona, edhe start up-i është i mirë për të ndihmuar në fazën A kur tjetri s’ka asnjë gjë dhe vetëm një ide. Ne të bashkëpunojmë, që të keni një produkt që mund ta përdorni ku të doni.  Dhe në fund fare shteti kushton më pak.”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri ripërsëriti deklaratën e tij se Mira Muratit i ka kërkuar ndihmë që të ndihmojë vendin tonë për t’u integruar në BE. Shqipëria po e përdor Inteligjencën Artificiale në përkthimin dhe njësimin e legjislacionit tonë me atë europian.

“ I thashë që do ta ndihmosh Shqipërinë të futet në BE? Kujtoi se po bëj humor. I thashë e kam seriozisht. I thashë mesa kuptoj unë se ti mund të na ndihmosh të futemi në BE më shpejt. Pjesa që ti s’ke nga ikën fare me BE është merr 250 mijë faqe, ktheji dhe silli këtej. Edhe ne kështu ishim përgatitur, të gjithë vendet kur fillojnë negociatat bëjnë një ushtri me përkthyes. E dyta i thashë do ta ndihmosh Shqipërinë të luftojë korrupsionin? I thashë prokurimet.  Ne kemi krijuar një sistem që termat e referencës nuk mund t’i hedhësh më në publik pa kaluar te agjencia e Prokurimit Publik, por prapë është manuale. Kemi filluar ne me këtë.”, tha Rama.