Rama: Kam folur për LGBT që
në vitet ’90-të

Rama: Kam folur për LGBT që <br />në vitet ’90-të
TIRANË - Edi Rama ka pritur sot dy drejtues të lëvizjes LGBT në Shqipëri; Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi. Takimi është zhvilluar në mesditë në zyrën e Ramës në katin e dytë të selisë së PS. Ky ishte takimi i parë që kreu i të majtës shqiptare zhvilloi me përfaqësues të komunitetit LGBT.

AKTIVISTËT: TË ZHGËNJYER NËSE PSNUK MBËSHTET LGBT

“Në grupet tona sociale dhjetëra pjesëtarë të komunitetit LGBT kanë pritshmëri të larta ndaj PS”, i thanë aktivistët zotit Rama. “Ata janë të vëmendshëm për çdo gjë që ju thoni dhe sigurisht do të ishte zhgënjim shumë i madh në rast se ju nuk mbështesni publikisht të drejtat e LGBT, si një grupim që jeton ende mes frikës dhe izolimit”.

RAMA: KAM FOLUR QË NË VITET ’90-TË PËR LGBT

Rama u shpreh që në fillim se ka qenë ndër të parët, që ka folur për çështjet e LGBT që në fillim të viteve ’90-të, “atëherë kur këtu të quanin homoseksual, nëse flisje për çështje të tilla”.

RAMA: SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR DEBAT EMANCIPUES

Kreu i socialistëve u shpjegoi aktivistëve se, Shqipëria ka nevojë për një debat emancipues në lidhje me LGBT. Ai u shpreh pro të drejtës së bashkëjetesës, kurse në lidhje me çështjen e martesave mes së njëtës gjini, pranoi se më parë duhet përgatitur shoqëria dhe duhet përgatitur terreni për të patur debate të frutshme dhe sidomos informim. “Shoqëria mund të mos jetë asnjehërë gati, por është roli i liderëve që ta ndihmojnë dhe ta përgatisin atë”, ishin të mendimit Karaj dhe Pinderi. Zoti Rama ishte për një rol më aktiv të institucioneve shtetërore në lidhje me luftën kundër diskriminimit.

DUHEN MË SHUMË AKTIVITETE TË LGBT

Ai i siguroi aktivistët se brenda dy viteve të para të qeverisjes socialiste, do të ketë një projekt të planifikuar me kujdes dhe maturi për të integruar komunitetin LGBT, për të eliminuar format e diskriminimit, por sidomos për të informuar dhe kulturuar shoqërinë. Ai shtoi se tashmë është e nevojshme që të organizohen sa më shumë aktivitete publike të komunitetit. “Ju keni avokatë shumë të përkushtuar ndaj kauzës suaj, brenda PS”, tha
Rama, duke patur parasysh veten e tij së pari dhe znj. Eglantina Gjermeni,
Vasilika Hysi, Olta Xhacka etj.

MASAT E PS PËR LGBT

Në kapitullin për shtetin e së drejtës në programin e PS, thuhet specifikisht se do merren masa për: “Parandalimin i viktimizimit të grave, vajzave, fëmijëve, të moshuarve,
minoriteteve, personat me aftësi të kufizuara dhe personave me orientim seksual të ndryshëm”.

Në kapitullin për Ripërtëritjen e Shoqërisë, thuhet: “Ndaj me një axhendë sociale që na ngarkon të drejta e detyra të gjithëve, së bashku, duam të ndërtojmë shoqërinë ku energjia, kreativiteti e mundi i secilit të gjejnë hapësirë jetësimi, përmes shtetit që ofron shërbime publike sipas nevojës.

Është mision i qeverisjes socialiste ti sigurojë çdo qytetari shqiptar pavarësisht të ardhurave, origjinës, moshës, gjinisë, etnisë, edukimit, orientimit seksual, identitetit kulturor, bindjeve politike e fetare, shërbime publike cilësore.

Parimet bazë të shërbimeve publike gjatë qeverisjes socialiste do të jenë: lehtësimi dhe zgjerimi i aksesit, drejtësia sociale, cilësia, standartet profesionale, pavarësi prej financuesit të shërbimeve, harmonizimi i shërbimeve publike dhe private, centralizimi, pjesëmarrje qytetare, komplementariteti dhe konkurrenca e ndershme”.

Gjithashtu, PS mbështet “të gjitha format e jetesës familjare; famijen e lidhur me martesë, bashkjetesën, familjet me një prind dhe të gjitha format e tjera të partneritetit”. Në programin për të rinjtë parashikohet:

“Fuqizim i Zyrës së Komisionerit kundër diskriminimit duke e kthyer realisht në shërbim të grupeve të diskriminuara apo në rrezik diskriminimi”. Dhe ç’është më e rëndësishmja, në programin për fuqizimin e gruas, PS thotë se “ne zotohemi që do të garantojmë zbatimin me efektivitet të legjislacionit ekzistues për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore duke siguruar mekanizma edhe institucione efikase që të sigurojnë zbatimin e tyre.

Përmirësimet ligjore do të kenë në vëmëndje të veçantë grupet e grave të disavantazhuara, duke përfshirë gratë e varfëra, gratë e zonave rurale, gratë kryefamiljare, me aftësi të kufizuara, viktima të dhunës apo trafikimit, gratë eminoriteteve etnike, si dhe ato me orientim seksual të ndryshëm”.


Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dosjet/ 'Me Bajrët je në burg, ose varr! Mos i ki besë policëve!’ Si e paralajmëroi Suel Çela ‘gjahtarin’ Prekë Kodra dhe çfarë i premtoi

Dosjet/ 'Me Bajrët je në burg, ose varr! Mos i ki besë policëve!’ Si e paralajmëroi Suel Çela ‘gjahtarin’ Prekë Kodra dhe çfarë i premtoi