Rama: Koha për Plan Kombëtar solidariteti

Rama: Koha për Plan Kombëtar solidariteti
TIRANË - Kryetari i PS, Edi Rama i bëri sot thirrje qeverisë të hartojë një Plan Kombëtar Solidariteti e të bashkëpunojë me të gjithë vendorët për të përballuar situatën e rëndë në vend. Në një dalje të posaçme për median, Rama fajësoi qeverinë se nuk ka dashur të shohë përkeqësimin e situatës.

“Një plan gjithëpërfshirës solidariteti shoqëror është i domosdoshëm. Një organizim transparent dhe një informim në kohë reale për operacionet e ndihmës është i domosdoshëm. Një bashkëpunim real me të gjitha strukturat e pushtetit vendor pa dallime partiake është i domosdoshëm. Të gjitha këto mungojnë, sepse qeveria nuk ka plan, nuk ka organizim, nuk ka sens bashkëpunimi. Nuk ka as struktura të mirëfillta mbështetëse për një emergjencë të këtyre përmasave. Ne jemi gati të kontribuojmë për këtë plan. Ne jemi gati po ashtu të bashkërendojmë forcat me strukturat shtetërore. Ndërkohë po mobilizojmë të gjitha strukturat tona vendore edhe në zonat që janë jashtë këtij kërcënimi të përorshëm me një zinxhir solidariteti në ndihmë të familjeve të izoluara”, tha Rama.

Ai tha se PS është gati të votojë një financim të posacëm për krizën në veri por edhe për gjendjen e rëndë ku është KESH.
"Në nëntor e kërkuam me ngulm parashikimin e fondeve në buxhet për një situatë si kjo, por qeveria nuk deshi të dëgjonte. Pa kontrata afatgjata, të paktën tremujore, ashtu siç kërkuam që në nëntor, ja ku jemi sot në mëshirën e faktorëve që janë jashtë vullnetit tonë. Urgjentisht duhet mbështetur KESH-i me fonde për tre muaj. Dhe në asnjë mënyrë nuk duhet shkuar përpara me shitjen e hidrocentraleve për të larë borxhet e marra kuturu. Parlamenti duhet të jetë vendi ku qysh në seancën e ardhshme të bëhet një përpjekje serioze për të bashkërenduar forcat të gjithë bashkë. Jemi gati të votojmë një financim të posaçëm për krizën humanitare të zonave të bllokuara dhe krizën energjetike që mund të çojë në kolaps energjetik po nuk u morën menjëherë masat e duhura tani. Me këto sasira dëbore duhet menduar që sot edhe për të përballuar po ashtu rrezikun kërcënues të përmbytjeve të radhës në zonën e Shkodrës po jo vetëm", tha Rama.

Sipas tij, qeveria hyri me vonesë në rolin e saj dhe tani duhet të bashkëpunojë.
“Krerët tanë të komunave në veri janë angazhuar për të bërë gjithcka, por skanë fond për të zhbllokuar situatën. Qeveria të mos fshihet pas mbledhjeve pa plan. Duhet plan kombëtar solidariteti dhe kjo mungon sepse qeveria nuk ka sens bashkëpunimi. Jemi gati të votojmë një fond urgjent për emergjencën humanitare në Shqipëri. Nesër mund të jetë vërtetë shumë vonë”, tha kryesocialisti.

Ai deklaroi se vendin e pret edhe një situatë përmbytjesh në Shkodër, pas kalimit të ngricave të këtij dimri.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse