"Qeveria me vendimmarrjen e vet të errët me sulmet barbare ndaj prokurorisë që nuk kanë rreshtur 6 vjet më radhë dhe me gradimin e pinjollëve të krimit në postet e policisë nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka inkurajuar krimin. Ashtu siç nuk ka asnjë dyshim, se kur padrejtësia me qëllim përfitimi bëhet shtysë në vendimet dhe veprimet e qeverisë, çdo i ri i tërhequr prej krimit e ka një shtysë të fortë më shumë, për ta sfiduar drejtësinë që mishëron Kushtetua, ligji e morali shoqëror", tha Rama.
Duke u ndalur te grafiku me shifrat konkrete të kriminalitetit, Rama tha se kurba është e qartë, ka një rritje alarmante të tij. Sipas kreut socialist, krimi po e mbyt Shqipërinë dita ditës, duke e lidhur rritjen e pasigurisë në vend edhe me rritjen e papunësisë.
"Në një vend me 1 milion të papunë, ku policia e shtetit trajtohet si zyrë për të punësuar shërbëtorë të partive të qeverisë, kushurinj apo miq krahinorë dhe ende më keq, njerëz më precedentë penale për fushata elektorale, nuk ka se si krimi të mos e vërë poshtë shtetin", tha Rama.
Kryetari i grupit të punës për rendin dhe sigurinë, deputeti Gjoni tha se po nxitet një polarizim i vendit, në ndarjen jug veri apo një nxitje për ndarje fetare.
"Janë thelluar ndjeshëm ndarjet veri jug. Po punohet për ngritjen e mureve ndarëse mes tre besimeve kryesore fetare. Një rrezik tjetër është kërcënimi real ndaj integritetit të kufijve të Shqipërisë. Kjo qeveri e ka lanë vendin në 100 vjetorin e krijimit të shtetit, pa kufij zyrtarë", tha Gjoni.
Pas shpjegimit të numrit tepër të lartë të papunësisë në 1 milionë vetë në vend, Beqaj e krahasoi situatën e rendit vetëm me vitin '97. Tashmë, nënvizoi Sekretari Beqaj, siguria publike po rrëshket në drejtim të paditur.
"Vjedhja e bankave nuk është më lajm i habitshëm. Tani ndodh çdo muaj. As shpërthimet me telekomandë të makinave nuk habisin më. As vrasjet profesioniste nuk habisin më. Por halli ynë është se siguria në vend po rreshket në drejtim të paditur", tha Beqaj.
Socialistët janë angazhuar të shkruajnë në programin e ri politik që po diskutojnë, strategjinë e plotë për uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë publike, edhe përmes politikave sociale.