Rama: Kush refuzon punën, i hiqet ndihma ekonomike!

Rama: Kush refuzon punën, i hiqet ndihma ekonomike!

Qeveria nuk do t’i japë ndihmë ekonomike askujt që është i aftë për punë dhe nuk pranon vendet e punës që zyrat shtetërore ofrojnë në bashkëpunim me bizneset. Kryeministri Edi Rama ishte në një fabrikë këpucësh në Kamëz ku kompania u ankua se qytetarët që intervistohen nuk pranojnë të punojnë me pretekste të ndryshme.

Kryeministri vijon aksionin e tij për të bindur qytetarët që të aplikojnë për punë në zyrat shtetërore të punës dhe të pranojnë ofertat që u vijnë prej tyre, ndryshe, do të humbasin ndihmën ekonomike.

“Ligji është shumë i qartë: në qoftë se ti ke një ofertë për punë edhe ti e refuzon, herën e dytë del nga skema e ndihmës ekonomike! Kjo është e qartë, sepse është e pamundur që të vazhdojë të jepet ndihmë ekonomike për dikë që është fizikisht i aftë për punë dhe që e refuzon punën, ndërkohë që ndihma ekonomike është për më të varfrit dhe për sa kohë janë në pamundësi për tu integruar, nuk është një status i përjetshëm varfërie e mjerimi që e paralizon komplet familjen dhe i heq çdo perspektivë prindërve dhe kryetarëve të familjes,” u shpreh Kryeministri Rama.

Në fabrikën e këpucëve ku kryeministri ishte i pranishëm, dhe ku sipas zyrës së tij të shtypit janë punësuar gati 1000 persona përmes zyrave shtetërore të punës, përfaqësuesja e kompanisë konfirmoi tezën e kryeministrit.

“Të gjitha listat e ofruara nga zyra e punës, normalisht, merren të gjithë, intervistohen dhe kur vijnë këtu për të filluar punë, nuk pranojnë të hyjnë punë. “Nuk punojmë dot”, “Jam e sëmurë, nuk mundem”, “Dua të marr atë ndihmën ekonomike” u shpreh përfaqësuesja e kompanisë.

Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria ka ndërmarrë edhe një nismë të re sa i përket trajnimit kundrejt pagesës të të gjithë personave që pranojnë të punësohen me ndërmjetësimin e zyrave të punës. “Ne kemi dhe këtë skemën tani që, ne japim pagesë për trajnimet. Pra, kushdo që është i gatshëm që të trajnohet, atëherë ne japim 55 mijë lekë të vjetra në muaj mbështetje për trajnimin dhe nuk bëhet nëpërmjet kompanisë. Është një masë e re që e kemi vënë, që është faktikisht sa mesatarja e ndihmës ekonomike,” u shpreh Kryeministri. Kjo histori, - shtoi Kryeministri Rama, - “nuk mund të vazhdojë pafund. Duhet ndarë kush është i aftë fizikisht për punë dhe kujt i ofrohet puna duhet të pranojë punën. Përndryshe, si do ta paguajnë të tjerët me kontribute nga taksat, që të rrijë në shtëpi, i mpirë atje edhe që pak nga pak të bëhet psikologjikisht i paaftë për të marrë përsipër punën.”

s.k/Shqiptarja.com

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve