TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit se me kërkesë të SPAK, u lëshuan 24 masa sigurie për stafin e Universitetit bujqësor të Tiranës. Në një postim në platformën ‘X’, kreu i qeverisë i cilëson 24 masa sigurie pa gjyq, për një procedurë të disa viteve më parë.

Rektori i Universitetit, Fatbardh Sallaku, që sipas Ramës nuk ka lidhje me hetimin, nesër do të flasë për këtë çështje në një mbledhje të hapur në grupin parlamentare të Partisë Socialiste. Mbledhja do të zhvillohet në orën 09:00.

Kreu i qeverisë shkruan se Universiteti Bujqësor është në një pikë moment kthese historike që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës.

“Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë. Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë 2030. Nesër në 09.00 LIVE nga godina e Kuvendit”, shkruan Rama.

GJKKO vendosi 24 masa sigurie për stafin e Universitetit Bujqësor, 5 arrest me burg, 10 arrest shtëpie dhe 9 detyrim paraqitjeje. SPAK s’ka dalë ende me një njoftim zyrtar për mediat, por dyshohet se bëhet fjalë për abuzim me tendera e korrupsion.