Fillimisht, mbledhja në të cilën u saktësua marrëveshja parazgjedhore mes aleatëve, ishte caktuar të mbahej në orën 17:00, por ka nisur vetëm rreth orës 19:00 për shkak të mungesës së disa prej krerëve të partive, të cilat janë pjesë e koalicionit të majtë. Mes aleatëve u vu re mungesa e kreut të PSD, Skënder Gjinushi, i cili në një prononcim për Shqiptarja.com tha se shkaku i mungesës të tij ishte pikërisht mungesa e lajmërimit për mbledhjen. “Nuk më ka lajmëruar njëri për mbledhjen. Unë kam qenë jashtë Tiranës”, u shpreh Gjinushi. Gjithashtu në mbledhje nuk ishte as kreu i LSI, Ilir Meta.
Kreu i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku e cilësoi takimin e si mjaft të frytshëm, ndërsa theksoi se në mbledhje nuk u diskutua për ndarjen e posteve ministrore. “Ishte një takim shumë i frytshëm, ishte rikonfirmim i marrëveshjes dhe marrëdhënieve tona. Kryeministri i ardhshëm foli me ne për formën dhe mënyrën e qeverisjes, duke na porositur për njerëzit që do punojnë në administratë. Nuk diskutuam konkretisht për kabinete. U la që të kemi një koordinator brenda koalicionit." deklaroi Frroku.
Pas takimit është prononcuar Spartak Ngjela, i cili tha se “kishte bërë marrëveshjen me Ramën që para zgjedhjeve”. Ndërkohë që Petro Koçi, kreu i PSV`91 bëri të ditur në takimin e sotëm u vendos që Gjergj Ndoji të jetë koordinatori mes aleatëve dhe PS-së. Koçi bëri të ditur se në takim u rikonfirmua angazhimi për bashkëpunim mes të gjitha partive të koalicionit fitues. “U përcaktuan disa drejtime te qarta lidhur me kontributin në qeverisje të partive. Praktika e deritanishme e katandisjes së shtetit në parcela partiake të mos jetë më. Partitë do të kenë kontributin e tyre në pjesën politike të administratës, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në përputhje me ligjin e nëpunësit civil”- deklaroi Koçi.
MARREVESHJA
Ashtu siç kishte premtuar, Rama u konsultua sot aleatët në një takim të përbashkët, dhe më tej do të takohet veç e veç me secilin prej aleatëve, për të ndarë me ta edhe pjesën që u takon, në bazë të votave të marra, në qeverisjen e vendit. Pasi ka saktësuar strukturën e re të qeverisë, Rama pritet të saktësojë edhe me aleatët zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar para zgjedhjeve. Kështu, në këtë marrëveshje të firmosur nga 37 partitë e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” thuhet se:
“Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike”. “Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror”, vijon marrëveshja. Ndërkohë që, kur një parti merr një mandat, ajo mund të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve, por kjo duhet të konsultohet me partitë e tjera.
Lajmi u përditësua
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.07.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)