Kryetari i partisë socialiste shqiptare, Edi Rama, gjatë vizitës së tij tre ditore në Kosovë, ditë këto që i shfrytëzoi edhe për promovimin e librit të tij të fundit “Kurban”, zhvilloi edhe takime me krerët e lartë të shtetit kosovarë midis të cilëve edhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurtin.

Rama, në hapësirën e tij në rrjetin social Twitter, u shpreh i kënaqur dhe i mahnitur nga biseda plot energji me Kurtin.

“Selia e Lëvizjes Vetëvendosja një hapësire plot energji dhe imazhe tërheqëses. Biseda me Albin Kurtin një kënaqësi intelektuale,” shkruan Rama.

Në selinë e LDK, Rama gjeti hapësirë për të folur edhe për cilësinë e listave të hapura në procesin zgjedhor, lista që i quajti të dështuara.

“Në selinë e LDK folëm për cilësinë e procesit zgjedhor. Miqtë e LDK vlerësojnë te dështuara listat e hapura dhe jetik numërimin elektronik,” tha Rama.

Rama takoi gjithashtu edhe kryetarin e kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të cilit i dhuroi një kopje të librit të tij dhe bisedoi mbi unifikimin e sistemit arsimor të dy vendeve.

“Këmbyem librat me kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ndamë bindjen se sistemi i unifikuar arsimor mes dy vendeve është vonuar gjate,” shprehet Rama në Twitter.