Pas vizitës në SHBA, kryeministri Edi Rama mbërriti në Bruksel, ku zhvilloi një takim me ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian, për të diskutuar lidhur me rekomandimin e Komisionit Europian, për hapjen e negociatave me Shqipërinë, progresin me reformat dhe hapat që duhen bërë përpara.
Axhenda e kryeministrit Rama në Bruksel nisi me një mëngjes pune me vendet anëtare, iniciuar nga grupi i Miqve të Shqipërisë në Këshillin e BE-së.
Në takim folën Paolo Gentiloni Ministri i Jashtëm i Italisë dhe Sebastian Kurz Ministri i Jashtëm Austriak dy ndër iniciatorët e takimit të zhvilluar sot në Bruksel, "Miqtë e Shqipërisë", në nivel ministrash të Jashtëm. Gentiloni u shpreh se shpreson shumë që në muajin Dhjetor, Shqipërisë t’i çelen negociatat sipas rekomandimit të KE.
“Jemi shumë të kënaqur për nismën e promovuar nga Austria dhe Italia, miq të Shqipërisë. Qëllimi është që në dhjetor të kemi një vendim të Këshilli i Europian për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mendoj se në Shqipëri janë bërë shumë reforma dhe shumë progres. Progresi i reformave në Shqipëri, konkluzioni i përbashkët në tryezën "Miqtë e Shqipërisë". Ky është një lajm i mirë për procesin”.
Kurse Kurz nga ana e tij përshëndeti qeverinë shqiptare për reformat e bëra në Shqipëri.
“I jemi mirënjohës Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për gjithë reformat e bëra në Shqipëri. I jemi mirënjohës Shqipërisë për rolin pozitiv dhe konstruktiv që po luan në rajon. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe për të gjithë ne”.
[gallery]19652[/gallery]
Rama
Kryeministri bëri të ditur në faqen e tij zyrtare në 'Facebook' se në këtë takim u fol me tonet më pozitive për Raportin e Progresit dhe u konfirmua vullneti i vendeve anëtare për mbështetjen e rekomandimit pozitiv të Komisionit për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
"Sapo përfundoi në Bruksel mëngjesi i punës me vëndet anëtare, iniciuar nga grupi i Miqve të Shqipërisë në Këshillin e BE-së, ku u fol me tonet më pozitive për Raportin e Progresit dhe u konfirmua vullneti i vendeve anëtare për mbështetjen e rekomandimit pozitiv të Komisionit për çeljen e negociatave per anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian😀 👍
U nënvizua nga të gjitha vendet anëtare progresi i madh që pasqyrohet në Raportin e Komisionit; ecuria mbresëlënëse e reformave; respekti i veçantë për politikën rajonale të Shqipërisë; nevoja imediate për zbatimin e Ligjit të Vetingut si premisë e mirëkuptuar apo kusht i natyrshëm për ecurinë e këtij procesi historik🇦🇱🇪🇺
Falenderim i veçantë për Shefen e Diplomacisë Europiane Federica Mogherini dhe për Komisionerin Johannes Hahn, dy miq të posaçëm e partnerë të çmuar të Shqipërisë në këtë proces.