Gjatë një takimi me pedagogë në Gjirokastër kryeministri Edi Rama ka zbuluar edhe disa objektiva për arsimin parauniversitar, siç është fuqizimi më tepër i rolit dhe nivelit të kompetencës së drejtorëve të shkollave. Po ashtu Rama ka thënë se do t’i japë jetë dy programeve të reja, njërit kombëtar për sportet kurse i dyti për artet dhe zejet.
"Të vihet theksi tek nevoja për të vazhduar përpara, mos u kthye mbrapsht, dhe mos rrezikuar arritjet. Këto që janë arritur nuk janë gjë tjetër vetëm një bazë e mirë për të shkuar përpara. Një garanci se jo vetëm ku duhet të ndiqemi dhe si mund të ndiqemi. Si mund të ndiqemi duke qenë të vetëdijshëm për çdo gjë, për vështirësitë.
Megjithatë unë besoj se ka shumë dëshmitarë, nuk është një reformë kjo e arsimit që thjesht mund të flitet dhe diskutohet mbi parime dhe arkitekturës. Është reformë që ka shumë dëshmitarë, mijëra dëshmitarë. Sot janë mbi 11 mijë që kanë përfituar nga mundësia e re për të hyrë në sistem përmes meritës. Falë portalit për mësues. Një portal, rrugë konkurruese. Sigurisht ka plot dëshmitarë edhe në arsimin e lartë, jemi në rrugë që vazhdon, dhe reforma në arsimin e lartë është ende një e përpjetë. Patjetër që ka edhe shumë arsye për të besuar që rruga është e duhura. Drejtimi është i duhuri. Nuk na mbetet vetëm të ecim në drejtimin e përcaktuar. Unë do të doja të thosha që nëse do të bënim një krahasim mes arsimit parauniverstar dhe universitarit. Në parauniversitari jemi më të avancuar për objektivat dhe jetësimin e planit të transformimit. Kemi disa arritje shumë të prekshme, dhe të dhëna inkurajuese. Megjithëse prapësëprarë gjëra për t’u bërë nuk janë pak.
Ndërkohë që në arsimin universitar kemi bërë një reformë kurajoze, kemi zgjeruar autonominë, krijuar disa kushte për studentët e pedagogët. Jemi para një sfide shumë komplekse. Duhet ta konsiderojmë si një detyrë të gjithë bashkë për ta përballuar pa i bërë bisht e pa e shtyrë në kohë. Çdo shtyrje është kosto për të rejat dhe të rinjtë që hyjnë në universitet, e pastaj ngelen në periferi ose jashtë tregut të punës.
Ju jeni të familjarizuar me këtë temë. Në arsimin parauniversitar duhet të fuqizojmë më tepër kompetencën, të drejtorit të shkollave. Nëse me mësuesit kemi avancuar ndjeshëm, me drejtorët jemi në proces. Është e qartë që në figurën e drejtuesit të një shkolle duhet të kërkojmë më shumë angazhim, në sensin e rritjes së kapacitetit menaxherial të një shkolle. Është një kohë shumë e re dhe me shumë sfida të reja për prindërit, për fëmijët vetë, por që ata kanë nevojë të udhëhiqen në drejtimin e duhur, dhe për mësuesit. Shumë e ngatërruar pasi ka ndryshuar në mënyrë radikale në vitet e fundit edhe kanalet e informimit. Rrugët e ballafaqimit me realitetin. Dhe mbi të gjitha është dyzuar mënyrë shumë dramatike, rruga e fëmijëve midis rrugës së realitetit dhe virtualitetit. Rrugës fizike me shqisat që shohin, prekin ndjejnë e përballen me realitetin fizik.
Duam shumë që t’i japim jetë dy programeve të reja, në sistemin tonë parauniversitar në radhë të parë, një programi të madh kombëtar për sportin, dhe një tjetër për artet dhe zejet që të krijojmë sa më shumë mundësi për fëmijët që të kenë aktivitet fizik por një aktivitet më të harmonizuar me dëshirat e tyre sesa thejsht ato orët e edukimit fizik", tha Rama.
Lajmi kryesor: