TIRANE - Pesë për qind e buxhetit do t'i kushtohet arsimit kur socialistët të vijnë në pushtet. Premtimi u bë sot nga lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi me prindër e të rinj, pjesë e diskutimeve publike të nisura nga selia rozë ditët e fundit në lidhje me temat e fushës së edukimit.

Numrin e madh të kopshteve, shkollave e universiteteve private, Rama i quajti një barbari ku fëmija dhe nxënësi shihen si klientë. Ai gjithashtu denoncoi presionet me të cilët përballen mësuesit e majtë për shkak të bindjeve politike.

“Është e vërtetë që janë rikonstruktuar shkolla në Shqipëri, është e vërtetë që janë ndërtuar por ky është një proces i pa shoqëruar me një ripërtëritje të sistemit dhe pa një vizion, dhe në fund të fundit këta fëmijë që kalojnë nëpërmjet këtij sistemi të jenë në gjendje ta përballojnë jetën e tyre duke qenë në gjendjë të bëjnë një jetë të ndershme. Në Shqipëri në 1 milion të papunë, 60 përqind janë të rinj dhe ka shumë me diplomë dhe të tjerë në pamundësi për të marrë diplomë ose një zanat. Janë të pafund problemet e shkollës dhe është e drejtë që ne flasim për universitete, është e domosdoshme një reformë. Është e papranueshme që arsimi publik të vazhdojë rrugën e mëtejshme ndërkohë që arsimi privat të jetë një biznes fitimprurës.”, tha kryesocialisti.

Rama e ka cilësuar si antikombëtare politikën e Qeverisë Berisha ndaj arsimit, ndërsa shtoi se Kombi ndodhet në duart më të paafta që nga koha e Haxhi Qamilit. Vetëm në 4 vitet e fundit sipas kreut të PS-së, analfabetizmi është rritur me 5 pikë, duke kaluar nga 10 në 15%.

Sipas vizionit të socialistëve, prindërit duhet të jenë bashkëpunëtorë e bashkëpërgjegjës të punës që zhvillohet në shkollë, shpjegoi Rama gjatë takimit që u zhvillua në ambientet e Akademisë së Arteve.

(im/Shqiptarja.com)