Rama, Meta dhe Tahiri 6 orë
dëshmi në Prokurori për Doshin

Rama, Meta dhe Tahiri 6 orë<br />dëshmi në Prokurori për Doshin
TIRANE- Për gjashtë orë me radhë njëri pas tjetrit, kryeparlamentari Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe deputeti Mark Frroku, dëshmuan këtë të premte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me akuzat që deputeti Tom Doshi artikuloi publikisht menjëherë pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, për një plan të thurur nga zoti Meta për ekzekutimin e tij.

Burime për A1Report janë shprehur se Rama, Meta dhe Tahiri kanë rrëzuar pretendimet e Doshit duke deklaruar se pas hetimeve të bëra gjithçka ka rezultuar një farsë.

Pas dëshmisë prej 1 orë e 20 minuta pranë prokurorëve Adnand Xholi e Blerim Tominaj, kryeministri Rama e quajti pretendimin e Doshit një histori gangsterësh me protagonist kryesor ish-kryeministrin Berisha.  Kreu i qeverisë kërkoi hetim të plotë nga Prokuroria dhe nxjerrjen para drejtësisë të fajtorëve.
 
“Unë besoj se gjithë kjo shëmti e turpshme mund të kthehet në një mirësi për publikun dhe për politikën nëse organi i akuzës bën me vullnet të plotë detyrën dhe nxjerr fajtorët kushdo qofshin. Kjo histori  e shëmtuar mund të mbarojë si një film dhe jeta politike e shqiptarëve nuk mund të vazhdojë më tutje nga filmi në film”, u shpreh Rama.
 
Kryeparlamentari Ilir Meta mbërriti i pari në prokurori duke dëshmuar për 1 orë e 35 min, ndërsa u shpreh se është i gatshëm për një ballafaqim në prokurori me Tom Doshin e Sali Berishën për akuzat që bëhen ndaj tij.

Meta: Basha "model" i hetimeve, mbylli aferën 230 mln €
 
Dëshmia historike që Rama, Meta dhe Tahiri dhanë njëri pas tjetrit në një dosje për planin e mundshëm të vrasjes së një deputeti, vjen pas ftesës së Prokurorisë dhe një ditë pas dëshmisë 6 orëshe së Tom Doshit, i cili edhe para prokurorëve i qëndroi versionit të deklaruar publikisht, se Meta ka paguar 600 mijë euro për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat të Lezhës Mhill Fufi, për motive që ai thotë se nuk i di.

Prokuroria kish ftuar për dëshmi këtë të premte, deputetët e Partisë Demokratike Sali Berisha e Mhill Fufi si dhe ish-kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda por këta zyrtarë nuk u paraqiten. 

Berisha: Nuk kam marre ftese. Prokurori: Ia cuam zyrtarisht

lsa

Ora 13:41 Rama: Publiku peng i një historie gangsterësh me protagonist kryesor Berishën
Ndërsa ka mbaruar deklarimin e tij para prokurorëve përreth 1 orë e 20 minuta, kryeministri Edi Rama uroi që ftesa e prokurorisë për dëshminë e tij dhe të zyrtarëve të tjerë, të jetë shprehje e vullnetit për ta zbardhur deri në fund të vërtetën e historisë së atentatit të pretenduar nga deputeti Tom Doshi.

Në vlerësimin e kryeministri Edi Rama, deklaratat e deputetit të përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste Tom Doshi janë pjesë e një skenari në të cilin është përfshirë ish-kryeministri Sali Berisha, si protagonist kryesor siç u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se për herë të parë është vendosur një raport i ri i kryeministrit me Prokurorinë, ku gjatë pushtetit të djathtë sipas Ramës, organi i akuzës trajtohej nga shefi i qeverisë si “ushqim për qentë”.

Vetëm hetimi i plotë tha Rama, mund ta çlirojë publikun shqiptar nga fjalët pa fund të politikës.
 
Koha kur kryeministri i Shqipërisë e trajtonte prokurorinë si ushqim për qentë ka mbaruar në 23 qershor të 2013-ës. Uroj që ftesa për të ardhur sot këtu të jetë shprehje e vullnetit të Prokurorisë për ta zbardhur plotësisht të vërtetën e kësaj historie të shëmtuar. Publiku është marrë peng në këtë histori me personazhe politikë e gangsterë që aktrojnë në bazë të një skenari që pas serisë së djeshme në parlament ka vendosur në rolin e protagonistit kryesor të filmin edhe ish-kryeministrin. Megjithatë çfarëdo themi ne mbeten fjalë dhe shqiptarët janë ngopur me fjalë, vetëm hetimi i plotë dhe nxjerrja e përgjegjësive ligjore të kujtdo qoftë mund ta çlirojë edhe publikun por edhe politikën. Unë besoj se gjithë kjo shëmti e turpshme mund të kthehet në një mirësi për publikun dhe për politikën nëse organi i akuzës bën me vullnet të plotë detyrën dhe nxjerr fajtorët kushdo qofshin. Kjo histori  e shëmtuar mund të mbarojë si një film dhe jeta politike e shqiptarëve nuk mund të vazhdojë më tutje nga filmi në film”, u shpreh Rama.


edi rama
(Kryeministri Rama gjatë prononcimit për shtyp/ Foto A.Çakshiri/shqiptarja.com ) 



Ora 13:27 Frroku: Nuk kam koment për mediat, janë të gjitha në prokurori
Deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku nuk ka dhënë asnjë koment për mediat në lidhje me deklaratat e deputetit Tom Doshi, se ka qenë ai personi që e sinjalizoi gjashtë muaj më parë për atentatin e mundshëm ndaj tij. Frroku dëshmoi përreth 1 orë përballë prokurorëve në përgjigje të ftesës së Prokurorisë së krimeve të Rënda në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen por nuk dha asnjë koment që të pohonte apo përgënjeshtronte pretendimin e deputetit të përjashtuar nga Partia Socialiste.
 
Kjo është përgjigjja që deputeti Marku jep për A1Report:

Zoti Frroku, zoti Tom Doshi është shprehur se keni qenë personi që i prezantuat Durim Bamin, si është e vërteta?
“Unë sot kam plotësuar detyrimin tim ligjor për të dëshmuar para organit të akuzës dhe të gjitha të tjerat janë aty brenda në prokurori”.
A ka qenë punonjësi juaj Bami?
“Nuk ka koment është diskrecion i prokurorisë të flasë se çfarë deklarimesh kam bërë. Ky është një hetim dhe unë si ligjvënës nuk më lejohet të shkel ligjin.
I qëndroni deklaratave tuaja që ju nuk keni pasur dijeni për këtë ngjarje?
“Janë të gjitha në prokurori, nuk ka koment”
A ka gënjyer Tom Doshi në lidhje me deklaratat e tij?
“Nuk ka koment!

Në intervistën e dhënë mbrëmë në “Top Story” Doshi tha se Frroku e ka mësuar planin për eliminimin fizik të tij 6 muaj më parë nga i ndaluari i policisë Durim Bami, i cili sipas tij është personi që është paguar për të bërë vrasjen.

“Më ka telefonuar Mark Frroku, kur isha me pushime dhe më ka thënë qe duhet te takoj për diçka urgjente. Kur jam kthyer dy ditë më pas nga pushimet më ka thënë që më ka takuar një person i cili ka marrë porosi nga Ilir Meta për të vrarë ty dhe zotin Mhill Fufi”- tregoi Doshi.
 
Ajo që mbetet e dyshimtë është se si ka rënë në kontakt deputeti me personin që pretendohet se është paguar për vrasjen e Doshit. Megjithatë dëshmia e Doshit vërteton edhe lidhjen mes Bamit dhe Enver Stafukës, personin e rrëmbyer pak javë më parë në Fushë-Krujë, i akuzuar nga Prokuroria si personi që vodhi makinën nga ku u qëllua për vdekje kryekomisari Dritan Lamaj në 2013-ën.  Kjo lidhje mund të justifikonte faktin përse Bami zgjodhi të rrëfejë atentatin ndaj Doshit tek Mark Frroku, pasi vëllai i këtij të fundit është i akuzuari i vetëm për vrasjen e Lamajt. 


Doshi: Mark Frroku më tha për atentantin. Deputeti: Pa koment



Ora 13:30 Tahiri: Dhashë ndihmën time për hetimet, t’ia lëmë institucioneve të zbardhin këtë rrëmujë
Pas rreth 3 orë e 30 minuta dëshmi para prokurorëve të Krimeve të Rënda, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dha një prononcim të shkurtër për mediat, ku tha se me dëshminë e tij dhe të zyrtarëve të tjerë po bëhet gjithçka për t’i ardhur në ndihmë hetimeve. Tahiri e quajti të gjithë këtë histori një “rrëmujë” për të cilën duhet të flasë prokuroria me zbardhjen e akuzave të rënda të deputetit Doshi. 

“Thash gjithçka jam vënë në dijeni gjatë gjithë kësaj kohe, ja thash prokurorëve duke shpresuar që kjo bëj unë, që bëjmë të gjithë është ndihma më e madhe për t’i dhënë kohën dhe mundësitë e duhura prokurorisë të bëjë hetime të plota dhe të zbardhë gjithçka me këtë ngjarje. Më vjen keq që publiku është ngarkuar me këtë rrëmujë po është koha t’ia lëmë institucioneve të flasin”, u shpreh ministri Tahiri.


saimir tahiri
(Ministri Tahiri gjatë prononcimit për shtyp/ Foto A.Çakshiri/shqiptarja.com ) 

Disa orë më pas përmes një postimi në rrjetin social "Facebook"  ka përforcuar qëndrimin e tij për t'i lënë institucionet që të flasin.

Tahiri Fb
 



Meta-Tahiri-Rama-Frroku 6 orë dëshmi në Prokurori
Ministri Tahiri - 3 orë e 30 minuta / Nga ora 10:05 – 13.30
Kryeministri Rama - 1 orë e 20 minuta / Nga ora 12.03 – 13.25
Deputeti Mark Frroku - 1 orë / Nga ora 12.35 – 13.27
Kryeparlamentari Meta - 1 orë e 30 minuta / Nga ora 08.00 – 09.30

Ora 13:25 Kryeministri Edi Rama përfundon dëshminë
Një orë e 20 minuta ka zgjatur deklarata e kryeministri Edi Rama në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për çështjen Doshi

Ora 13:15 Berisha: Nuk jam thirrur nga Prokuroria

Ora 12:35 Frroku në prokurori, i pari që njoftoi Doshin për atentatin
Ashtu siç A1 Report mësoi më herët, deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku mbërriti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me atentatin ndaj Doshit. Sipas dëshmisë që deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi dha dje, ka qenë Frroku i cili e ka njoftuar i pari për planin e eliminimit fizik të tij. Po sipas Doshit, Mark Frroku e kishte mësuar planin nga Durim Bami,  i pretenduar prej tyre si vrasës me pagesë, dhe se më tej Frroku lidhi komunikimin mes Doshit dhe Bamit. Në të gjitha takimet e tjera, tha Doshi dje në Top Story, kam qenë vetëm me Bamin pa deputetit Frroku.

Ora 12:10 Burime për A1 Report: Mark Frroku pranon kërkesën e Prokurorisë për të dëshmuar
Burime nga A1 Report konfirmojnë se edhe deputeti i Partisë kristian-demokrate Mark Frroku ka pranuar ftesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dhënë deklarimin e tij në prokurori. Sipas dëshmisë së Tom Doshit, Frroku është personi i parë që e ka lajmëruar deputetin e përjashtuar nga PS për një atentat të mundshëm ndaj tij. Po sipas deklaratave të Doshit, Frroku e kishte mësuar për atentatin ndaj Doshit dhe deputetit Fufi, përmes personit që pretendohet se është vrasësi me pagesë, Durim Bami, i cili deri më tani është i ndaluari i vetëm në Polici për akuzat publike që artikuloi Doshi pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. 

Ora 12:03 Mbërrin në Prokurori kryeministri Edi Rama
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë deklarimet e tij në lidhje me akuzat e Doshit për një atentat të mundshëm ndaj tijNdërkohë ministri Tahiri ende nuk ka përfunduar dëshminë e tij.


edi rama

Ora 10:05 Mbërrin Tahiri në Prokurori 
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dhënë deponimin e tij në lidhje me akuzat e deputetit Doshi se ndaj tij ka patur një komplot për ta eliminuar.
 


Ora 09.30 Meta: Gati të ballafaqohem me Doshin dhe Berishën...Toma vetë është antiprovë
Përreth 1 orë e 30 minuta kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ka dhënë deklarimin e tij para prokurorëve të Krimeve të Rënda në lidhje me akuzat publike të deputetit të përjashtuar nga PS Tom Doshi se ka planifikuar dhe paguar për vrasjen e tij. Zoti Meta mbërriti i pari në Prokurori me ftesë të organit të akuzës në cilësinë e personit që ka pasur dijeni për planin e pretenduar nga Doshi, 6 muaj më parë, ashtu sikurse janë ftuar edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe kryeministri Edi Rama.

Pasi ka dhënë dëshminë tij përballë kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Adnan Xholi i emëruar në këtë post tre ditë më parë dhe prokurorit të dosjes “Doshi” Përparim Kulluri, kryeparlamentari u prononcua për gazetarët.

Sikundër opozita e ka kthyer çështjen “Doshi” në thelbin e aksionit të saj të radhës, atë të protestave për dorëheqjen e kreut të Kuvendit, zoti Meta tha se nuk ka arsye për të lënë drejtimin e Parlamentit. Arsyeja e parë sipas Metës, është fakti se ndaj tij nuk rëndon asnjë akuzë, ndërsa argumentin e dytë ia adresoi liderit të opozitës Lulzim Basha duke i kujtuar akuzën që prokuroria dhe KLSH ngritën ndaj tij për një aferë 230 milionë euro për rrugën e Kombit.

Ju e dini shumë mirë që e dhash shembullin duke u larguar nga qeveria. Por njëkohësisht zoti Basha bëri çdo gjë për të mbyllur çështjen për shkak të procedurave dhe jo për t’i shkuar çështjes në fund. Kështu që ai është një model i shkëlqyer për të treguar se si i hapet rruga hetimet”, -tha Meta.
 
Kryeparlamentari Meta u shpreh i gatshëm për të qenë në Prokurori  çdo ditë që do të jetë e nevojshme, duke theksuar nga ana tjetër se është gati të ballafaqohet edhe me Tom Doshin dhe Sali Berishën nëse organi i akuzës do ta vlerësojë të arsyeshme. Meta shkoi edhe më tej kur tha se tanimë akuzat nuk artikulohen më nga deputeti Doshi, por nga ish-kryeministri Sali Berisha 



meta
(Kryeparlamentari Meta gjatë prononcimit për shtyp/ Foto A.Çakshiri/shqiptarja.com ) 

Ora 07:56 Meta i pari në prokurori
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta mbërriti i pari në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë deklarimin e tij në cilësinë e personit që ka dijeni për akuzat që deputeti Tom Doshi bëri publikisht. 

Më herët kryeparlamentari i ka quajtur trillime të rëndomta akuzat e Doshit, duke thënë se 6 muaj më parë deputeti i ka rrëfyer se atentatin e mundshëm ndaj tij e kishte organizuar Agim Rama, kunati i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas rrëfimit të Doshit, Ilir Meta ka qenë njeriu që ka paguar për ta vrarë dhe për pasojë të gjitha dyshimet bien mbi të. Për të hedhur dritë mbi pozicionin e tij, prokuroria ka kërkuar marrjen e deklarimeve të Metës. Sipas Metës i gjithë skenari ka dalë nga një biznes pularie ku Tom Doshi dhe ish-krahu i djathtë i Ilir Metës, Dritan Prifti, janë aksionerë. Një skenar i tillë është bërë me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e anarkisë në vend. 


  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Espanyol rrezikon mbijetesën, Kumbulla: Kemi shumë ndeshje para, kam besim te ky ekip

Espanyol rrezikon mbijetesën, Kumbulla: Kemi shumë ndeshje para, kam besim te ky ekip