Rama-Meta: Ja nyjet e të majtës
që vunë në takimin e djeshëm  

Rama-Meta: Ja nyjet e të majtës<br />që vunë në takimin e djeshëm  
TIRANE- Takimi 100 minutësh mes dy bashkëdrejtuesve të koalicionit të majtë qeverisës ka shërbyer për herë të parë për të vendosur në tavolinë të gjitha problemet që shqetësojnë koalicionin. Burime brenda të majtës, bëjnë me dije se Edi Rama dhe Ilir Meta janë ulur pa dorëza përballë njëri-tjetrit, për të folur mbi çështje të pazgjidhura që kanë treguar funksionalitet të dobët të koalicionit, që nga zgjedhjet e fundit vendore e deri tek debati i madh për skandalin e pretenduar korruptiv në CEZ. Probleme që kanë nisur fill pas zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, ku në disa bashki u vu re mungesa e bashkëpunimit të strukturave.

Burimet kanë saktësuar se mes krerëve të maxhorancës është folur dhe mbi nevojën e ndryshimeve në Qeveri, për të rifreskuar disa prej dikastereve. Mësohet se Meta ka shprehur shqetësimin e tij, për disa prej emrave të Kabinetit Rama. Pritet që kjo pikë të diskutohet më tej mes grupeve parlamentare.

Zgjedhjet
Tema e parë e diskutuar mes kreut të qeverisë dhe atij të Kuvendit, ka qenë mosfunksionimi i koalicionit gjatë zgjedhjeve të 21 qershorit. Mësohet se kreu i LSI-së, Ilir Meta e ka vendosur Ramën përpara pakënaqësisë së tij për sjelljen e PS-së ndaj LSI-së në zgjedhjet e fundit zgjedhore. Një nga zonat problematike, ku koalicioni i majtë nuk funksionoi në zgjedhjet vendore ishte Jugu, zonë kjo e cila u mbikëqyr nga deputeti i PS socialist Koço Kokëdhima në Qarkun e Vlorës, duke mos e përkrahur LSI-së, e përkundrazi duke e sulmuar atë. Pikërisht nga kjo situatë LSI humbi bashkinë e Selenicës.

Kokëdhima krijoi krisjen e parë në koalicionin e majtë gjatë zgjedhjeve lokale dhe në garën për bashkinë e minoritetit grek në Finiq. Kokëdhima dhe Marto, mbështetën kandidatin e partisë MEGA për këtë bashki, Leonidha Kristo. Sikurse dihet kryetari i LSI, Ilir Meta për këtë bashki mbështeti kandidatin e PBDNJ Jani Babi. Këtë garë përsëri LSI e humbi, ndërkohë që Koço Kokëdhima është forcuar në pozitat e tij politike, duke u caktuar nga Rama si koordinator për rajonin e Jugut (qarku Vlorë dhe Gjirokastër).

Pikërisht, vendosja e Kokëdhimës në këtë pozicion, veçanërisht në Bashkinë e Gjirokastrës që u fitua nga LSI ka sjellë dhe shqetësimin e LSI se mund të kthehet si faktor destabilizues brenda koalicionit.  Sidomos, duke parë nismat për verifikimin e të punësuarve duke i evidentuar se cili është i PS dhe cili i LSI. Ky veprim, ka ngritur shqetësimin e LSI, aleatin kryesor në qeverisje, për luftën ndaj anëtarësisë së saj.

Po ashtu, Rama ka marrë ankesat e aleatit të tij edhe për Bashkinë e Lezhës, ku deputetja Monika Kryemadhi ka hasur në mungesë bashkëpunimi me strukturat socialiste, mungesë kjo që solli humbjen e garës nga kandidati i LSI-së, Viktor Tusha. Mos mbështetja e kandidatëve të LSI-së, dhe humbja e tyre në bashkitë tradicionale të majta, si Pogradeci dhe Mallakastra, kanë qenë dy ankesa të tjera të Metës, për të cilat ka kërkuar llogari dhe mbajtje përgjegjësish nga aleati i tij Rama.

Mungesa e bashkëpunimit në zgjedhje është pasuar dhe me përplasjet për zgjedhjet e kryetarëve të këshillave bashkiakë. Nga PS janë shprehur pakënaqësi për raportet jo të qëndrueshme mes këshilltarëve të LSI-së dhe PS-së në rrethe, kur herë pas herë, votat e tyre janë përçarë e janë përzierë me të djathtët. Si rasti i Shkodrës, Gjirokastrës, Pogradecit dhe Përrenjasit. Këto pika mësohet se kanë qenë pjesë të diskutimit Rama-Meta.

Mirëqeverisja 
Dy aleatët mësohet se kanë diskutuar edhe për çështje të mirëqeverisjes. Meta ka shprehur më parë pakënaqësi për performancën e disa sektorëve të qeverisjes dhe ka kërkuar marrjen e masave nga Kryeministri për ndryshimin e gjendjes, kjo me argumentin se cilësia në qeverisje, është kosto e përbashkët e të gjitha partive në koalicionin qeverisës. Sektori kryesor për të cilin Meta ka shprehur pakënaqësi, ka qenë ai i tatimeve, ku si edhe më herët, Meta ka shprehur shqetësim për mosrealizimin e të ardhurave dhe transparencën e punës në këtë institucion. Përsa i përket taksave, Meta ka shprehur pakënaqësi dhe për formën e shpërndarjes së financave. Sektori i shëndetësisë po ashtu është konsideruar nga kreu i LSI-së si një fushë ku nuk po bëhet aq sa duhet, dhe që duhen bërë ndërhyrjet e nevojshme për përmirësimin e drejtimit.

CEZ
Prej më shumë se dy javësh kreu i LSI-së, Ilir Meta është vendosur në qendër të sulmeve dhe akuzave për afera korruptive në CEZ. Në këto debate kryetari i ekzekutivit nuk ka mbajtur qëndrim, duke lënë të paqartë pozicionimin e tij ndaj liderit Meta. Madje vetëm në seancën e fundit parlamentare PS ka dalë në mbështetje të aleatit kryesor. Meta ka kërkuar një hetim amerikan, ndërsa Rama, në të vetmin reagim për këtë çështje, ka mbështetur një hetim nga organet kompetente vendase. Moskoordinimi mes mazhorancës, u duk edhe në seancën e fundit parlamentare ku votat e PS, LSI e madje edhe PD, ishin të shpërndara, duke u ndarë në një raport 50:54:12. Pritet që në ditët në vijim të shihet se çfarë vendimi kanë marrë dy drejtuesit e koalicionit të majtë për këtë çështje.

*Shkrimi u botua ne gazeten print Shqiptarja.com data 4 tetor 2015

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool