Rama: Meta ka një shans të dytë,
për Nanon s'kam thënë i zhytur në vese

Rama: Meta ka një shans të dytë,<br />për Nanon s'kam thënë i zhytur në vese
Një prej librave më të shitur të panairit, “Kurban” i Edi Ramës, i dha nxitjen “Top Story”-t të ditës së enjte. I shkruar nga lideri i Partisë Socialiste, libri u vendos në studion e Sokol Ballës në shumë prizma. U debatua mbi të vërtetat apo gënjeshtrat e mundshme që përmban, raportin e Ramës me figura të tjera të rëndësishme të politikës, 11 vitet e tij në krye të Bashkisë së Tiranës dhe mbi të gjitha për vizionin, atë që ka në mendje lideri i opozitës për të ardhmen e Shqipërisë.

I ardhur në studio nëpërmjet një lidhje direkte nga biblioteka e banesës së tij, Rama iu përgjigj shumë pyetjeve dhe dilemave që ka ngritur ky libër, të trajtuar në një studio ku ishin të pranishëm dy kritikë të politikave të Ramës, Henri Çili dhe Artan Hoxha, si dhe politologia Zamira Çavo e Ardian Klosi, miku dhe personi që e lexoi i pari librin, duke bërë recensionin e tij.

RAMA MBI LIBRIN DHE BANESEN E TIJ

“Njerëzit nuk e besojnë që unë jetoj në një apartament me qera sepse nuk është interesante”, i përgjigjet Rama një pyetje direkte të Ballës në fillimin e emisionit. “Fantazia që unë jetoj në një kështjellë është më e bukur. Nuk doja të isha në studio, pasi flitet për librin që kam shkruar dhe i takon atyre që janë në studio të flasin për të. Në fakt, nuk dëshiroja fare të shfaqesha në media në këtë moment, por nuk mund të refuzoja ftesën tuaj për të biseduar mbi këtë libër. Dua të them që ndryshe nga sa ndodh me debatet apo fjalimet politike, në këtë rast kam një brishtësi që ata që ishin në promovim dhe ndoqën fjalën time, e vunë re. Është brishtësia e atij që pasi ka krijuar dhe ka ekspozuar krijesën e tij, ndihet i brishtë dhe i zbuluar përpara të tjerëve”.

RAMA: LIBER JO PER TE SHKUAREN
“Nuk e di nëse ia kam arritur ose jo. Ky nuk është një libër për të shkuarën, por është një libër për të ardhmen, duke vëzhguar të shkuarën”, i përgjigjet Rama pyetjes së përse duhet blerë libri i tij. “E vërtetë që kam shkruar një varg gjërash që kam gjetur në kujtesë, por nuk kam shkruar kujtime. Kam kujtuar duke ecur. Nga ana tjetër, më vjen mirë që pavarësisht mosdakordësisë me atë që thuhet në libër për pjesë të caktuara të tij apo shumë pjesë të tij, pasi debati është gjë e mirë. Shumë mund ta blejnë për shkak të figurës sime, por shpresoj shumë që pasi të përfundojnë duke e lexuar, t’i vlejë dhe ta gjejnë të këndshëm, edhe nëse mendojnë ndryshe, bashkëbisedimin me mua”.

"KURBANI" DHE RAPORTI I TIJ ME TE VERTETEN
I përballur me kritikat e Hoxhës për asimetrinë e librit, për qasjen e kundërt të vetes me tre figurat e tjera kryesore të politikës, Nano, Meta e Berisha, Rama përgjigjet: “Nuk është kështu, jam përpjekur në asnjë moment të shënjterizoj veten, duke demonizuar kundërshtarët e mi. Unë e nisa ta shkruaj librin pa menduar se do ta bëja libër, por fillimisht ishte vetëm një komunikim me vetveten. I kam qëndruar, së paku me veten time, premtimit për të mos thënë asnjë gënjeshtër nga faqja e parë, deri tek e fundit. Megjithatë, është e qartë gjithashtu që nuk ka vetëm një të vërtetë. E kam thënë që në hyrje, që ky libër nuk është historia e Tiranës, por fjala e një dëshmitari të ndryshimit të saj. Shumë personazhe janë future sepse është gjithmonë më interesante të mësosh se çfarë është thënë mes protagonistëve, se sa gjëra abstrakte. Personazhi i vetëm i librit është Shqipëria”.

FAQET MBI METEN, BERISHEN E NANON
Duke folur për raportin e tij me figurat e rëndësishme të politikës, Rama nënkuptoi se mban të hapur një derë bashkëpunimi në të ardhmen me Zotin Meta. “Ka një problem kur shkruan ashtu siç shkruaj unë, pasi jam i fiksuar pas gjuhës shqipe. i jap rëndësi çdo fjale apo presje. Megjithatë, mendoj se nuk kam demonizuar asnjë. Rreth Zotit Meta, nuk mendoj se kam lënë një derë të hapur, por mendoj se për këdo në një moshë të caktuar, jo në moshën e pashpresë të Saliut, ka një shans të dytë. Kam folur për Nanon, të cilin e kam portretizuar me dritë dhe hije, jo vetëm në një formë të caktuar. Kur diskutohet për një libër dhe ti je autori është e dhimbshme kur për efekt komunikimi, vulgarizohet ajo që ke thënë. Nuk kam shkruar që Nano është i zhytur në vese. Kam shkruar, mendoj unë, me shumë më tepër nuanca e thellësi. Sa për Saliun, s’ka dyshime, është një njeri vulgar dhe një personazh tërësisht jashtë kohe”.

RAMA PER VETEN

Edi Rama: “…Ajo që më gëzon, është se libri nuk ka mërzitur askënd nga ata që e kanë lexuar. Është një libër që provokon debat dhe nxit debat. Këtu nuk bëhet fjalë për një ndasi të ushqyer në atë kuptim që në të vërtetë ka ndasia që na mban peng ne. Këtu bëhët fjalë për një ndarje të plotë midis dy mënyrash për ta parë Shqipërinë. Ne nuk biem dakort që kjo Shqipëri nuk është atdheu që meritojnë fëmijët tanë. Aty flitet qartë për një qasje që është e artikuluar në formën tjetër, tek programi ynë, flitet qartë për mënyrën se si mund të dilët nga ky qorrsokak. Nuk është një libër i shkruar për të renditur kujtime, por një libër që nisi si rrëfim i vetvetes që pata dëshirë ta ndaja me të tjerët me riskun që mbart. Në këtë libër gjenden të gjitha arsyet e mira pse ne jemi gati për t’i dhënë Shqipërisë ndryshimin që meriton. Nëse të jesh politikan do të thotë të bësh pazare të pista, do të thotë të pranosh që qëllimi justifikon cdo mjet atëherë unë jo vetëm që nuk jam, por nuk dua kurrë të jem politikan. Në reflektime kam pranuar gabimet dhe të metat, por nuk kam arritur në konkluzionin që këto janë pasojë e mosqënies time politikan…”
(burimi: gazeta shekulli)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?