Rama-Meta sinjale paqeje,PS
tërheq ligjin për Presidentin

Rama-Meta sinjale paqeje,PS<br />tërheq ligjin për Presidentin<br>
Sinjale paqeje mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas një stine konfliktuale dhe të përndezur politike, e mbushur me akuza të forta nga ana e LSI, kërcënime dhe sulme të ndërsjella, përfshirë edhe prishjen e koalicionit, daljen më vete në zgjedhje dhe shkarkimin e disa drejtorëve të LSI nga ana e PS, mes dy forcave politike ka shkrirje akujsh.

Nuk dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, por shumica parlamentare ka hequr nga axhenda e punimeve të Kuvendit projektligjin për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, që do të thotë se kjo nismë ligjore nuk mund të votohet nga Parlamenti për të paktën gjashtë muaj. Projektligji që rregullon veprimtarinë e Presidencës u përfshi në axhendën e punimeve të Kuvendit, për këtë sesion të ri parlamentar, në mesin e muajt shtator.

Ndërkaq, këtë të enjte, u mblodh Konferenca e Kryetrarëve për të përcaktuar programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në 22 dhjetor të këtij muaj. Projektligji për Presidentin e Republikës së Shqipërisë nuk figuron as në programin e punës dhe as në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë. Projektligji për Presidentin figuron me statusin ‘i tërhequr’ edhe në arkivin e projektligjeve dhe ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë. Projektligji për Presidentin ishte depozituar në Kuvend nga deputeti socialist Ulsi Manja, që në fund të viti 2016. Por, nga verifikimet, nisma është tërhequr përfundimisht ditët e fundit.

Lëvizja tjetër
Në të njëjtën kohë, shumica në pushtet është tërhequr, të paktën përkohësisht, edhe nga shkarkimi i kryeprokurorit Adriatik Llalla si dhe nga shkarkimi i kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Siç dihet, përpos Partisë Demokratike, kryeprokurori Adriatik Llalla është votuar dhe mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Krahas tërheqjes nga nismat në fjalë, kryeministri Edi Rama, gjatë seancës së fundit plenare, ftoi opozitën për dialog.

Po gjatë ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta u shfaqën sëbashku në kremtimin e festave të Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit. Përpos precedencës së përbashkët në ceremonitë për 28-29 Nëntorin, mes Ramës dhe Metës nuk munguan as batutat. Nga ana tjetër, kryetarja LSI, Monika Kryemadhi, ishte në krah të kryebashkiakut socialist të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ditën Çlirimit.

Projektligji për Presidentin  
Nisma përcaktonte rregulla lidhur me pozicionin e kreut të shtetit, kriteret e përzgjedhjes, pamundësinë në kryerjen e funksionit, procedurën e shkarkimit, ushtrimin e detyrës, statusin e tij, statusin e familjes, organizimin e brendshëm të institucionit etj. Përpos të tjerave, neni 48 i projektligjit, parashikonte që Presidenti, pas mbarimit të mandatit, nuk mund të merrte me vete asnjë dhuratë që ka marrë nga të huajit gjatë vizitave jashtë vendit apo gjatë pritjes së zyrtarëve të huaj në Shqipëri.

Projektligji e detyronte Presidentin të dorëzonte dhuratat e çdo lloji, duke i konsideruar këto të fundit pronë e shtetit dhe jo e kreut të shtetit. Nisma shihej në disfavor të kreut të shtetit, pasi i hiqte edhe disa privilegje Presidentit të Republikës dhe familjes së tij.

Kalendari i punimeve të Kuvendit deri në 22 dhjetor
Projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”. Projektligj “Për disa shtesa në ligjin nr. 93/2015 “Për turizmin”. Projektligji “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”.

Projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 69/2012 “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”. Projektligji “Për statusin e minatorit” (Punonjësve të minierave në nëntokë). Projektvendim “Për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.

Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10031, datë 11.12.2008, “ Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”. Projektligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10385, datë 24.2.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”. Projektvendim “Për strategjinë e edukimit ligjor të publikut në Republikën e Shqipërisë”. Projektligji “Për provimin e shtetit për profesionin e juristit”.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8331, datë 21.4.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. Projektrezoluta “Për dënimin e fenomenit të dhunës në familje dhe marrjen e masave urgjente për evidentimin e situatës dhe gjetjen e mekanizmave efikas ligjor për parandalimin e këtij fenomeni”.

Projektrezolutë “Për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Axhendës 2030 të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”. Projektligji “ Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”. Projektligji “Për ndihmën juridike”.

Projektligj “Për aderimin e RSH në marrëveshjen ndërkombëtare për vajin e ullirit dhe ullinjtë e tavolinës 2015”. Projektligji “Për ratifikimin e dokumenteve ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit të modernizimit të asistencës sociale, ratifikuar me ligjin nr. 84/ 2012”.

Projektligje të tjera
Projektligj “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”. Projektligj “Për krijimin e Institutit të Studimeve për Kujtesën e Luftës së Dytë Botërore”.

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7651, datë 21.12.1992, “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”.

d.c./shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje