Takimi me aleatin kryesor të qeverisë së re ka qenë kofidencial, madje i palajmëruar as nga zyrat për shtyp të dy partive. Asnjë prej drejtuesve nuk ka dashur që të japë detaje rreth takimit, ndërsa burime nga dy partitë bëjnë të ditur se temë e diskutimit ka qenë formimi i qeverisë së re dhe periudha e tranzicionit gjer në shtator. Mësohet se në takim është diskutuar edhe për ecurinë e programit qeverisës me të cilin është angazhuar një grup i përbashkët pune mes PS dhe LSI.
Krerët e këtij grupit, Ilir Beqja i PS dhe Edmond Haxhinasto i LSI, deklaruan se brenda dhjetë ditësh programi qeverisës do të jetë gati. Takimi midis kreut të PS-së Edi Rama dhe Ilir Meta nuk është i pari që zhvillohet gjatë këtyre ditëve, ndërsa kanë qenë të shpeshta edhe takimet informale të dy liderëve të së majtës.
Sa i përket formimit të qeverisë, mbetet ende në pritje për t’u diskutuar numri i ministrive që do të ketë qeveria e re, edhe pse e sigurt është se do të ketë një shtim si pasojë e ndarjes së punëve. Në varësi të numrit të ministrive dhe të programit qeverisës për të cilin po punojnë grupet e punës, do të fillojë edhe puna për ndarjen e drejtimit të këtyre dikastereve.
QEVERIA E RE
Torta e qeverisë së re do të ndahet mes partive aleate që kanë arritur që të marrin deputetë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku pas PS, pritet që pjesën më të madhe të posteve do ta marrë LSI. Edhe pse jo zyrtarisht deri më tani qarkullojnë disa emra që mund të zënë postet e ministrave, ku do të ketë edhe shtim të ministrive. Emrat më të përfolur brenda kampit të majtë janë ata të Roland Bimos për Ministër i Jashtëm, ndërsa tek Ministria e Financave, Shkëlqim Cani ose Anastas Angjeli.
Sajmir Tahiri përflitet në postin e ministrit të Brendshëm. Ministria e Ekonomisë flitet se do të drejtohet nga Mimi Kodheli, ndërsa Milena Harito Ministrinë e Teknologjisë dhe Inovacionit. Erjon Veliaj flitet që mund të marrë Ministrinë e Emigracionit që pritet të krijohet, ndërsa Fidel Ylli Ministrinë e Sporteve, pasi pritet një ndarje nga Ministria e Kulturës që pritet të drejtohet nga Auron Tare. Shëndetësia pritet të drejtohet nga Klodiana Spahiu.
LSI pritet që të marrë Ministrinë e Arsimit dhe të Transporteve. Tek Arsimi emri më i përfolur është Shezai Rrokaj. Pa poste nuk do mbetet dhe Aleanca Popullore që shpreson që të marrë Ministrinë e Bujqësisë dhe Mark Frroku që është në bisedime për Ministrinë e Mjedisit. Ndërsa PBDNJ-ja duket se e ka të sigurt postin e ministrit të Punës.
Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)