Rama-Meta takim për reformat
dhe investimet, koalicioni në paqe

Rama-Meta takim për reformat<br />dhe investimet, koalicioni në paqe
TIRANE- Paraditen e djeshme kryeministri Edi Rama ka mbërritur në zyrën e kryeparlamentarit Meta, duke ju rikthyer kështu traditës së takimeve të së mërkurave mes dy krerëve të koalicionit qeverisës. Takimi mes tyre vjen dy ditë pasi Nasip Naço, ministër i drejtësisë, dorëzoi dorëheqjen, dhe u zëvendësua nga një tjetër emër i LSI-së, Ylli Manjani. Burime brenda mazhorancës bëjnë me dije se nuk priten ndryshime të tjera në qeveri, dhe se me zëvendësimin e ministrit të drejtësisë, janë arritur “impulset e nevojshme”. Takimi i djeshëm kokë më kokë mes Ramës dhe Metës mendohet të jetë fokusuar tek aksioni më i rëndësishëm qeverisës.

Sfida më e madhe e këtyre muajve është paketa e re fiskale. Pak ditë më parë, të dy partitë politike zhvilluan një takim me drejtuesit më të lartë të saj në një prej vilave qeveritare, ku u diskutua konkretisht për këtë çështje. Siç tha në përfundim të mbledhjes ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, koalicioni do të jetë i orientuar drejt uljes së taksave dhe të një pakete me fokus mbështetjen e fortë sociale. Mësohet se vijëzimi i këtyre kontureve kryesore të buxhetit, ka qenë pjesë e diskutimit mes kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta. LSI insiston tek një mbështetje më e madhe për bujqësinë dhe clirim të biznesit fason nga detyrimet fiskale.

Mirëqeverisja në vazhdim dhe fokusi i investimeve ka qenë në temë të bisedimit mes kreu të PS-së dhe atij të LSI-së. Ndërkohë, sot Kuvendi pritet të votojë dy dekrete të Presidentit Nishani, atë të lirimit nga detyra të Nasip Naços dhe atë të emërimit të Ylli Manjanit. Në këtë mënyrë, rifreskimi i qeverisë do të reflektohet në sallën e Kuvendit, dhe do të konkretizojë kështu ndryshimin e tretë të qeverisë Rama, pas dorëheqjes së Celibashit që u zëvendësua me Felajn, dhe largimit të Veliajt që u zëvendësua me Klosin. Pas dorëheqjes së Naços, u përhapën zëra se një tjetër dorëheqje pritej dje nga radhët e ministrave të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

U tha se pas progresraportit që nuk shprehte hapa konkretë në përmbushjen e 5 prioriteteve, do të ishte pikërisht, Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha ajo që do të dorëzonte dorëheqjen tek kryeministri Rama. Në orën 13:00 u njoftua një konferencë shtypi e saj nga kryeministria. Dhe kjo u lexua si pritja e një dorëheqjeje, zëra të cilat u mbytën menjëherë sapo filloi konferenca. Klajda Gjosha, si për të konfirmuar të kundërtën, komunikoi me publikun reflektimin e qeverisë ndaj progres-raportit të KE-së. Kampet e dy partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, shprehen për një rikthimin e një klime të mirë në koalicion, dhe për një vijueshmëri të qetë të saj në qeverisje. Kujtojmë që në kulmin e debateve për një çarje të madhe në koalicionin qeverisës, Nënkryetari i LSI-së. Përmes një interviste në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, tha se koalicioni është solid, dhe se ai do të vijonte edhe në vitin 2017.     

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë

Zyrtarë të Ambasadës së SHBA takohen me kreun e AMP, Sulejmani: Mirënjohje për mbështetjen e dhënë