Ndërkohë i pyetur nga gazeta "Shqiptarja.com", sekretari i Organizimit në PS, Blendi Klosi e ka mohuar në fakt në tillë, duke u shprehur se "unë jam anëtar kryesie, por kjo që thoni ju nuk është e vërtetë". Kreu socialist Edi Rama ka qënë i detyruar që të reagojë në këtë mënyrë në lidhje me informacionet që dalin jashtë mbledhjes së grupit parlamentar socialist në media, jo vetëm për faktin se ato janë probleme organizative dhe diskutohen medyer të mbyllura por dhe për arsyen e thjeshtë se ato dalin në media të deformuara, sipas dëshirave të deputetëve që i nxjerrin. Pikërisht për këtë arësye, kryetari i PS ka kërkuar që të mos bëhen publike ato që diskutohen në mbledhjet me dyer të mbyllura, aq më tepër që dalin në mënyrë lineare dhe të detajuara sipas tij. Për të, nëse vijon kështu, më mirë mbledhjet e grupit të PS, të zhvilloheshin të hapura për mediat. Pjesë nga debati në këtë mbledhje po i japim në vijim.
Edi Rama mësohet të ketë thënë se "është e domosdoshme që të flasim për të gjitha shqetësimet tona në këtë tryezë, e cila do të jetë e përjavshme. Një organizim i tillë, me deputetët që s'janë anëtarë kryesie bëhet për vetë faktin e krijimit të mundësive që gjithkush në PS të jetë i angazhuar në funksion të mirëvajtjes së punës. Duke qenë se deputetët që janë anëtarë kryesie, kanë mundësi të flasin dhe në mbledhjet e kryesisë, mendoj se këto takime me ju të shërbejnë si tribunë ku të diskutohen hapur dhe me serizitet të gjitha shqetësimet dhe problemet e PS. Tani dhe një problem tjetër. Mendoj se në këto takime të jeni të hapur dhe të diskutoni gjithçka, por duke qënë probleme organizative s'ka pse të dalin jashtë në media, të interpretuara sipas dëshirës. Ndaj them se këto gjëra duhet të eliminohen në të mirë të PS, pasi ç'kuptim ka që të zhvillohen mbledhjet e grupit me dyer të mbyllura. Më mirë të jenë të hapura".
Alfred Dalipi ka thënëse "Nuk jam dakord me ato çfarë u thanë për daljen e informacioneve nga deputetët përtej dyerve të mbledhjes së grupit parlamentar. Madje mund të them se më shumë infomacione të detajuara dalin nga mbledhjet e kryesisë së PS, që janë një grup më i vogël se sa nga mbledhjet e grupit parlamentar. Sa për mbledhjet e grupit, për mua të bëhen të hapura ose të mbyllura, pasi s'ka çfarë informacioni del, se për ligje dhe senacat parlamentare të radhës bëhet fjalë".
Edi Rama ka thënë se "unë paraqita një shqetësim në këtë takim, nuk vura gishtin askund. Ndërsa në lidhje me mbledhjet e hapura të grupit parlamentar, mendoj se nuk do të sillnin as dobi por as dëm. Pasi në këto mbledhje të hapura do ketë vetëkufizime në prani të medias, dhe si mbledhje për punë do të kishte pengesa për t'u shprehur, pra do kufizohej debati. Por, do pengonte interpetimin sipas dëshirës të debateve siç bëhet me ato me dyer të mbyllura. Mirëpo as Partia Laburiste nuk i bën të hapura mbledhjet e grupit, por gjithçka mbetet për t'u diskutuar. Por ju më mirë hapuni në këtë takim të përjavshëm, pasi mungojnë hapësirat ku të shpreheni për problemet e partisë e si të përmirësohet puna".
Et'hem Ruka ka thënë se "Unë nuk e kuptoj se çfarë janë këto thirrje: hapuni, hapuni. Ne kemi çdo javë mbledhjen e grupit parlamentar dhe i themi aty hapur dhe me sinqeritet të gjitha mendimet dhe shqetësimet tona. Në grup mund të flasim për probleme pa fund dhe s'kemi pasur kufizime e probleme se s'kemi ku të shprehemi. Por unë s'jam kundër krijimit të këtyre tryezave".
(aq/shqiptarja.com)