“Dua ta shoh Shqipërinë në Bashkimin Europian brenda 10 vitesh”. Kjo ka qenë deklarata e kryeministri Edi Rama, në një intervistë televizive, duke paralajmëruar se Shqipëria ka me të vërtetë punë në rrugën e saj drejt bashkimit Evropian. Kryeministri i ri i Shqipërisë Edi Rama ka dhënë një intervistë për rrjetin televiziv ‘Euronews’, e cila pritet të transmetohet e plotë ditën e sotme.

Rama deklaroi se integrimi i Shqipërisë në union është prioritet kyç i mazhorancës së re qeverisëse dhe se për këtë ajo ka marrë angazhime serioze që në bashkëpunim dhe me opozitën shqiptare, do të plotësojë të gjitha reformat integruese vetëm e vetëm që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane. Intervista është dhënë pas takimeve që Rama pati në Bruksel me zyrtarët e BE.

Në takimet me Ramën, presidenti i BE-së Van Rompuy dhe presidenti i KE-së, Barroso, shprehën mbështetjen për qeverinë e re, duke kërkuar konsolidimin e progresit në reformat kyçe, në mënyrë që Shqipëria të mund të marrë sa më shpejt statusin kandidat. Barroso dhe Van Rompuy theksuan se statusi për Shqipërinë është gjithnjë e më afër, ndoshta brenda këtij viti.

Shkrimi u publikua sot (18.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)