TË RINJ LARG LLOTOVE
Rama e ka nisur diskutimin me qytetarët, duke përmendur mangësitë në sistemin arsimor. "Të kemi të rinj përtej llotove, kemi program për një korpus me të rinj, që duan të marrin pjesë në ndryshimin e jetës së vendit. Me pasionin dhe vullnetin, që ka kryetari i bashkisë, bashkë me deputetin, do bëjmë aktivitete, që do e pasurojnë jetën e rinisë së Kavajës", premtoi Rama.
PLAN PË TRAJNIMIN PROFESIONAL TË GRAVE
I pyetur për problemin e punësimit të gruas në Kavajë, Rama u shpreH se "këtu ka pasur një ngërç shumë të madh. Kur vinim këtu takoheshim me një grusht burrash dhe nuk kisha parë gra dhe vajza, me përjashtim të atyre që ishin prej kohësh në forumet e PS. Por sot si rrallë në qytete të tjera shoh një përfshirje shumë të madhe të grave dhe vajzave. Kjo është shprehje e një çlirimi të madh, që ka ndodhur brenda shoqërisë dhe komunitetit", tha Rama.
"Në politikat tona të punësimit në sektorin publik do jemi të vëmendshëm të ruajmë barazinë gjinore, e t’u japim përparësi grave dhe vajzave dhe do nxisim investimet prodhuese, që sjellin hapjen e vendeve të reja të punës", theksoi Rama.
Ai shpalosi angazhimin për një plan të madh ambicioz për trajnimet e grave "jo si vendet e punës të Saliut, që thoshte kemi hapur 200 mijë vende pune, ndërkohë që INSTAT thotë se janë humbur 51 mijë vende pune. Ne me spote mund të hapim edhe 1 milion vende pune, por duhen vende reale".
DO HEQIM TAKSËN E BARNAVE
Shqetësimi qytetar të një pensionisteje, se me një pension hanë, pinë 5 veta dhe ilaçet i marrim shtrenjtë dhe s’kanë efkt fare, Rama iu përgjigj: “Janë allçi”.
Rama ka kaluar tek taksa mbi barnat. “Këta kanë vendosur taksë për ilaçet dhe në çdo aspirinë që pinë pleqtë iu marrin 10% taksë. Ne do ta bëjmë zero dhe nuk do lejojmë asnjë ilaç, që të shitet më shtrenjtë se aty ku e blejnë, se në vendet e origjinës", ka thënë Rama.
Ai ka shtuar se "tek ne ilaçet kushtojnë më shtrenjtë se në Itali. Por edhe kontrolli i cilësisë së ilaçeve do jetë më i rreptë. Edhe kimikatet po njësoj pa cilësi. Pasi blejnë farë për kumbull e u del ulli. Është bërë çorap", tha Rama.
KAVAJA, SOT TJETËR SITUATË PSIKOLOGJIKE
Ndryshimet që kanë ndodhur këto dy vjet nën drejtimin e bashkisë së Kavajës nga PS, duke filluar nga ndriçimi, lulishtet, është shprehje se qyteti po merr tjetër frymë. Pavarësisht se këto nuk japin për të ngrënë. Por më parë kur kaloja në qytet nuk shihja një njeri duke qeshur dhe thoja, “këta edhe me dy gishta lart, edhe s’qeshnin. S’shihja një tuj qesh. Sot ka tjetër situatë nga ana psikologjike qyteti. Është një qytet model për nga pastërtia”, evidentoi Rama.
DY GISHTAT T'IA ÇOJMË SALIUT TE LULISHTJA E PD
"Dy gishtat do i marrim t’ia çojmë Saliut te lulishtja e PD, ose si muri i Berlinit, t’i thyejmë e t’i marrë secili nga një copë", ka ironizuar Rama, i shoqëruar nga të qeshurat e të pranishmëve. "Të bëjmë një shesh si qendrat mesdhetare, projekti i xhamisë së re. Sa herë e takoj kryetarin tuaj të bashkisë, më thotë: “aman xhaminë”. Kemi dhe projektin e stadiumit, por projekti i stadiumit, me tribunë të lartë që mos na kërcejë më te skuadra mike".
DO BËJMË REGJISTRIM TË SAKTË TË INVALIDËVE
'Ka pasur një ligj, që e detyronte qeverinë që për çdo ligj që lidhej me personat me aftësi të kufizuar, që t’i dëgjonin, këta e hoqën. Edhe vullnetin për t’i dëgjuar nuk e kanë. Kush nuk është regjistruar, ata që janë realisht invalidë humbasin për shkak se gjithëfarë spekulantësh regjistrohen invalidë e marrin lekë. Do bëjmë regjistrim të saktë dhe do fillojmë të ndërtojmë mbështetje për ta, duke u munduar t’i përfshijmë me vende pune të veçanta", premtoi Rama.
Ai ka kujtuar, se i ka bërë përshtypje kur ka vizituar në bashkinë e Dusseldorfit në Gjermani, që dy persona me aftësi të kufizuara punonin në bashki. "Kryetari më tha, që të dy kishin mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyer". Rama ka shtuar se, ne do synojmë një politikë, që mos ketë paragjykime dhe diskriminim dhe përfshirje në punë është shumë e rëndësishme për ndjeshmërinë e njerëzve".
ELVIS ROSHI: KAVAJA RILIND VETËM ME EDI RAMËN
Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, pasi ka theksuar se “kemi punuar me sakrifica shumë të të mëdha” ka bërë të ditur se “kryeministri dy herë ua vodhi fondet qytetarëve të Kavajës”.
Roshi, kandidati i PS-së, ka theksuar se Edi Rama e ka vlerësuar dhe po e vlerëson Kavajën në maksimum, duke zgjedhur djalin tonë Paridin deputet”.
Ai ka thënë se lindën fëmijët në Kavajë, Berisha në krye të vendit, u rritën e martuan fëmijët Berisha prapë në krye. “T’i japim të shtytmen e ta shporrim një herë e përgjithmonë, sepse e vetmja rrugë për të rilindur projektet e bukura, që kemi në bashki është fitorja e Edi Ramës dhe PS”, përfundoi Roshi.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)