Rama: Në vjeshtë plotësojmë 5
prioritetet, hapim negociatat

Rama: Në vjeshtë plotësojmë 5<br />prioritetet, hapim negociatat
TIRANE- Qeveria shqiptare angazhohet të plotësojë të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave në vjeshtë të këtij viti. Kryeministri Rama tha para kancelares Merkel se në fund të vjeshtës do të aplikohet për një datë për hapjen e negociatave për anëtarësim, kohë kur 5 prioritete do të jenë të plotësuara.

"Duke mbështetur plotësisht atë që sapo shpjegoi Kancelaria dhe duke pasur në tryezën tonë të punës të gjithë listën e kërkesave që duhet të plotësojmë bazuar në pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Evropian, ne kemi marrë një zotim dhe do ta mbajmë, që në fund të vjeshtës së këtij viti do t’i plotësojmë të gjitha, përfshirë edhe paketën e reformës në drejtësi, që do t’i kalojë parlamentit për miratim si një nga reformat më rrënjësore të bëra ndonjëherë në Shqipëri, prej çerek shekulli tanimë. Në atë moment na lind  e drejta të përkojmë një datë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE. Unë jam i bindur që përsa na takon, ky është një proces që në radhë të parë, vlerën e ka këtu dhe e ka për ne. Gjithçka që po bëjmë nuk janë detyra që i bëjmë se na i kërkojnë në Bruksel, por janë detyra që i vlejnë modernizimit të shtetit dhe demokratizimit të shoqërisë këtu tek ne. Me të kaluar në fazën kur ne do të kemi përmbushur të gjitha detyrat, unë kam bindjen që Kancelarja do të jetë e para që do të na mbështesë për të hapur negociatat",- tha Rama.

Merkel u shpreh se BE nuk është lodhur nga procesi i zgjerimit dhe theksoi se ky proces varet vetëm nga përmbushja e kushteve.

“Në fakt nuk jemi duke përcaktuar afate të qartë në këtë proces. Ajo çka na e përcakton ritmin është përmbushja e standardeve apo të qëllimeve dhe të objektivave. Që prej momentit të dhënies së statusit të vendit kandidat duhet të përpunohet një program i caktuar dhe arritja e standardeve të caktuara, duhet hartuar një plan i caktuar masash dhe veprimesh. Këtu ka prioritete të caktuara, të cilat nuk i vendos unë, por është Komisioni Evropian, ai që  vendos nëse Shqipëria i ka përmbushur kushte apo prioritete të caktuara. Më lejoni të përmend, për shembull, prioritetin e reformës në sistemin e drejtësi. Janë bërë në fakt progres në këtë drejtim, por nuk është realizuar në mënyrë të plotë. Sigurisht që Komisioni Evropian i kushton rëndësi realizimit të plotë  dhe më pas, edhe faktit nëse ajo çka është në letër zbatohet në mënyrë të plotë. Unë e di tanimë që shumë vende presin që ky proces të shkojë përpara dhe thonë pse zgjatet kaq shumë ky proces. Por do të doja t’i siguroja se ky nuk është një proces që ne e ngadalësojmë në mënyrë artificiale. Ne duam anëtarësimin e vendit tuaj dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por është një proces, i cili vlerësohet herë pas here, në momente të caktuara. Gjithsesi, në përgjithësi mund të them se Shqipëria ka bërë progres mjaft të mirë”,- tha Merkel. Më tej, Rama u shpreh se, duket jashtë mode që ne në Ballkan duam të hyjmë në BE, ndërsa në BE ka disa që duan të dalin nga unioni. “Duket si jashtë mode që ne duam të hymë, dhe të tjerë që duan të dalin. Ne preferojmë të jemi jashtë mode se sa të jemi palë me ata që duan të dalin nga historia e s’dinë ku do shkojnë",- tha Rama.
 
Rama: BE ka nevojë për Ballkanin, sa Ballkani për BE
Në konferencën me kancelarin Merkel, kryeministri Rama ka përsëritur dhe një herë qëndrimin se integrimi i Ballkanit është me interes edhe për vetë BE-në.

“Bashkimi Evropian është krijuar mbi premisën se integrimi ekonomik dhe politik është alternativa më e sigurt e luftës dhe e konfliktit. I gjithë rajoni ynë është sot një dëshmitar i gjallë i fuqisë tërheqëse të BE-së si rruga e të ardhmes sonë të përbashkët, në të cilën po ecim përmes reformash transformuese për shtetet e shoqëritë tona. Por sot është e qartë po ashtu, se Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin po aq sa ka nevojë Ballkani për Bashkimin Evropian. Pa fuqinë tërheqëse të Bashkimit Evropian, ëndrrat tona rrezikojnë të kthehen në një boshllëk për makthet e të shkuarës”,- tha Rama. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)

Policia e Kosovës shpall në kërkim 3 shqiptarë, si bashkëpunëtorë në kultivimin dhe tregtinë e drogës (EMRAT)