ZAGREB- Në cilësinë e kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama u bë pjesë e ceremonisë zyrtare në Zagreb për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimeve me kryeministrat e vendeve të rajonit si dhe përfaqësuesve më të lartë të BE-së, biseda është përqëndruar  në bashkëpunimin reciprok si dhe interesin e vazhdueshëm të këtyre vendeve për hapat që do të ndjekë Shqipëria në rrugën drejt integrimit europian. 

Zyra e shtypit e selisë PS, e cila zbardhi axhendën e takimeve të Ramës në Zagreb, bën të ditur se numri 1 i socialistëve mori urimet për fitoren e zgjedhjeve parlamentare nga të gjithë të pranishmit. 

Gjithashtu, Rama pati mundësinë të zhvillonte disa takime pune me Zv.Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit Philip Reeker, me Komisionerin për Zgjerim Stefan Fyle, me Kryeministrin sllovak Robert Fico dhe Zv.Kryeministrin e njëherësh ministër i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Laicak, me Zv.kryeministrin e njëkohësisht ministër për çështjet e BE të Danimarkës Nicolai Wammen, me ministrin e punëve të jashtme të Suedisë Carl Bildt, si dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)