INTERVISTA E PLOTE
Z.Rama Shqipëria po përballohet me shumë sfida, përderisa ju thoni se ekonomia ngec kryeministri Berisha ekonomin shqiptare e barazon me atë gjermane. Cili është opinioni juaj?
Opinioni im është ai që cituat ju në pyetjen tuaj dhe realiteti është ai i familjeve shqiptare që shpenzojnë më shumë se dje për të blerë më pak se dje. Ndërkohë që kush fiton më pak lekë paguan më shumë taksa dhe kush fiton më shumë lekë paguan më pak taksa. Sot një infermiere paguan më shumë taksa se Doktori kryeministër. Dhe kjo është një padrejtësi që ne duam ta eliminojmë duke vendosur një sistem të drejtë taksimi dhe duke bërë që familjet e zakonshme të kenë më shumë mundësi për të jetuar e më pak taksa për të paguar.
Nga analistë të njohur vendor dhe të huaj është konstatuar se Partia Socialiste e Shqipërisë do të fitojë zgjedhjet e ardheshme parlamentare qofshin ato të rregullta ose të parakoheshme. Pajtoheni me këtë?
Pajtohem plotësisht me këtë me kushtin që zgjedhjet të mos vidhen siç u vodhën në qershorin e vitit 2009 apo në 8 majin e këtij viti në Tiranë.
Mendoni se këtë rrugë do ta vështirësoi të qenurit jashtë PS-së, Nano dhe Meta?
Ilir Meta s’ka asnjë lidhje me PS-në e me socialistët a progresistët. Ai është ulur në prehrin e Sali Berishës për të përfituar nga pushteti i dalë me vota të vjedhura dhe do të qëndrojë në atë prehër deri kur të largohet bashkë me Sali Berishën nga tryeza e qeverisë së Shqipërisë. Ndërsa Fatos Nano ka shpallur ambicien për të qenë një President mbi palët pasi është distancuar me vullnetin e tij nga Partia Socialiste për arsyet që ka dhënë edhe publikisht. Rruga jonë është e qartë dhe e hapur drejt fitores së zgjedhjeve pavarësisht tradhëtisë së madhe të Ilir Metës ndaj popullit opozitar dhe pavarësisht distancimit të Fatos Nanos nga jeta politike e Partisë Socialiste.
Nga ana tjetër ekziston një tezë logjike që pushtetin dhe partin e Berishës në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare pikërishtë Meta do ta dobësojë dhe shpije në disfatë, pas aferave koruptive të këtij të fundit?
Korruptimi i pushtetit të sotëm nuk është vepër e Ilir Metës po në radhë të parë e Sali Berishës. Disfata e tyre do të jetë e merituar dhe e përbashkët, sepse kanë braktisur interesat kombëtare e publike të shqiptarëve dhe e kanë kthyer qeverinë e Shqipërisë në një ndërmarrje fitimesh të paligjshme.
Cili është projekti i PS-së që do ua ofrojë shqiptarëve për ta ndryshuar këtë gjendje në të cilën gjenden?
Programi ynë për një Rilindje Shqiptare është në duart e publikut. Ne do ta detajojmë atë bashkë me njerëzit në çdo qytet e fshat dhe do ta bëjmë një instrument të fuqishëm të ndryshimeve për të cilat ka nevojë Shqipëria.
Z.Rama subjekte politike dhe jopolitike në Kosovës angazhohen për bashkimin e Kosovës me Shqipërin.A e mbështetni ju këtë ide?
Për ne bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të ndodhë nën qiellin e Europës së Bashkuar. Integrimi i plotë europian i Shqipërisë dhe Kosovës është vetë bashkimi i dy shteteve tona në rrugën e re të Bashkimit Europian.
Nëse realizohet kjo atëher çfarë me shqiptarët e Maqedonisë, Preshevës etj. Integrimi i tyre parashikohet me dhënjen e pasaportave dhe shtetësis së Shqipërisë.A e mbështetni edhe këtë ide?
Shqiptarët e Preshevës, Maqedonisë apo Malit të Zi duhet të jetojnë të lirë e të respektuar në trojet e tyre dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për një rajon ku pakicat janë ura lidhjeje mes shteteve e jo hendeqe vuajtjesh për njerëzit si edhe arsye dasish në rajonin tonë.
Pas takimit tuaj me shqiptarët e Maqedonisë u thyen shumë mite për Ju. Madje nga ato ka komente se z.Rama qenka shumë ndryshe nga që kemi dëgjuar. Kujt i është dashur të mbjellë një mit negativ te shqiptarët jashtë Shqipërisë për Ju?
Sali Berishës.
Cili do ishte vlerësimi juaj për eksponentët politikë shqiptar në Maqedoni Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani?
I respektoj si miq, si udhëheqës të shqiptarëve, si njerëz me pasion e vullnet politik për të përmirësuar jetën e shqiptarëve të Maqedonisë në kuadrin e një përpjekjeje të përbashkët për një Maqedoni që nuk mundet t’i trajtojë kurrësesi shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë.
Mendoni se partia e z.Ahmeti e cila është pjesë e qevrisë së Maqedonisë punon mjaftueshëm për shqiptarët?
Unë nuk kritikoj kurrë në publik zgjedhjet sovrane të udhëheqësve e të subjekteve politike shqiptare kudo ku veprojnë. Ali Ahmeti është një shqiptar i mirë, një burrë i mençur dhe një politikan me përvojë tanimë. Unë i besoj Ali Ahmetit, sepse jam i bindur që ai nuk do t’i tradhëtonte kurrë interesat shqiptare për shkak interesash politike të momentit.
Cili është opinioni juaj për partit opozitare shqiptare PDSH-në e z.Thaçi dhe RDK-në e z.Osmani?
Menduh Thaçin e kam mik po ashtu. Ka luftuar shumë për shqiptarët dhe ka pasur fatin e madh të ketë pranë vetes një mentor gjenial si Arbën Xhaferri. PDSH-ja është një opsion i pazëvendësueshëm për të çuar përpara punët e shqiptarëve të Maqedonisë dhe Menduh Thaçi është një udhëheqës i fortë i saj, tek i cili unë kam shumë besim.
Jeni të mendimit që spektri politik shqiptarë opozitarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqendoni herë pas herë duhet të zhvillojë takime të përbashkëta për të kordinuar politikën kombëtare?
Pse jo! Në këto vite shqiptarët dhe partitë e tyre, megjithë pengesat apo dobësitë, kanë bërë shumë për ta përparuar çështjen e lirive, të drejtave, sovranitetit të faktorit shqiptar. Por padyshim edhe më shumë mund të bëjmë dhe mund ta bëjmë vetëm së bashku.
(Intervista eshte botuar ne faqen http://www.express.mk/2012/02/19/edi-rama-bashkimi-i-shqiperise-me-kosoven-nen-qiellin-e-europes-se-bashkuar/)
(sg/shqiptarja.com)