Rama: Ndëshkim pa mëshirë kush
pengon luftën kundër informalitetit

Rama: Ndëshkim pa mëshirë kush<br />pengon luftën kundër informalitetit
VLORË - Kryeministri Edi Rama ka organizuar paraditen e sotme rreth orës 10:30 një takim me administratën tatimore të qytetit të Vlorës për të diskutuar mbi hapat e aksionit kundër informalitetit.

Në takim ku ishin të pranishëm drejtues të institucioneve të angazhuara në të, administrata tatimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati i Punës dhe Inspektori Shëndetësor, kryeministri Edi Rama kërkoi angazhim maksimal, profesionalizëm dhe ndershmëri nga administrata fiskale për suksesin e këtij operacioni, një operacion frontal, siç e nënvizoi Kryeministri, kundër informalitetit në çdo aspekt. 

Në takim kanë qenë të pranishme edhe drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj dhe drejtoresha e Tatimeve në Vlorë, Pranvera Resulaj.

“Është një operacion që vjen si një domosdoshmëri, pas një periudhe të parë ku janë hedhur hapa të rëndësishëm në luftën kundër informalitetit. Por, sikundër flasin qartësisht edhe radhët e gjata të kësaj periudhe të fundit në QKR, kanë qenë hapa të pamjaftueshëm, që kanë sjellë domosdoshmërinë e këtij operacioni frontal në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe, që të jemi të drejtë deri në fund, informaliteti nuk është një sëmundje jashtë sistemit të tatimeve, të doganave apo të agjencive të tjera që janë këtu të pranishme. Është një sëmundje që ka prekur prej shumë vitesh edhe këtë sistem, edhe këto trupa dhe ashtu si me lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, edhe me veprimtarinë e paligjshme ekonomike dhe tregtare, operacioni ka dy anë të medaljes; Përpjekjen e përditshme për të shkulur metastazat e këtij kanceri në rrjetin e veprimtarisë ekonomike dhe tregtare dhe në trupën e tatimorëve, të doganierëve dhe të inspektorëve të agjencive të tjera”, ka thënë Rama në këtë takim.

“Revolucion ekonomik”, e cilësoi më tej kryeministri, operacionin e nisur, që jo vetëm formalizon ekonominë, por garanton edhe fitimin e ligjshëm të biznesit të ndershëm, si dhe mbron konsumatorin.

Kryeministri lajmëroi fuqizimin e masave ligjore kundër të gjithë atyre që i bëhen pengesë këtij procesi.

Ky është një revolucion ekonomik dhe ju e kuptoni këtë, shumë mirë. Formalizimi i ekonomisë, dhënie e kujtdo, atë që i takon, fitimi i ligjshëm i cilitdo që bën sukses në veprimtarinë e tij ekonomike, apo që mban familjen e vet në punë me një biznes të vogël është domosdoshmëri që të mbrohet me çdo kusht nga shteti. Ndërkohë që, nga ana tjetër, çdo qindarkë që i takon qytetarëve në formë investimesh, ulje taksash dhe shërbimesh më të mira do të shkojë në arkën e shtetit. Kush del ndesh dhe kush i bëhet pengesë këtij procesi historik do të marrë ndëshkimin që parashikon ligji dhe që do të parashikojë edhe më qartë, edhe më ashpër, ligji, pas miratimit të kësaj pakete ndëshkimesh për informalitetin”, tha ndër të tjera ai.

Në përfundim të takimit, Rama i shoqëruar nga dy zyrtaret e larta, kanë vizituar një supermarket në qytetin bregdetar.

Marrja e kuponit dhe formalizimi i të gjithëve nuk është një shtypje e lirisë së biznesit të vogël, por e kundërta është e vërtetë, është një kornizë brenda së cilës sigurohet që gjithkush merr atë që i takon; konsumatori si individ merr mallin, kurse si qytetar merr mbrapsht në formën e investimeve, në formën e uljes së taksave, në formën e rritjes së rrogave, atë që i takon. Pika e shitjes është pika fundore e zinxhirit që në krye ka grosistët që shesin me shumicë dhe që janë edhe qendra e gravitetit qoftë të informalitetit, qoftë të këtij operacioni. Ky është thelbi”, tha Rama.

Ndërsa Shehaj tha se shteti duhet të mbrojë konsumatorin, për të mirën e të gjithëve.
 
“Ne do të jemi pjesë e suportit për konsumatorin. Ne duhet me doemos ta mbrojmë konsumatorin, që askush të mos vjedhë asgjë, çdo qindarkë t’i shkojë shtetit në fund, për të mirën e të gjithëve, për vendin tonë”, nënvizoi Shehaj.


Redaksia Online
(e.g/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate