Rama në Bruksel, dialog për
rikthimin e opozitës në Kuvend

Rama në Bruksel, dialog për<br />rikthimin e opozitës në Kuvend
BRUKSEL - Kryeministri Rama ka ftuar opozitën që të rikthehet Parlament, pasi janë plotësuar të gjitha kërkesat legjitime që kanë bërë. Këtë deklaratë Kryeministri Rama e ka dhënë gjatë konferencës për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Shultz, i cili gjithashtu ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

“Nuk kemi diskutuar në detaje. Sigurisht, diskutimi ynë u fokusua në të ardhmen dhe në nivelet e ndryshme të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, midis rajonit tonë dhe Bashkimit Europian. Dua ta falënderoj nga zemra Presidentin për angazhimin e plotë që të mbështesë dhe ndihmojë rajonin si i tërë, në mënyrë që të mos humbasë shpresën, por që të vazhdojë të punojë fort që t’i afrohet BE-së. Në lidhje me opozitën, e dini që unë nuk flas asnjëherë për opozitën në anglisht, por dua të nënvizoj se ne po presim që ajo të kthehet në parlament, kemi përmbushur të gjitha ato që ata i pretendonin si kërkesa legjitime. Në tw njëjtën kohë jemi të hapur për çdo gjë që ata do duan të propozojnë, menjëherë do ulemi të bisedojmë me ta për të gjetur zgjidhjen më të mirë, por pa u bërë e njëjta parti, sepse ky natyrisht nuk është një opsion”, u shpreh Rama.
 
Ndërkohë që më herët Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Shultz, theksoi se vendi i deputetëve është Parlamenti dhe për këtë ka nxitur edhe Ramën që të rikthehej në Kuvend kur ishte në opozitë.

“Ashtu siç thashë në fillim të deklaratës time, ne duhet t’i mbajmë fqinjët tanë sa më afër, të jetë e mundur, Bashkimit Europian. Konkretisht për Shqipërinë, rruga e Shqipërisë për në BE është që sa më shpejt të hapë kapitujt në kuadër të negociatave të anëtarësimit me BE-në. Përsa i përket parlamentit, kemi diskutuar bashkë në lidhje me bojkotin e Edi Ramës në Parlament dhe unë e kam thënë se parlamentarët zgjidhen që të shkojnë në parlament dhe votuesit nuk i zgjedhin që të rrinë jashtë tij, sepse kjo është detyra e parlamentarëve, edhe nëse nuk janë dakord me rregulloren, procedurat, strukturën. Si Kryetar i këtij Parlamenti unë kam të bëjë përditë me persona që marrin pjesë në të edhe pse nuk janë dakord me mazhorancën, me rregulloren, rezolutat ose çfarëdo qoftë. Vendi i një parlamentari është në parlament dhe jo jashtë tij. Këtë i kam thënë dhe Edi Ramës kur ishte në opozitë dhe e ftova që të kthehej në parlament, gjë që ai e bëri. Kështu që, unë nuk kam ndryshuar mendim në lidhje me këtë. Këshilla ime si parlamentar i zgjedhur është që të gjithë parlamentarët të punojnë në parlament”, tha Schultz i pyetur nga gazetarët për rrugën që duhet të bëjë Shqipëria drejt BE-së.



Gjatë Konferencës për mediat, Presidenti i PE-së u shpreh se gjatë takimit me Ramën ka pasur shkëmbim pikëpamjesh për marrëdhëniet e brendshme në Shqipëri, marrëdhëniet me fqinjët dhe situatën në botë dhe rolin e BE-së.

“Dua të falënderoj Edi Ramën për vizitën. Ne patëm një bashkëbisedim më të gjatë se ç’ishte parashikuar. Duhet t’ju them se diskutimi ynë ishte vërtet mbresëlënës, si dhe shpjegimet e Kryeministrit për situatën politike në rajon, marrëdhënien midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, këndvështrimet e Kryeministrit shqiptar rreth Bashkimit Europian, rreth rolit që mund ose që duhet të luajë Parlamenti Europian. Gjithashtu, diskutuam gjerë dhe për situatën e brendshme në vend, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet me vendet fqinje, si edhe folëm për situatën ndërkombëtare në mbarë botën dhe për rolin e Bashkimit Europian në ketë aspekt. Edi Rama dhe unë jemi miq prej shumë kohësh dhe e njohim njëri-tjetrin prej një kohe të gjatë, ndaj dhe takimi ishte shumë miqësor dhe i hapur. Unë dua të nënvizoj këtu se ne ramë dakord për shumicën e pikave në axhendë. Bashkimi Europian duhet ta mbajë derën e hapur për fqinjët, ky është pozicioni ynë i përbashkët. Ndaj dhe unë e pranova ftesën e Kryeministrit që të vizitoj Shqipërinë, në cilësinë e Presidentit të Parlamentit Europian. Unë do e vizitoj Shqipërinë shumë shpjet dhe dua t’Ju falënderoj z. Kryeministër për ftesën. Për momentin, është e nevojshme që liderët europianë t’i japin fqinjëve sinjalin që dialogu ynë vazhdon në bazë të një besimi reciprok dhe me një bashkëpunim sa më frytdhënës për të ardhmen. Shumë faleminderit, edhe një herë, për vizitën tuaj dhe për dialogun konstruktiv që patëm”, tha Schultz.

Ndërkohë që kryeministri Rama ndërsa shprehu kënaqësinë që Shultz do të vizitojë Shqipërinë, theksoi se Shqipëria do të ecë dhe do të tregojë një shembull në të gjithë drejtimet që ju doni të dëgjoni nga ne, si për shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, modernizimin.

“Ishte kënaqësi e madhe që bashkë me kolegët patëm mundësinë të kishim këtë shkëmbim intensiv dhe të hapur pikëpamjesh dhe rreth asaj ç’ka duhet bërë nga të dyja anët, si edhe për rëndësinë e madhe që Parlamenti Europian ka për rajonin tonë dhe për popujt tanë. Jam shumë i lumtur që dëgjova se më në fund do vini në Shqipëri. Kryetari ynë i Parlamentit e ka bërë ftesën me shkrim dhe unë shpresoj se kjo është koha e duhur, që si Kryetar i sapozgjedhur i Parlamentit Europian, të vini dhe t’i adresoni fjalën Tuaj parlamentit dhe popullit tonë. Përsa i përket pjesës tjetër, jam absolutisht i bindur se Shqipëria do të vazhdojë të ndërtojë një shembull në të gjitha drejtimet, tek shteti i së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, dhe mbi të gjitha, do të thosha modernizim në të gjitha drejtimet. Kam besuar gjithnjë se procesi i integrimit është një instrument unik për modernizmin ndaj dhe ne duam ta përdorim atë gjerësisht. Për ta mbyllur dua të nënvizoj se ne do donim të intensifikonim marrëdhëniet tona me Parlamentin Europian edhe në kuadrin e ekspertizës dhe në kuadrin e shkëmbimit në nivel deputetësh, për qëllime të ndryshme, sepse ne kemi marrë ndihmë nga ky parlament dhe do të vazhdojmë të kërkojmë ndihmë për të përmirësuar jetën tonë parlamentare”, tha Rama.

— Edi Rama (@ediramaal) December 9, 2014
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Divjakë/ Tre kundër tre, sherr me sende forta në lokal! 2 arrestohen, njëri në kërkim

Divjakë/ Tre kundër tre, sherr me sende forta në lokal! 2 arrestohen, njëri në kërkim