GJIROKASTER- Gjatë një takimi me banorë të minoritetit grek në fshatin Derviçan të Gjirokastrës, kreu i Partisë Socialiste i ka bërë thirrje të mos votojnë më Spiro Kserën, pasi jo vetëm nuk ka bërë asgjë për ta por dhe i ka përçarë.

“Për 8 vjet Spiro Ksera a solli ndonjë pikë ujë këtu, a mori ndonjë masë për dritat? Po a bëri ndonjë gjë për minoritarët? Tani që do humbasë pse ta hidhni votën për një personazh qesharak si Spirua? Ai është një personazh që e ka diskredituar plotësisht çështjen e minoritetit. Saliu gjeti këta tradhtarët si puna e Spiros, dhe përçau minoritetin. Minoriteti nuk ka lidhje me partitë, duhet të flasë me një zë, dhe të mos përçahet. Vota e minoritetit duhet të shkojë për të marrë në punë dikë, nuk është të mbani në punë Saliun” tha Rama.

Duke u kërkuar votën banorëve të Dervicianit, Rama tha se do të punohet më shumë për çështjen e minoritetit, duke garantuar punësim për ta.

JU GARANTOJ UJE 24 ORE
Më tej, kreu i PS-së është ndalur tek problematika e furnizimit me ujë të pijshëm. Në "Këndin e fjalës" pasditen e sotme Rama tha se qytetarët duhet të ndëshkojnë me votë një qeveri që për 8 vite nuk ka mundësuar një menaxhim të drejtë të burimeve ujore, jo vetëm për të garantuar ujë të pijshëm, por edhe për vaditje.

Kreu i PS tha se forca politike që ai drejton do të punojë ditë e natë për të garantuar ujë të pijshëm në rubinet.
 
“Saliu flet për anëtarësimin në NATO, ndërkohë që Shqipëria është i vetmi vend anëtar në NATO që nuk ka ka ujë të pijshëm dhe për vaditje”, tha Rama.

RAMA: MUNGON SIGURIA, DO NDERTOJME NJË POLICI NË SHËRBIM TË QYTETARIT
 
Duke u ndalur tek rritja e kriminalitetit në vend, të vjedhjeve dhe tek mungesa e sigurisë, kreu i PS tha se pas zgjedhjeve të 23 qershorit, forca politike që ai drejton do të punojë për ndërtimin e një policie në shërbim të qytetarit.
 
“Duhet të ndërtojmë një polici, e cila të jetë në shërbim të qytetarit. Do të arrijmë të vendosim sigurinë që kushdo që prek një qytetar, një pronë të një familje apo pasuri të përbashkët, po kështu do të përballet me krimin”, tha Rama.

Kreu i PS, premtoi mbrojtje dhe mundësi punësimi edhe për familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës.

"Do t’i garantojmë punësim dhe strehim çdo familje të një polici të rënë në krye të detyrës. Vetëm në këtë mënyrë, shteti garanton mundësi jetesë të familjarëve të policëve të ndarë nga jeta", u shpreh Rama.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)