Rama në Emiratet e Bashkuara
Arabe: Mbështesim investimet 

Rama në Emiratet e Bashkuara<br />Arabe: Mbështesim investimet 
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u prit nga personalitetet më të larta të vendit. Kryeministri shoqërohej në këtë vizitë nga ministrat Bushati, Ahmetaj e Tahiri, si dhe disa deputetë të grupit të miqësisë mes dy vendeve.
 
Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar u prit nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartësia e Tij, Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Princi i Kurorës shprehu interesin e vendit të tij për të parë mundësi të mëtejshme për bashkëpunim me Shqipërinë, me fokus të veçantë zhvillimin e infrastrukturës dhe investimet në fusha si turizmi apo agrobiznesi.

edi rama

Nga ana e tij, Kryeministri Rama shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për të asistuar  investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe bindjen e tij se këto investime jo vetëm që do të ndihmojnë ekonominë shqiptare, por do të ndihmojnë dhe në ngritjen e performancës në sektorët që do të preken nga to.
 
Në përfundim të takimit ishte organizuar një ceremoni e posaçme për nënshkrimin e dy marrëveshjeve, një për lehtësimin e vizave dhe tjetra në fushën e mjedisit. Marrëveshjet u firmosën nga Ministrat e Punëve të Jashtme, Abdullah bin Zayed bin Sultan Al Nahyan dhe Ditmir Bushati. Palët vlerësuan se këto marrëveshje do të hapin një stad të ri të bashkëpunimit mes të dy vendeve. Ndërkohë që u diskutua dhe për përgatitjet për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja dhe për organizimin e një vizite shtetërore të nivelit të lartë nga Emiratet në Shqipëri, shoqëruar me një vizitë me investitorë të interesuar për të investuar në Shqipëri. 

rama

Takimin e parë Kryeministri Edi Rama e zhvilloi me Shkëlqesinë e tij, Mohamed Al Murr, Kryetar i Këshillit Kombëtar Federal të Emirateve. Kryeministri Rama vlerësoi rolin rajonal të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe gjithashtu modelin që ata kanë vendosur për zhvillim të diversifikuar.  Nga ana e tij, Kryetari i Këshillit vlerësoi zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke u ndaluar veçanërisht tek zhvillimet rajonale dhe roli i Shqipërisë në nismat në rajon.  

edi rama


Po kështu, Al Murr vlerësoi edhe bashkëpunimin mes dy vendeve, duke theksuar se është e domosdoshme që shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimi të rriten edhe më tej në të ardhmen. Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është e hapur për investimet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, jo vetëm si një potencial për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe si një mundësi për të dy vendet për të zhvilluar edhe më tej bashkëpunimin në fusha me interes si turizmi, agroindustria, përpunimi apo zonat industriale.
  
Gjatë vizitës, Kryeministri Rama është pritur në një takim të veçantë edhe nga Mansour bin Zayed Al Nahyan, Zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara  Arabe dhe President i Fondit të Investimeve të Emirateve.

rama

Gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, delegacioni shqiptar i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama u ftua në Forumin e Investimeve, organizuar nga Dhoma e Tregtisë e Abu Dhabit, në bashkëpunim me Ministritë e Ekonomisë dhe Energjisë së Emirateve. Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës investitorë nga fusha të ndryshme si tregtia, turizmi, transporti, manifaktura, bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet financiare.
 
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama foli për Shqipërinë, vendin e mundësive për investitorët e huaj. Sipas Kryeministrit, ndërsa Shqipëria është në rrugën drejt Bashkimit Europian, qeveria po fokusohet në ngritjen e një modeli të ri ekonomik, bazuar mbi rigjallërimin e sektorëve strategjikë dhe mbi hapjen e plotë ndaj investimeve të huaja.

edi rama

“Ne jemi shumë të interesuar për t’i zhvilluar më tej marrëdhëniet në fusha të ndryshme si  energjia, burimet hidrike. Për ne është po ashtu me shumë interes eksplorimi i mundësive për  bashkëpunim në sektorin e përpunimit të ujit të pijshëm, për të cilin Shqipëria është shumë e pasur dhe me një cilësi shumë të mirë. Po ashtu, ne jemi shumë të interesuar për të tërhequr investime të huaja direkte në turizëm. Në javët në vijim, ne do të kalojmë në parlament, një ligj të ri për investimet e huaja direkte dhe për turizmin, i cili do të lehtësojë së tepërmi futjen e investitorëve të huaj në tregun  shqiptar. Mendoj se është gjithashtu një fushë e mirë për t’u zbuluar agrikultura, ku vendi ynë ka potenciale të mëdha dhe ne do të donin shumë të shihnim investitorë potencialë të investonin në këtë fushë.”- tha Rama
 
Kryeministri ftoi të gjithë sipërmarrësit prezentë që të organizonin një vizitë, për të parë nga afër zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si edhe për të marrë në konsideratë mundësitë që ofron vendi.


Redaksia Online
(g.f/a.h/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Përplasja në Këshillin Bashkiak, Tedi Blushi: Seanca ishte planifikuar për gjakderdhje! Veliaj ishte me anti-plumb, kishte njerëz të armatosur

Përplasja në Këshillin Bashkiak, Tedi Blushi: Seanca ishte planifikuar për gjakderdhje! Veliaj ishte me anti-plumb, kishte njerëz të armatosur