Rama në Golem: Që të dalim nga
mesjeta duhen ujë dhe kanalizime

Rama në Golem: Që të dalim nga<br />mesjeta duhen ujë dhe kanalizime
GOLEM - Kreu socialist, Edi Rama sot pasdite ka nisur një bashkëbisedim më banorët në Golem të Kavajës. Ai ka shoshitur shumë problematika të njohura mbi infrastrukturën, ujin, kanalizimet, taksat për fermerët, duke përmbledhur në tërësi premtimin "për një transfomim rrënjësor të fshatit". Mbi të gjtiha Rama ka theksuar se "që të dalim nga mesjeta ku ndodhemi duhet të kemi ujë dhe kanalizime".
 
TRANSFORMIM RRËNJËSOR FSHATIT

I pyetur mbi pesticidet, kullimet, vaditjet në fshat, Rama u përgjigj se "të gjithë së bashku do sjellim një transformim rrënjësor të fshatit, duke qenë të vetëdijshëm se pa rilindur fshati, nuk rilind Shqipëria. Pa prodhuar mirëqenie fshati, e jo mbijetesë, nuk u kthejmë dot buzeqeshjen shqiptarëve, që sot janë në lakun e borxheve. Do japim 160 mijë dollarë për ujitjen", premtoi Rama.  

HEQJE E TË GJTIHA TAKSAVE PËR FERMERËT
 
Rama u zotua se PS do të heqë akzicën e naftës dhe taksën e qarkullimit të naftës; do të heqë taksën 20% mbi gjithë imputet dhe makineritë bujqësore; do të krijojë me këmbëngulje kusht, që prodhimi të dalë në treg. "Besojmë se në 4 vjet do bëjmë një transfomim shumë rrënjësor në fshat", përmblodhi Rama.

NGA MESJETA NA NDAJ UJI DHE KANALIZIMET

Pasi ka thënë, se "rrugët janë copë-copë janë gjithandej, lëre çfarë thotë Saliu", Rama ka shtuar se "infrastruktura kërkon punë madhore, që ato rrugë të lëna rrugëve të bëhen me standarde".

"Nëse duam të ndahemi nga mesjeta atë e bën uji dhe kanalizimet. Pa ujë dhe kanalizime jemi në mesjetë. Si në ato historitë me kohën para luftës. Atje jemi ne. Duhet t’i garantojmë popullit ujë, kanale kulluese dhe kanalizime në tërësi. Se kjo e ndan Shqipërinë e nesërme me atë të paraluftës".

Rama ka theksuar se, po dalin prapë kënetat, po del këneta e Maliqit, pasi ka 20 vjet pa kanale kulluese. "Kënetën e Maliqit e kam lexuar vetëm në libra. Në Orikum po shfaqet zona malarike, po kërcet mushkonja balet".

Rama e ka lidhur këtë gjendje me faktin se nuk ka sistem normal kullimi, kanalizimi dhe nuk ka ujë normalisht. "Kush ka shkuar në shkretëtirat arabe të vjen 10 fish zor nga vetja; shkretëtirë dhe sheh parcela të gjelbra, pasi e çojnë ujin me pikatore në shkretëtirë, ndërsa ne kemi ujë dhe s’kemi ose përmbytemi. Sikur nuk jemi në Europë, po ku të them, jo në Europë po në gropë", shtoi Rama.

TRANSFORMIMI I KAVAJËS, VETËM FILLIMI
 
"Ju siguroj miqtë e mi që ajo që u provua në Kavajë me fitoren e kryetarit të bashkisë dhe ajo që po provohet përditë nga qytetarët e Kavajës është vetëm fillimi i një transformimi të madh", tha Rama.

I pyetur rreth problemeve të zonës, Rama u përgjigj, duke nënkuptuar Berishën: "E tha në mes të Kavajës, mes asaj turme të importuar. Për sa kohë do ishte Ervini i vogël kryetar bashkie nuk do i jepte kurrë lekë Kavajës. Nuk ka problem se është dhe për pak ditë. Roshi do jetë kryetar përsëri, se e ka merituar me punën e jashtëzakonshme, pavarësisht presioneve të panumërta ndaj tij".

Rama e ka mbyllur takimin, duke përsëritur lutjen për golemasit  dhe gjithë ata që dëgjojnë nga ekrani: "Në 23 qershor, kush do të japë një dorë për Rilindjen duhet të marrë dhe një që nuk ka votuar herën e kaluar, duhet të bindet. Kur e keqja e kap për fyti një popull nuk e kanë fajin të këqinjtë, por të mirët që nuk bëjnë asgjë.  

DO RRISIM RROGAT DHE PENSIONET

Pyetjes se ç'do bëhet me pensionistët, që kanë pensione të vogla, kur çmimet janë në stratosferë e ato s'dalin as për ilaçe, Rama fillimisht i është përgjigjur:
 
"Saliu do thoshte do i bëjmë pensionet 700 dollarë. Ne do vazhdojmë të rrisim rrogat dhe pensionet. Por rritja e pensioneve dhe rrogave, nëse nuk sjell rritjen e fuqisë blerëse s’ka vlerë. Po rrogat e mësuesve të rritura po t’i pyesësh, a blejnë më shumë, në fakt ata blejnë më pak. Duhet të bëjmë një ulje të përgjithshme të taksave për 95%, jo t’i heqim fare siç spekulon ai, por t’i ulim që nga shtresa e mesme, tek të papunët që paguajnë taksa të fshehura te fatura e energjisë 20%, 20% tek ushqimet bazë.
 
"Saliu e kundërshton taksën e ushqimeve, se thotë vijnë ato nga Ukraina, idiotësira. Do heqim edhe taksën e ilaçeve. Çdo njeri që ka një rrogë nga 300 e ca mijë lekë deri në 1,5 milionë do përfitojë nga taksimi i ndershëm. Një rrogë më shumë në fund të vitit vetëm nga skema e taksimit të ndershëm, që do shoqërohet me hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e ekonomisë familjare, pjesë e së cilës janë edhe legalizimet, që do rrisin futjen e kapitaleve. Një familje me shtëpi me dy kate si mund të jetë e varfër pa bukë? Se gjithë paratë i kanë hedhur te shtëpia", shpjegoi Rama, duke shtuar se "legalizimi i shtëpive e bën atë kapital aktiv, sepse qytetarët mund të marrin kredi".

DY GISHTAT NË KAVAJË SI DY SFURQE

"Dy gishtat i ktheu në sfurqe, që ua futi në sy gjithë shqiptarëve, se demokracinë e sollën studentët", komentoi Rama monumentin e dy gishtave në Kavajë. Rama shpejgoi se "sheshi i qytetit do jetë një shesh, që do nderojë Kavajën e demokracisë siç duhet, e jo me një monument që as dy gishta, as demokraci s’është ai monument, por si ata lapidarët mediokër të realizimit socialist".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mahmutaj për Report Tv: Suel Çela pagoi Artan Hoxhën për të manipuluar informacionet, i ka shtrirë tentakulat deri te gazetarët! Inskenuan kërcënimin

Mahmutaj për Report Tv: Suel Çela pagoi Artan Hoxhën për të manipuluar informacionet, i ka shtrirë tentakulat deri te gazetarët! Inskenuan kërcënimin