Rama: Në janar ikin të
korruptuarit nga drejtësia

Rama: Në janar ikin të<br />korruptuarit nga drejtësia<br /><br>
Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një bashkëbisedim me gazetarët në prag të festave të fundvitit, ku u ndal tek sfidat dhe pritshmëritë kryesore për vitin 2018.

Duke iu referuar procesit të Vetingut, shefi i qeverisë shqiptare tha se në janar të 2018 do të nisë pastrimi i pallatit të drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorët e korruptuar. “Dua ta filloj me faktin se sot jemi në kushtet e një tjetër stimulimi të një krize artificiale dhe përsëri, kjo lidhet qartësisht me reformën në drejtësi, me ecurinë e procesit të reformës dhe me pamundësinë e një pale për të pranuar pandalshmërinë dhe domosdoshmërinë, njëkohësisht, të reformës në drejtësi. Sidoqoftë, reforma ka bërë përparim të konsiderueshëm.

Institucionet e Vetingut tanimë janë në punë me orë të plota dhe besoj që në fillim të vitit të ardhshëm do të shikojmë rezultatet e para konkrete të punës për pastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”, tha Rama.

A ka frikë nga drejtësia?

Kryeministri Edi Rama u pyet dje nëse kishte frikë nga drejtësia e re. “Nuk ka rëndësi se çfarë them unë. Fjala ime është sidoqoftë në konflikt interesi.

Ka rëndësi se çfarë thotë drejtësia për këdo. Ju keni dëgjuar shumë politikanë t’i bien gjoksit, për të treguar virgjërinë e tyre. Unë nuk hyj tek ata që e bëjnë këtë, sepse nuk ka asnjë kuptim. Por di një gjë, që reforma në drejtësi është një nga obsesionet që unë kam pasur, në kuptimin e një prej pikave fikse, në idenë time sesi mund dhe duhet të bëjmë shtet këtu.

Për këtë arsye kam insistuar që të futej në programin e Partisë Socialiste, edhe pse Reforma në Drejtësi kërkonte ndryshime kushtetuese, në radhë të parë, sepse kam qenë i bindur që është një reformë, të cilës i ka ardhur koha dhe gjërave që koha u vjen, është e pamundur që t’u dalësh përpara dhe t’i bllokosh.

Në këtë pozicion, siç kam bërë gjithçka që kam pasur në dorë për ta garantuar ecurinë e reformës në drejtësi, do vazhdoj ta bëj. Kjo është ajo që unë mund t’ju them me siguri të plotë. Nëse kjo tregon se unë kam frikë nga drejtësia, ky s’është problemi im”, u shpreh kryeministri.

Paralajmërimi për PD-LSI

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dje opozitën shqiptare se shumica parlamentare do të ngrejë e vetme Këshilli e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, gjithnjë nëse opozita nuk bashkëpunoi, sikundër operoi për çështjen e kryeprokurorit.

“Do ngremë institucionet e drejtësisë, KLGJ dhe KLP edhe nëse opozita nuk bashkëpunon. Natyrisht, ne nuk do ta presim opozitën, siç nuk e pritëm në rastin e Prokurores së Përgjithshme, në rast se opozita nuk shfrytëzon kohën që është për dialog, për të bërë dialog.

Ka një kohë për të bërë dialog, ka një kohë për të vendosur. Kohën për të vendosur e përcakton në këtë rast legjislacioni, nuk e përcaktojmë ne. Ne respektojmë kohën që përcakton legjislacioni”, pohoi kryeministri.

Aksioni i opozitës

Kryeministri Edi Rama është ndalur edhe tek aksioni i paralajmëruar i opozitës. Rama tha se pushteti nuk merret me bojkote dhe djegie mandatesh. “Opozita mund të bëjë çfarë të dojë, por një gjë është e sigurt, që s’ka shans të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të marrësh rezultate të tjera.

Opozita i ka provuar të gjitha këto që thotë se do t’i bëjë përsëri e përsëri. Le t’i provojë përsëri, po të dojë, por rezultat ndryshe nuk ka si të ketë, sepse është një përsëritje e njohur dhe e stërnjohur e një rruge që i dihet fundi.

Nuk merret pushteti me bojkote, me djegie mandatesh e me marrëdhënie të kushtëzuara. Këto janë instrumente që mund të vlejnë në një moment të caktuar, për të ngritur një problem, por nuk janë instrumente të një lufte politike që zëvendëson votën dhe që ngrihet mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin”, tha Rama.

Vetingu

“Institucionet e Vetingut tanimë janë në punë me orë të plota dhe besoj që në fillim të vitit të ardhshëm do të shikojmë rezultatet e para konkrete të punës për pastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”.

Frika nga drejtësia

“Siç kam bërë gjithçka që kam pasur në dorë për ta garantuar ecurinë e reformës në drejtësi, do vazhdoj ta bëj. Kjo është ajo që unë mund t’ju them me siguri të plotë. Nëse kjo tregon se unë kam frikë nga drejtësia, ky s’është problemi im”.

Për votën e Shqipërisë në OKB

“Po Britania e Madhe mos zgjodhi Turqinë? Është aleati më i ngushtë strategjik i SHBA. Ka votuar njësoj si ne. Mos vallë zgjodhi Turqinë dhe braktisi Amerikën? Japonia ka votuar si ne. Gjermania, Franca, këto vende për ju janë të një rëndësie të dytë. Janë 100 e ca vende që kanë votuar si Shqipëria dhe nuk është shqetësuar askush".

Dhurata për Lulzim Bashën

“Për sa i përket çfarë dhurate do t’i bëj Lulzim Bashës, të them të drejtën këtë nuk e kam menduar, sepse ai artist është, djalë i mirë, por nuk jemi miq, jemi shokë. Kështu që nuk kam ndonjë dhuratë në adresë të Lulzim Bashës për këtë vit”.

Dilemat e Metës për dekretimin e kreut të SHISH

“Presidenti ka kërkuar kohë të mendohet, ka gjithë kohën të mendohet. Katër vjet po të dojë”.

Letra e Metës për Tramp kundër qeverisë

“Unë nuk mund ta kisha parashikuar dot letrën e Presidentit, siç nuk parashikova dot këpucën e Monikës. Janë gjëra këto që nuk parashikohen. Fuqia ime për të parashikuar nuk shkon dot deri këtu, kështu që këto ndodhën. Natyrisht, nëse do të kisha pasur ndjesinë se mund të ndodhnin, do kisha bërë diçka për t’i parandaluar”.

Mesazhi për Monika Kryemadhin

“Për sa i përket Avni Rustemit, Monika më kujton më shumë Eleonorën e Selitës sesa Avni Rustemin”.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit