Rama në Koplik: Investime të reja
për Bashkinë e Malësisë së Madhe

Rama në Koplik: Investime të reja<br />për Bashkinë e Malësisë së Madhe
Është shumë e rëndësishme që me 21 qershor njerëzit të votojnë për të konfirmuar në krye të bashkive njerëzit e duhur.

Kjo ka qenë deklarata e kryeministrit, Edi Rama, nga Kopliku ku ka prezantuar kandidatin e mazhorancës ne këtë bashki, Tonin Marinajn. 

Kryeministri gjithashtu ka premtuar një sërë investimesh për bashkinë e re të Malësisë së Madhe.

Marinaj në betejën e 21 qershorit do këtë përballë kandidatin e Partisë Demokratike Anton Kokaj.

Pjesë nga fjala e Kryeministrit dhe njëherësh Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në prezantimin e kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, në Malësinë e Madhe, Tonin Marinaj:
Faleminderit për mikpritjen! Faleminderit për gjithë këtë energji pozitive dhe për gjithë këto fytyra njerëzish të bukur dhe njerëzish mikpritës. Është gjithmonë, në fakt, kënaqësi kur vij në këtë zonë, sepse e di mirë që është një zonë që ka shumë vështirësi, por është një zonë ku njerëzit nuk ankohen, nuk qahen, por punojnë fort, përpiqen me të gjitha mundësitë që t’ia dalin dhe këtu ju e dini më mirë se unë, por edhe unë kam parë shumë shembuj frymëzues suksesi.

Sigurisht, gjërat janë ende të shumta përpara nesh për t’u zgjidhur, sigurisht që vështirësitë janë ende të mëdha, sigurisht që sfidat që kemi përpara janë më shumë sesa ato që kemi lënë pas, por një gjë është e sigurt, jemi duke lënë pas, pak nga pak, sfidën kryesore, që ishte ndalim i hemorragjisë në gjithë sektorët, i hemorragjisë së një rrënimi që i përfshiu të gjithë sektorët e jetës për vite të tëra dhe fillimi i marrjes së një kthese në drejtimi e duhur. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që në 21 qershor njerëzit të votojnë për të konfirmuar në krye të bashkive të reja njerëzit e duhur për drejtimin e duhur.

Praktikisht, ju e dini mirë që këtu në Malësi të Madhe kemi një nga bashkitë më të mëdha për nga territori, por mos harrojmë se kemi dhe një nga bashkitë e rëndësishme për nga mundësitë dhe po ta shikojmë të lidhur bashkë me bashkinë e Shkodrës, nuk besoj se ka një të dytë në gjithë Shqipërinë ku të gjenden pasuri të tillë që përbëjnë një territor nga Velipoja deri lart në Vermosh dhe Theth. Është një territor jashtëzakonisht i favorshëm për të ndërtuar projekte zhvillimi dhe për të kthyer në drejtimin e duhur rrugën e të gjitha familjeve që kanë vendosur ta bëjnë jetën e tyre këtu dhe për të bërë që shumë të rinj të kthejnë sytë nga vendlindja e tyre edhe kur ikin nga Malësia e Madhe për të bërë studime apo kur ikin në emigracion dhe për të mundur të vijnë këtu dhe jo vetëm të banojnë këtu, por të fitojnë këtu, të pasurohen këtu.

Po flisja me Toninin dhe po më thoshte se një nga dëshirat që ai ka për të realizuar në programin për Malësinë e Madhe është një rrugë e re që lidh bashkinë me liqenin dhe që bën një lidhje për këmbësorët, për ata që duan të dalin në liqen, duke shkuar bashkë me familjet, bashkë me shokët, në këmbë, me biçikletë e kështu me radhë. Pra, një rrugë turistike, faktikisht.

Unë kam vërtet shumë dëshirë që sëbashku të bëjmë disa gjëra të rëndësishme për Malësinë e Madhe, të bëjmë ca punë të rëndësishme që të mbeten si gurë themeli për gjeneratën tjetër dhe fëmijët e kësaj zone dhe të ndihmojmë realisht me projekte serioze gjithë komunitetin. Nga njëra anë të ndihmojmë që jeta të jetë më cilësore, që shërbimet me ujin, me mbeturinat, me transportin të jenë shërbime serioze, të kemi një rrjet transporti të besueshëm, por nga ana tjetër, të kemi mundësinë të mbështesim atë që është zemra e ekonomisë së kësaj zone, që është gjithë zona bujqësore dhe blegtorale. 

Unë kam vërtetë shumë dëshirë që së bashku të bëjmë disa gjëra të rëndësishme për Malësinë e Madhe. Të bëjmë ca punë të rëndësishme që të mbeten si gurë të rëndësishëm themeli në rrugën e gjeneratës tjetër dhe të fëmijët e gjithë kësaj zone. Të ndihmojmë realisht, me projekte serioze, të gjithë komunitetin. Nga njëra anë të ndihmojmë që jeta të jetë më cilësore, që shërbimet me ujin, me mbeturinat, me transportin të jenë shërbime serioze. Jo si sot që çdo komunë ka fugonin e vet dhe duhet të marrësh fugonin e komunës për të shkuar tek komuna tjetër, pastaj të thonë nuk ta quaj këtë fugon ndaj zbrit dhe hip tek fugoni im, prandaj hip tek fugoni tjetër, por të kemi një rrjet transporti të besueshëm.

Nga ana tjetër, të kemi mundësinë që të mbështesim edhe atë që është zemra e ekonomisë së kësaj zone, që është gjithë zona bujqësore dhe blegtorale. Për këtë arsye menjëherë pas zgjedhjeve kryetarët e rinj të bashkive do të kenë edhe një përgjegjësi që nuk e kanë sot. Do të kenë përgjegjësinë që të drejtojnë të gjithë punën për të siguruar vaditjen dhe kullimin e tokave bujqësore.

Po ashtu, kryetarët e bashkive do të kenë një rol të madh sepse më tutje kjo reformë do të shkoj, në ndërtimin e politikave të përbashkëta rajonale për t’ju përshtatur dhe Bashkimit Europian dhe projekteve të Bashkimit Europiane, e për të përcaktuar edhe mbështetjen për fermerët. Mënyrën sesi do të bëhet kjo mbështetje dhe bashkëpunimin me qeverinë qendrore për të mbështetur fermerët.

Ne kemi disa raste suksesi këtu në Malësinë e Madhe, në mbështetje e një numri të caktuar fermerësh. Por është ende shumë pak për të thënë se kemi hedhur vërtetë të gjithë farën e ndryshimit që duam. Duhet të bëjmë dhe do të bëjmë ende shumë më tepër.

Por, për të për gjitha këto na duhet të kemi bashkëpunëtor serioz. Njerëz serioz. Njerëz me vizion këmbëngulës dhe punëtorë. Kryetare dhe kryetarë bashkish që janë aty për të shërbyer, jo për të rrëmbyer. Që janë aty për punët e përditshme në shërbim të komunitetit dhe jo të llafeve të përditshme në shërbim politikës. Janë aty si shprehje e një vullneti të përbashkët, tuajin që i votoni dhe tonin në Tiranë që do t’i mbështesim në emrin tuaj.

Nuk do t’ju prezantoj Toninin në fakt, se Tonin ju e njihni më mirë se unë, unë e kam njohur më vonë. Kam mundur ta vlerësoj në komunikimet që kemi pasur. Kam marrë përshtypjet më pozitive nga njerëzit që kanë punuar me të. Opinione të shkëlqyera nga ata që kanë mundur ta çmojnë gjatë punës së tij, posaçërisht në qendrën spitalore. Jam i bindur mbi të gjitha që Paulini nuk mbështet humbësa, mbështet vetëm fitues.

Vota për Tonin nuk është një votë që do t’ja kërkoja socialistëve dhe demokratëve, po është një votë që do t’jua kërkoja malësorëve. Të cilët kanë një detyrë që është shumë më e lartë se detyra ndaj partisë. Kanë detyrën që ta çojnë Malësinë e Madhe në drejtimin e duhur. Nëse partia e tyre është në rrugë të gabuar, nuk mund ta marrin dhe Malësinë ta çojnë në rrugë e partisë së tyre. Deri kur partia e tyre të kthehet në rrugën e duhur, Malësia e Madhe duhet të ketë vazhduar në rrugën e duhur. Kjo është detyra e malësorëve dhe malësoreve. Jam i bindur që kështu do ta shohin shumica dërrmuese. E jam mëse i sigurt që pas zgjedhjeve ne do të fillojmë të punojmë së bashku me Toninin për të bërë realitet një fazë të re të përpjekjeve tona për të bërë Rilindjen. Për të bërë realitet një fazë të re ku ekonomia të filloj të lëvizë edhe më shumë në drejtimin e duhur dhe ku buxhetet familjare të fillojnë të ndiejnë rezultatet e reformave.

Reformat që po bëjmë janë të vështira. Por ashtu siç nuk ka prind që t’ja japi me dëshirë fëmijës një ilaç të hidhur, ashtu nuk ka prind që ti thotë fëmijës mos e pi ilaçin se është i hidhur. Por përkundrazi e detyron ta marri ilaçin e hidhur sepse përndryshe bën një mëkat të madh, rëndon sëmundjen që mund të ketë fëmija, kështu janë dhe reformat, kështu është edhe përgjegjësia për të drejtuar dhe për të çuar përpara vendin. Jo duke mbyllur sytë dhe duke ua u mbyllur sytë njerëzve me mjaltin e gënjeshtrave dhe duke e sjellë punën që vendi të shkoj drejt kolapsit, siç po shkonte drejt kolapsit energjetik. Siç po shkonte drejt një pike pa kthim, ku do të na duhej pastaj që të bënim reforma shumë herë më të egra dhe shumë herë më të dhimbshme për të dal nga errësira totale, apo në të gjithë fushat e tjera. Por reformat nuk janë formula magjike. Reformat janë operacione të dhimbshme që duhen bërë, për të luftuar sëmundje të cilat nuk luftohen as duke lyer fytyrën me pudër, as duke ngrënë karamele. Por luftohen me terapinë e duhur dhe me operacionin e duhur. Rezultatet e reformave do të vijnë.

Do t’ju jap një shembull për këtë. Për herë të parë në historinë e saj, në muajin prill, OSHEE ka dalë me fitim. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë për herë të parë në historinë e saj OSHEE-ja nuk ka nevojë të kërkojë para nga taksat për të mbuluar gropën që hapet nga vjedhjet. Për herë të parë në historinë e saj, OSHEE-ja fillon në 6-mujorin e dytë fillon të investojë në sistemin e energjisë elektrike nga paratë e saja, pra nga kontributet e të gjithëve ju. Që do të thotë që paratë që paguhen për energjinë elektrike janë investime që bëhen në dy drejtime.

E para, për të përmirësuar cilësinë shërbimit, që ne e dimë shumë mirë dhe ju e dini më mirë që lë shumë për të dëshiruar. Që nga shërbimi ndaj klientit, tek mënyra si bëhet faturimi.

Sistemi ynë i shpërndarjes në 85% të tij është mbi 40 vjeç. Llogarisni sikur të keni një makinë që 85% të trupit të saj e ka mbi 45 vjeç, përfytyroni se si mund t’i hypni asaj makine dhe të shkoni diku nëse është trupi i ndryshkur i një FIAT-i të viteve ’70 dhe ju i vendosni dy rrota Mercedezi dhe thoni përse nuk më çon në Tiranë. E pra, sepse ky sistem kërkon investime.

Por, është edhe një investim tjetër, sepse të gjitha ato para që shkonin për të mbushur gropën, tani do të shkojnë për nevojat tuaja. Do të shkojnë për kopshtet, shkollat, spitalin, do të shkojnë për këto projekte që po flasim. Nuk janë pak janë 150 milionë euro. 150 milionë euro që shkonin për të mbuluar gropën. Ndërkohë që ata që qeverisnin i kishin ndarë njerëzit në të zgjuar dhe në budallenj. Të zgjuarit ishin ata që nuk paguanin budallenjtë ishin ata që paguanin edhe për vete edhe për zgjuarit. Ndërkohë që sot, të gjithë janë të vetëdijshëm dhe po shtohet vazhdimisht numri i atyre që paguajnë rregullisht.

E rëndësishme është që të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpinë e tyre me punë e me sakrifica, që e mbajnë shtëpinë e tyre me mund e me sakrifica dhe që e dinë se çfarë është puna, dinë një gjë që puna do punë, puna nuk mbaron kur thua që do e bësh por mbaron kur e ke bërë dhe çdo punë do kohën e vet që të bëhet mirë.

Edhe projekti ynë i madh do kohën e vet që të japë rezultatet që ne duam. Por, të jeni të sigurtë, dhe këtë nuk e luan topi, që jemi në drejtimin e duhur që i kemi thënë fund një historie idiotizmi dhe gënjeshtre të kthyer në sistem dhe që ndejti në pushtet për vite të tëra.

Është një gjë e turpshme kur thonë “s’keni bërë asnjë rrugë”. S‘kemi bërë asnjë rrugë?! Kemi shlyer deri tani afro 400 milion dollarë, nga borxhet e tyre. Përfytyroni se çfarë do të kishim bërë po t’i kishim 400 milion dollarë. Përfytyroni se çfarë do të kishim bërë sikur të gjitha këto para të mos ishin borxh. Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë.

Ashtu siç po shkon mbyllja e borxheve, ashtu siç po shkon ripërtëritja e sektorit të energjisë, ashtu siç po shkon edhe ripërtëritja në sektorë të tjerë, ne do të jemi çdo vit e më të fuqishëm financiarisht për të bërë çdo vit e më shumë.

Ajo që ju them unë, dhe këtë ta keni të sigurtë, që në 4 vite me Toninin, me të gjithë ju, për bashkinë e madhe do të bëjmë saç nuk është bërë në 23 vite të marra sëbashku.

Faleminderit!

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos