Kreu i opozitës, i cili e kishte paralajmëruar që në hyrje të Lezhës, duke shkruar në Fb, sesa e vështirë ishte të hyjë në një qytet ku dhe rrugicat mes pallateve ishin tejmbushur me njerës, e nisi fjalën e tij me shprehjen: “Përulem para jush, sepse as në ëndrrën më të bukur nuk do e kisha parë këtë shesh të tejmbushur! Mirënjohje, mirënjohje, mirënjohje! Jam i lumtur që jam këtu më një yll që shkëlqen në këtë skenë fantastike, Mimi Kodhelin. Jam i lumtur që jam këtu me skuadrën tonë! Janë ata që kur ishin të rinj fare dolën për të përmbysur Partinë e Punës të katragjyshit me antiplumb!
A ju kujtohet tetë vjet më parë, kur Saliu vinte këtu, nxirrte duart para dhe thoshte: Shikoni, i kam duart e pastra, ma jepni mua votën! Ku i ka duart tani, pse nuk i nxjerr më? Sepse i ka zhytur në llumin e një korrupsioni dhe në vijat e atyre mund të lexosh dramat e këtij populli, që nga shpërthimi i Gërdecit. Katër vjet më parë, a ju kujtohet se çfarë thoshte PD-ja dhe Saliu në fushatën e tyre? Na jepni votën, se neve bota na beson. A e keni parë botën sot t’u hedhë sytë, këtyre? Në rrugën e kësaj historie, Saliut nuk i beson asnjë demokrat i ndershëm, ndërsa neve na beson Shqipëria dhe bota! E keni dëgjuar kur thotë: Aman, besoni, lodhem për ju, jam mjek, jam human, se këtë herë di unë si ta bëj. Po si ta besojmë? Se herën e pare, katër; herën e dytë, katër. Mendoni 44-ën pra dhe kujtoni, 29-ën!", theksoi Rama.
Në fund të takimit, entuziazmi dhe thirrjet e simpatizantëve u rritën edhe më nën ritmin e një daulleje, që PS-ja po përdor për t'i dhënë tonin, fjalimeve! Ky entuziazëm përfshiu edhe kreun e opozitës, që edhe vetë iu bashkua goditjeve të daulles, si në foto.
ORA 18: 00 RAMA, LAÇIANEVE: TE MIRET TE VOTOJNE, QE TE HEQIM TE KEQEN QE NA KA KAPUR PREJ FYTI
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka zhvilluar sot pasdite një miting elektoral në qytetin e Laçit, ku para fjalës së tij, grupi i valltarëve ka kërcyer vallen e Tropojës. Rama u tha të pranishmëve" Kjo pamje për mua është e paparë! Në rast se ju në 23 qershor ju do të bashkoheni, socialist dhe demokratë, ju do t’i jepni Arturit dhe vetes një mbështetje të jashtëzakonshme dhe në katër vjetër e ardhshme ne do të bëjmë për Laçin dhe Kurbinin, atë që nuk është bërë për 20 vjet me radhë!
Këtu në Laç ekziston një ndërmarrje fason që punëson shumë njerëz. Program ynë ka një pikë të rëndësishme mbështetjen e ndërmarrjeve fason. E pra, nëse doni një mundësi për punë, që të qeveriset Shqipëria me një program që mbështet industrinë prodhuese, punësimin për vajza dhe djem, ka vetëm ka një drejtim: Partia Socialiste. Nuk kam shkop magjik dhe nuk ju premtoj se për 4 vjet, Shqipëria do bëhet mrekulli, por me votën skuadrës së Rilindjes, ju do keni një qeveri që problemet tuaja do t'i ketë të vetat. Këtu nuk është pyetje nëse do fitojë PD apo PS, por a do vazhdojë rrënimi apo do hapet rruga e ripërtëritjes. A do shkatërrohet shtresa e mesme apo do fitojë taksimi i ndershëm për 9% të shqiptarëve? A do kemi shërbime sipas xhepit apo sipas nevojës? A do ta kemi shëndetësinë me lekë në dorë apo falas për të gjithë? Mos e harroni atë shprehjen: Kur e keqja e kap për fyti një popull, nuk është faji i të këqinjve, por i të mirëve që rrinë duarkryq e nuk bëjnë asgjë!", - theksoi Rama në përfundim.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)