“Ne jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha hapat e kërkuar në mënyrë që të marrim statusin e vendit kandidat. Ne do të punojmë fort, duke mbajtur gjithmonë në mendje se integrimi në BE nuk është vetëm një destinacion, por është një set vlerash dhe standardesh që ne si fillim duhet t’i ndërtojmë në vend. Kjo lidhet me vullnetin tonë për të kontribuar në suksesin e një projekti ndërkombëtar brilant, të një Bashkimi Evropian që kontribuon ndërkaq për begatinë e miliona njerëzve, që krijon shoqëri akoma më të hapura dhe që kontribuon për një botë më të barabartë”, u shpreh Kryeministri.
Kreu i qeverisë ka shtuar se “i gjithë procesi i integrimit europian nuk është vetëm një destinacion, por një set vlerash dhe standardesh që konsolidohet nëse të gjitha vendet, specifikisht të rajonit, punojnë së bashku për ta pasur”.
Duke vlerësuar atë çka Britania e Madhe përfaqëson në korpusin e vlerave europiane, kryeministri Rama theksoi se qeveria shqiptare e konsideron mbështetjen e saj në rrugëtimin evropian të Shqipërisë të një rëndësie të madhe.
“Shpresoj që, ndërkohë që Shqipëria vazhdon këtë udhëtimin të brendshëm, progresi dhe ndryshimi në mënyrë që të arrijë integrimin në BE, Britania e Madhe të jetë me ne, duke na shtyrë në drejtimin e duhur,” nënvizoi Kryeministri.
Duke shprehur bindjen se integrimi europian është e ardhmja e Ballkanit, Rama theksoi se një bashkëpunim i suksesshëm mes vendeve të tij përbën edhe një faktor kyç për një integrim të suksesshëm europian.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm se nuk mund të jemi të vetëm në këtë udhëtim. Unë e di se bashkëpunimi rajonal është një faktor kyç në procesin e integrimit dhe për të siguruar një integrim të suksesshëm dhe për të kontribuar për të ardhmen e BE-së, ne jemi të vendosur të punojmë sa më fort që të jetë e mundur me të gjithë fqinjët”, u shpreh kryeministri.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama përcolli mesazhin e fortë të besimit se Shqipëria, me brezat e saj të rinj, nuk do të jetë vetëm përfituese, por edhe kontribuuese në Bashkimin Evropian.
“Ne jemi të sigurt që Shqipëria do të përfitojë nga BE-ja. Dhe mund t’ju premtoj se BE-ja do të përfitojë nga brezi i ri i shqiptarëve.”
(Foto/Kryeministri Edi Rama gjatë leksionit në Universitetin e Oksfordit, Foto të tjera)
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)